Kategori: Artikuj

Traum(deutung)

Deutung (interpretim)   Dëgjova dje, me një lloj vetëdetyrimi këtë herë e pranoj, kryeministrin ende të them në “detyrë”, të ankohej këtë herë për fjalët e thëna ndaj të miturës, sipas tij të pavenda dhe që nuk i shërbenin asaj madje madje e përmbylli fjalën e tij me tone të dhunshme e të larta si të donte dashje pa dashje të binte në grackën që i ngriti të tjerëve duke u bërë qartazi palë me ata të cilëve po u përvishej dhe një herë vënçe, si çdo të enjte sipas menusë së zakonshme. Armiqtë i dolën sërish në shtegun e fjalimit me vetveten dhe ishte e vështirë të kuptohej ku donte të dilte në bisedë, të cilën arriti ta përmbylli me një epilog rrënqethës ku sipas tij ishin pikërisht fjalët dhe fjalori i rëndomtë i armiqve të tij në atë foltore ato që duheshin fajësuar sepse jo vetëm s’po e ndihmonin “ këtë të shkretën e të gjitha të shkretat e tjera ” por po e çonin drejt “ vetëvrasjes ” të cilës i mëshoi fort të paktën dy herë dhe foli shumë serbes. Ja, këto fjalë përdori si për ta respektuar atë siç i paskërka hije një viktime të mirëfilltë. Idem si shokët e vetë të luftës, kap e hidhi fjalët si gurë. Bjeri t’i biem!   Ai vetë e quajti “ të shkretën ” dhe dënoi rëndë “ viktimizimin ” që vinte pra gjithë shqipëtarëve drejtpërsëdrejti nga fjalor i padenjë (me që ra fjala bëhej fjalë për akuzat ndaj të tijëve si :hajdut, kriminelë etj. të cilat duheshin provuar përpara se të lëshoheshin në gjykata hipotetike posi jo!). Ishte pra veçse faji i këtij fjalori të përdoruesve të foltores së parlamentit. Ashtu vërtet, nuk gënjeu tërësisht pasi ndërkohë s’dëgjova një fjalë të vetme nga ai si mishërim i asaj që po promovonte, të themi p.sh; për rojen e shkollës, sistemin e kontrollit të ministrisë së arsimit, jetimoreve (sepse mund të jenë çdo gjë por nuk janë akoma “shtëpi fëmije” pavarësisht propagandës dhe atyre kamerave të mrekullueshme që projektoi mendja e ministres së shëndetësisë dy vjet më parë me rezultate të padukshme përveçse atyre të terrorit vertikal lart-poshtë se helbete do e ushtrojmë njëçik atë të shkretin kërbaç (po më vjen leksiku lab si të më kujtonte vendin ku ndodhi dhuna ndaj fëmijës), mirëpo s’mjafton kamera por mendja të interpretojë e gjykojë një imazh. Po mendje s’ka, as duket gjëkundi në horizont vetëm armiq imagjinarë që duhen luftuar. Por me këtë mendësi i bie që të luftojmë vetëm ata armiq që na tregon kryeministri, jo ata me të cilët ai ka konflikt interesi dhe kjo fare fare pse ai i ka nën varësi të pushtetit të tij ? Hëm! Ndërkohë vetë ministria e arsimit po nga foltorja ku foli kryeministri, nxitoi të shqiptojë sa më shpejt të mundej me një zhdërvjelltësi të lavdërueshme në gjininë e diktimit, “ përgjegjësinë institucionale “, pa e detajuar fare as me llogari që ç’ishte bërë si qysh tek….pasi me sa duket s’ishte aty për këtë punë por i duhej t’ja bënte rrëmbimthi gropën përgjegjësisë institucionale të mishëruar nga ajo e vartësit militantë të saj. Më pas u hodh brenda po të njëjtës fjali për të ndarë me ne, qytetarët e republikës, arsyetimin se ky fenomen duhej luftuar nga të gjithë pasi qe produkt i “ një sistemi patriarkal ”.  Oh yeah!!!! Disa ditë më parë mbrojtja e pacipë si zakonisht nga vetë kryeministri, (shefi i shefave), e policave që e ushtruan mirë dhunën si dhe e shefit të policave që shpalosi të dhëna personale të një gruaje, dhe na tregoi mirë argumentin mjeran se nga ç’familje vinte 15 vjeçari, dhe të gjitha këto për kokërr të qejfi përpara miletit të ekraneve. Po ashtu si vetë shefi i shefave, ministria nuk u kujtua te thoshte një fjalë për dhunën ndaj një të mituri të së njëjtës moshë sepse kjo nuk qenkërka patriarkalizëm për ministren kur kjo ndodh brenda makinerisë së pushtetit shtetëror por jo qe vetëm problem i familjes shqiptare, prindit baba po vetëm ai është fajtori. Po ndonjë fjalë për djalin e dhunuesit që vijonte e kërcënonte për kokërr të qejfit familjen e vajzës, s’mund te flitej.  Po si s’na argumentoi pak drejtori i policisë nga ç’familje vinte kjo vajza se mbase e meritonte dhe kjo atë që i ndodhi si 15 vjeçari.  Po le t’i thoshte xhanëm dy fjalë ministria e ta fillonte këtë “ luftën me fenomenin patriarkal ” brenda strukturave shtetërore që ta besonim ndopak që arrinte ta baravlefsonte fjalën e saj me atë të kryeministrit. E ka filluar luftën ministria me patriarkalizmin? Apo e hoqi vetveten nga ekuacioni ? U tregua viktimë dhe ajo e këtij fenomeni e joshur bindshëm nga pushteti dhe gati për të hapur gojën vetëm për një mprehje të tehut ndaj tjetrit dhe për tjetrin. Asnjëri nga ata të dy që duhej ta fillonin ta bënin punën e tyre që dje nga foltorja, folën përçart dhe e zhvendosën monologun rëndomtë gjetiu. Të dy dëshmuan se kanë një problem të rëndë në raportin e tyre me fjalën. * Traum (ëndërr) Freud-i u rrek të interpretonte ëndrrat dhe kur erdhi puna tek makthet u gjet para një problemi. Teza e tij se ëndrra është realizimi i një dëshire, dështonte tek makthi. Pra (m)akthi ishte një ëndërr e përmbysur, që nuk realizonte dëshirën por çlironte me bollëk ankthin. Por le të pranojmë siç pranoi dhe ai vetë se edhe të interpretosh ëndrrat si realizimi i një dëshire ka përbrenda dozën e saj të traumës se sigurisht që ëndrra të jep (edhe) gomarin për burrë me raste. Pulsioni i përkufizuar nga Freud-i dhe i konceptuar më tej nga Lacan-i është një shtysë e dhunshme që më kot lodhemi të mos e pranojmë sepse e pësojmë gjatë gjithë jetës e që arrin kulmin e tij gjatë adoleshencës.  Në lajmet scoop nuk munguan dhe interpretimet e burrave për adoleshentet që “ provokojnë ” këta “ viktimat ” sepse paskërkan pikërisht pulsionin (dolëm tek pulsioni si i keq dhe refuzimi i tezës Frojdiane) e nga i cili u dashka të ruhen, sidomos vajzat (por prej të cilit këta ruhen vetë). Besoj gjithmonë e më shumë se thembra e Akilit në mendësinë kolektive shqiptare pikon pikërisht tek problematika pulsionale. E refuzuar en bloc ashtu si teza e seksualitetit frojdian e anatemuar sa herë i përmendet emri si shtrigat e Salemit dhe e përkthyer si ” teoria e seksit ” dhe e shndërruar në një fletë byrektoreje.  S’ka traumë pa dhunë. S’ka ëndërr pa dhunë sepse s’ka jetë pa dhunë. Dhuna e parë është ajo që pësojmë nga pulsioni e nga e cila është e kot të rrekemi ta mposhtim e aq më pak ta sundojmë artificialisht pa e dialektizuar, pa e folur. Fjala e zbut, e çliron dhe e nyjëton. Është e vetmja që e tjetërson por me të vetmin kusht që t’i njohë identitetin e dhunës që e përkufizon. Fjala e plotë (pleine sipas Lacan-it) e nyjëtuar pra me pulsionin dhe dozën e saj të dhunËs, është e vetmja dhunë legjitime në rendin njerëzor përndryshe s’do mundemi dot të ëndërrojmë por do pjellim thertore, ku do nxjerrim sytë njëri-tjetrit në një vorbull makthi të pafundmë.      Ref. Freud Sigmund, Die Traumdeutung [Interpretimi i ëndrrave], 1899.

Si t’u flasim fëmijëve për koronavirusin (COVID-19) ?

header family Nëse për prindërit, epidemia e koronavirusit (ose Covid-19) mund të sjellë shqetësime, pyetje dhe panik, të cilat përforcohen dhe nga pushtimi mediatik dhe përcjellja e vazhdueshme e informacioneve, nga ana tjetër edhe vetë fëmijët preken drejtpërsëdrejti nga këto dukuri.  A duhet t’u flasim fëmijëve për epideminë? Si t’ua shpjegojmë fëmijëve se çfarë po ndodh pa i tronditur ? Cilat fjalë të zgjedhim për t’i dhënë atyre sadopak siguri ?

Përse duhet t’u flasim fëmijëve për koronavirusin ?

Epidemia botërore e koronavirusit çon në vendime dhe masa të papreçedenta, ndër të tjera udhëzon qëndrimin në shtëpi, masa që nuk janë pa pasoja për të rriturit. Shqetësimit lidhur me virusin ardhur nga larg, i shtohet edhe ndjenja e pafuqisë, pasigurisë, pritjes ankthioze si dhe lista e shtrëngesave përballë vendimeve që u imponohen të gjithëve me qëllim kufizimin e shpërhapjes së shpejtë të kësaj epidemie. Përditshmëria është tërësisht e turbulluar dhe shoqërohet me një sërë pasojash siç janë ndërprerja e jetës së zakonshme, ndërprerja e detyruar e mësimit nëpër shkolla, shqetësimi për gjendjen ekonomike të rënduar për familjet e varfëra dhe çoroditja lidhur me ngujimin në banesa së bashku me fëmijët të cilët shpesh janë të paduruar. Fëmijët padyshim preken nga ky kontekst dhe jo vetëm sepse ritmi i tyre i jetës është ndërprerë por mbi të gjitha sepse ata përjetojnë shqetësimin e prindërve të tyre. Në këto kushte mund të duket tunduese të shmanget biseda me fëmijët lidhur me situatën, sidomos me fëmijët dhe me ata më të vegjëlit. Qarkullon ideja se ata janë “ tepër të vegjël për të kuptuar ”, “ kjo do t’i traumatizonte edhe më tepër ”. Ndërkohë ne sot dimë se sekreti dhe gënjeshtra sjellin pasoja realisht shkatërruese për fëmijët në momentin që ata do të arrijnë moshën ku do të mund të ndërgjegjësohen. Ndaj është thelbësore t’u flasim, duke ua përshtatur fjalët moshës së tyre.

T’ia përshtasim bisedën moshës së fëmijës

Në kohë krize, fëmija ka më tepër nevojë të ndihet i kuptuar, i mbrojtur dhe i sigurtë. Fëmijët, sidomos më të vegjëlit, nuk i kanë burimet e mjaftueshme në rrafshin mendor dhe afektiv për të kuptuar dhe për të njësuar mendërisht çdo gjë që përcillet përreth tyre. Ata tronditen më shumë nga reagimet e rrethit të tyre familjar sesa nga realiteti. Fëmijët që zotërojnë fjalën përgjithësisht pyesin shpesh, sepse janë të rrethuar nga mediat që flasin pa pushim ndërkohë që vënë re se njerëzit në rrugë kanë vënë maska. Ata pyesin “ ç’është ky koronavirusi ? ” “ pse njerëzit kanë maska ? ”, “ pse nuk mund të shkojmë tek lodrat ? ”, “ pse të mëdhenjtë kanë frikë ? ”, “ pse nuk mund të shkojmë në shkollë ? ”, etj. Përballë pyetjes së një fëmije, i rrituri duhet të kuptojë se ka gjithmonë një teori fëminore dhe se fëmija kërkon mbi të gjitha të dijë nëse teoria e tij është e saktë apo jo. Mënyra më e thjeshtë, përpara se t’i kthejmë përgjigje fëmijës, është ta pyesim atë se çfarë ka arritur të kuptojë, çfarë mendon për këtë gjendje ku ndodhet ai dhe të tjerët. Vetëm në sajë të përgjigjes së fëmijës, i rrituri do të mund të japë shpjegimin që  i përshtatet më shumë fëmijës. Nëse fëmija i thotë se nuk i kupton disa gjëra, i rrituri mund t’i thotë po ashtu se dhe ai nuk i kupton dot të gjitha vendimet, por që duhet t’i respektojnë vendimet edhe pse nuk jemi gjithmonë dakort me to (parim bazik i përcjelljes së respektit ndaj ligjit). Është e rëndësishme të flitet për doktorët, spitalet dhe të gjitha mjekimet që mund të ekzistojnë kur është e domosdoshme. Për foshnjet dhe fëmijët që nuk flasin ende por që i rrituri u flet, të rriturit mund t’u shpjegojnë duke përmendur se ata vetë janë të shqetësuar se vetë jeta ka ndryshuar sepse ka një “ virus të keq ” që shkon nga një person tek tjetri, por duke theksuar njëkohësisht se ata, prindërit do të qëndrojnë pranë fëmijës për ta mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të. Ndërkohë foshnja nuk kupton si fëmija më i madh, por kur të rriturit i flasin, nuk ka më sekrete mes tij dhe të rriturit, duke i krijuar kështu foshnjes mundësinë për të qenë i gatshëm në aspektin psikik. Fëmija ka absolutisht nevojë të dijë që i rrituri e kupton, se nuk e kanë braktisur dhe se po përkujdesemi për të. Duke folur me fëmijët, me fjalët e tyre, i rrituri rigjen disi mendimin e tij magjik fëminor dhe qetëson kështu vetë ankthin e tij.

 Ta përmendësh koronavirusin me emër dhe t’ia shpjegosh fëmijës

Është e rëndësishme të flasësh për virusin dhe ta përmendësh me emër, përndryshe përballë çdo sëmundje fëmija do të mendojë se bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Është e mundur të shpjegohet, në funksion të pyetjes së fëmijës, se koronavirusi është : shumë shumë i vogël dhe hyn tek njerëzit, nganjëherë nuk bën asgjë, nganjëherë na sëmur me grip dhe nganjëherë është shumë e rëndë sepse duhet të shkojmë në spital. Na duhet të bëjmë çdo gjë që të mos e lejojmë që të shkojë tek të gjithë dhe t’i sëmurë të gjithë.  Nëse fëmija përgjigjet duke u shprehur se ai e di se disa njerëz kanë vdekur, i rrituri mund t’i përgjigjet se kjo është e vërtetë, por që personat që kanë vdekur ishin të sëmurë më përpara ose ishin shumë të moshuar dhe se virusi ishte më i fortë se ata por që virusi nuk i merr jetën fëmijëve sepse të rriturit ndodhen afër tij për t’u kujdesur për të dhe nëse ndodh diçka ata menjëherë do të bëjnë çmos po ashtu edhe doktorët që janë shumë të fortë dhe kanë ilaçe ….  T’u transmetosh fëmijëve besimin tek mjekësia, solidariteti dhe vëmendja ndaj të tjerëve është një mësim thelbësor që mund t’u përcjellim fëmijëve dhe është edhe një pasojë pozitive e krizës aktuale. Një fytyrë e maskuar mund të jetë tmerruese për një fëmijë sepse nuk mund të mbështetet më tek referencat emocionale që bart zakonisht fytyra njerëzore për ta. Prandaj nevojitet t’u shpjegohet rëndësia e mbajtjes së maskës, qoftë edhe duke e shndërruar në një lojë (maskimi). I rrituri duhet t’i shpjegojë gjithashtu rëndësinë e larjes sa më mirë të duarve për të larguar viruset që janë në to dhe për të mos ia kaluar ato dikujt tjetër. Të gjitha këto shpjegime të thjeshta bëjnë që frika të shndërrohet në veprim dhe fëmija të mos përjetojë më pafuqinë që paralizon këdo.

T’i ruajmë fëmijët nga mediat 

Është e rëndësishme t’i ruajmë fëmijët nga media. Të shmangim ankthin që buron nga mediat duke i parë lajmet vetëm një herë në ditë sepse të jesh vazhdimisht në kontakt me aktualitetin ushqen vetë ankthin. Mos shikoni dhe mos dëgjoni asnjëherë lajmet kur fëmija është i pranishëm, cilado qoftë mosha e fëmijës edhe kur fëmija duket sikur po merret me diçka tjetër dhe nuk e ka mendjen. Fëmijët dëgjojnë çdo gjë por nuk e kanë ende aftësinë të analizojnë atë që dëgjojnë në kontekstin e duhur dhe nuk mendojnë gjithmonë t’ju kërkojnë shpjegime. Nëse nuk kuptojnë atë që thuhet dhe që shfaqet në ekran, shpesh ata kuptojnë shprehjen tuaj të fytyrës ndërkohë që ju po dëgjoni dhe po komentoni me njëri-tjetrin.

Qëndroni të qetë dhe informoni pa frikësuar 

Ideale do të ishte që të rriturit të qëndrojnë të qetë dhe kjo nganjëherë herë mund të jetë e vështirë për t’u arritur. Nuk bëhet fjalë këtu për të patur iluzionin se mund ta ndalojmë frikën. Frika nuk është negative në vetvete. Në disa raste mjafton të jemi të vetëdijshëm për të dhe të dimë ç’të bëjmë përballë saj.
  • Kërkojini fëmijës të flasë lidhur me atë që ka kuptuar;
  • Përdorni fjalë të thjeshta, një gjuhë që ai e kupton, duke shmangur kështu lënien e fëmijës pa shpjegime si dhe mësojini të mos i lërë emocionet e veta të pa analizuara dhe të pakuptueshme nga prindërit e tij;
  • Këmbëngulni tek domosdoshmëria për të respektuar masat e detyrueshme si dhe tek besimi që duhet të kemi tek ata që marrin vendimet si dhe punonjësit e shëndetësisë.
  logo - transparent

  ©Child & Family Unit Nyjelakim Njësia për fëmijën & Familjen Nyjelakim

Përditësuar me udhëzimet e fundit nga : Société Française de Pédiatrie; Protection Maternelle Infantile (PMI); INSERM

¡ Urgjenca ! nga Bernard Seynhaeve

¡Urgjencë

    Bernard Seynhaeve

      Kongresi i NLS 2019  

 

Urgjenca subjektive dhe e pavetëdijshmja transferenciale 

Tek “ Parathënie e botimit anglez të seminarit XI ”, Lacan-i flet për rastet e tij urgjente. Urgjenca [1] e Lacan-it në këtë tekst, i cili është pjesë e mësimit të tij më të fundit, nuk është urgjenca subjektive për të cilën bëhet fjalë në “ Më në fund çështja e subjektit në diskutim tekst i cili [2] daton në 1966.  Jacques-Alain Miller na e rikujton në mësimin e tij se kur Lacan-i flet për urgjencë  [3] subjektive në 1966 bëhet fjalë pikërisht për formimin e psikanalistit : “ Do të ketë disa psikanalistë të cilët do ti përgjigjen disa prej urgjencave subjektive ” . Ky tekst, thekson Miller, [4] është bashkëkohor me “ Propozim i 9 tetorit ” i cili ka të bëjë me krijimin e procedurës së [5] kalimit të një psikanalisti [ la passe ]. Në këtë propozim të 1967, Lacan-i përdor konceptin e subjektit për të elaboruar veçanërisht formulën [ mathème ] e transferencës duke u nisur nga “ subjekti i supozuar me dije ”. “ Një subjekt, thotë ai, […] supozohet […] prej shënjuesit i cili e përfaqëson ” [6].   (more…)

Adresa

Adresa adresa Pyetjes se ç’dashkërka Lakani në shqip nuk mund t’i përgjigjesha menjëherë kur Ardian Vehbiu ma drejtoi. Atë kohë ëndërrimi për ta sjellë në shqip u mpleks me tekstet e Vehbiut në peizazhe të fjalës. Një nga shtysat e para ishte prania e druajtjes dhe të një lloj ankthi që sjell teksti i Lakanit, element që e vura re menjëherë tek Vehbiu. Nëse teksti nuk e tut lexuesin (çdo përkthyes është fillimisht dhe lexues) nuk do t’i isha afruar aspak kësaj folie à deux.  Sfida ishte të mos shndërrohej ëndrra në makth dhe të na ulej këmbëkryq angështia… Pse në shqip? Sigurisht mund të vazhdoja ta lexoja e ta lexonim në gjuhë të ndryshme këtë autor dhe të vijoja diskutimet për psikanalizën vetëm me të huajt por ja që dëshira më riktheu tek shqipja dhe më riktheu literalisht në vendlindje. Dikur i pata thënë Elsës (Demo) e cila më pyeti menjëherë për arsyet e mia (si çdo subjekt me ndopak gravitet që ngre pyetjen përse dikush ndërmerr të bëjë diçka dhe nuk ia nënkupton d.m.th. tret arsyen që në zanafillë) pas shpjegimit që psikanaliza dhe teksti i Lakanit nuk mund të përhapet veçse si farë kosi dhe se arsyeja e nismës lidhej me mungesën e diskutimeve me kolegëve shqipëtarë që më çonte në një vetmi pakrye. Nëse nuk do flisnim për psikanalizën në shqip nuk kisha asnjë arsye për të jetuar (dhe punuar) në këtë vend. (more…)

Hedhje – Polifoni ( e shkruar)

Matilda Odobashi

Hedhje

“Oh, nuk është gati publiku të përballet me dicka të tillë! Trupi, sensualiteti, seksi?… Jo, jo! Nuk janë gati!” E dëgjuar kjo nga goja e një akademiku, në dukje si një bllok betoni, jo si gurë sepse guri është natyral, i gdhendur nga era apo uji, por si bllok betoni, i prodhuar nga i njëjti kallup nga populli për të hedhur themele mendimi sa më thellë e sa më rezistente, ishte në fillim, befasuese! Duke u menduar më gjatë, duke e parë qëndrimin e saj të ngurtë, të pajetë, të padepërtueshëm, e imagjinova se ajo e tillë është “gatuar”, një bllok betoni  ku lënda baze humbet e shkrihet me të tjerat. Tashmë (por ndoshta gjithnjë) e kish kthyer trupin në mbartës, në qeli boshe, të pajetë brenda. E duket sikur vuan në atë karrige, sikur ka gjëmba nën! Vuan? Kjo është fjala e duhur? Ndoshta është vuajtje, agoni, cmirë a neveri, është diçka që ndoshta e bën të ndjehet jo mirë, ose jo keq ose mirë dhe keq në të njëjtën kohë, në të gjitha kohët. Ashtu si vetë trupin e saj, ka murosur ndjenjat, mendimet e kujtimet, si për të fshehur dicka, por çfarë fsheh? Nga cfarë ka frikë, çfarë mund të tregojnë ato? A e di ajo vetë të paktën çfarë fsheh dhe cfare nuk është gati të zbulojë? Shthurja (se kësaj ndoshta i druhet) vjen nga mosdija e nga shtypja, nga babëzia që këto të dyja sjellin. Por kjo ndoshta vjen edhe sepse, siç e përmenda më sipër, e kanë formësuar të tillë. Dhe ajo, përtace për tu vetvizatuar, për tu vetgdhendur, duke zgjedhur të jetë vepra e jo krijuesi, është përshtatur dhe ka marrë formën e tjetrit, e shumë figurinave të njëjta. Pa mos dashur a ditur ç’është, njëjtësohet me pararendësin thjesht për hir të të qenit diçka, duke lënë mënjanë çka-diç-in mund të kish qenë. Një nevojë për të Qenë, pavarësisht përbërjes. Nevojë për të përjashtuar e injoruar veten, atë të trishtën, të shtypurën, të padëshiruarën, intruson. Intruso në qenësinë e vet, ku, e përjashtuar, endet në humbëtirën e të gjithë të përjashtuarave. E gjithçka është një masë e madhe trupash, të ndryshëm në fizionomi por të njëjtë në përbërje, të cilët bashkëpunojnë të mbulojnë boshllëkun e trishtimit të fshehur e të mënjanuar të njëri-tjetrit, të mbushin me patjetër heshtjen.

Polifoni (e folur)

Kovat e mbushura me fjalë (boshe)

Në filllim ishin tingujt pastaj mbërritën domethëniet e rënda. Gjatë periudhës së diktaturës gjuha e drunjtë u eksperimentua kudo e tek gjithkush. Mbaj mend se këto shënjime, domethënie peshonin aq shumë sa të mpinin gjatë1. Në këtë kontekst vetë ekzistenca e fjalës kalitje, e cila nuk përdoret më përveç në kujtim të kohës së shkuar, pati një jetë të vetën vetëm gjatë periudhës së diktaturës dhe mbarte si kuptim forcimin e trupit nëpërmjet ushtrimeve fizike e gjimnastikës2.

Ndërkohë edhe pse shprehjet në fytyrat e njerëzve ndryshonin e deri diku edhe gjallëroheshin gjatë kohës që flisnin, prapë se prapi thëniet e tyre ishin të zëvendësueshme e fare mirë mund të shkëmbenin folësin me një tjetër (shpeshherë jo i pranishëm).

‘ … kuptimi zë rrënjë si një kuptim tejet i plotë (i mbushur), arratia (fuga) e të cilit e përpin subjektin dhe e hedh në çka s’do të ishte gjë tjetër veçse fenomeni delirant, kërthiza e tij 3‘.

Jacques Lacan mëton se kemi dy tipe fjalësh, fjalë boshe dhe të plota. Fjala është bosh kur fiksohet, zë vend tek aktualiteti, në hic e nunc. Kjo fjalë boshe brendashkruhet në regjistrin imagjinar, aty ku subjektit s’i ngelet veçse të zhduket prapa saj ndërkohë që ajo (fjala boshe) shkon përpara e vetme, pa rreshtur, pa një pikë qepje (point de capiton) ndalimi, në një rrëshqitje të pafundme në të cilën nuk merr dot asgjë me vete, as simptomën. Kjo përbën një reale per se. Këtu nuk ndeshim asnjë ndalesë të fugës së kuptimit dhe asnjë ngulitje që duhej të kryhej nëpërmjet metaforës e lidhur kjo ngushtësisht me dëshirën për të thënë me njëfarë shtyse të brendshme.

Për këtë arsye paradigma e ‘kovave të mbushura me fjalë boshe’ i referohet asaj me të cilën ndeshem në punën time, por dhe ne jetën e përditshme në shkëmbimet me punonjësit nëpër institucionet e ndryshme, shkollat, gjimnazet madje edhe në vetë jetën sociale. Me çfarë ndeshem?

Subjekti si i shpuar (S) dhe me një mungesë e lidhur kjo me vetë strukturën e tij, është krejtësisht i patolerueshëm e i padurueshëm nga individët të cilët rreken të përfundojnë me shpejtësi fjalitë e njëri-tjetrit, t’i plotësojnë ato, dinë me bindje të plotë se ç’do të thotë tjetri që në krye të thënies. Kjo më kujton operacionin e prerjes dhe të sharrimit që në rrënjë të gjuhës, aty ku subjekti do duhej të themelohet e të ngrihej në këmbë. Por cilësia më e rëndësishme e këtyre fjalëve boshe është boshatisja e tyre nga afekti dhe historia e subjektit, ndaj subjekti që qëndron pas tyre mbetet i ngurtësuar, i zbehur e thuajse i vanitur.

 E gjitha kjo në përpjekje për të kujtuar sadopak diç(gjë) nga një hiç(gjë) histori ? Ndoshta. Sepse në fund të fundit ato ishin të gjitha mbresa por aspak të zëvendësueshme si folësit e tyre, ndërkohë që më tregonin me gisht për nga humbëtira. A ka subjekt aty në këtë humbëtirë?

E pra kjo është çështja. Ka apo s’ka ?

 Lacan-i na thotë se subjekt nuk bëhesh, domethënë ose je ose nuk je. Nuk ka kapërcime nga njëra gjendje në tjetrën si të kaloje urën e të mbërrije në bregun tjetër. Tepër matematike kjo çështje. Për aq sa kam matematikë ndër vete rrekem të mbërthejë diçka nga kjo çështje, të cilën nuk e ngatërroj aspak me dilemën shekspiriane, e cila në fund të fundit mund të tirret pafundësisht pasi përbën një pyetje.

Dëshiroj ta sqaroj këtë qysh në fillim. Të mos biem në grackën transhendentale të tejkalimeve nga njëra gjendje në tjetrën. Nuk ka tejkalime. Nuk ka raport seksual, thotë Jacques Lacan. Si të thuash të paktën vetmia është e juaja (pra sigurisht e Tjetrit) ndërsa dëshira është gjithmonë e Tjetrit pra ndërtohet në rrafshin T, pasojë e nyjëtimit të gjuhës në nivelin e Tjetrit4.

Por kjo vetmi e lidhur ngushtë me subjektin, veti e brendshme e strukturës, mundëson edhe gjuhën e brendshme të subjektit i cili i flet Tjetrit për të mos i folur pa rreshtur tjetrit të vogël. Çështja shtrohet nëse kjo vetmi e subjektit mundet ‘të shpiket’, në formë bricolage nga piskanaliza e kombinuar & e nyjëtuar me njëfarë proçedure artistike – ku kjo e fundit operon tek realja ?

Miller na thotë :

Në fushën e ligjërimit, nuk ka dyshim se psikanaliza i merr fillesat e saj tek funksioni i të folurit, por ia referon atë shkrimit. Ka nje largësi ndërmjet të folurit dhe të shkruarit. Psikanaliza vepron pikërisht në këtë hapësirë dhe e shfrytëzon këtë dallim5′.

2. Shënjuesi dhe subjekti

« … çfarë e dallon shënjuesin nga shenja… është se shënjuesi është ajo çka përfaqëson subjektin te një shënjues tjetër, jo për një subjekt tjetër6… Subjekti farkëtohet nga një varg i caktuar nyjëtimesh që kanë ndodhur, dhe bie nga zinxhiri shënjues njëlloj sikurse bie fruti i pjekur nga dega7».

Subjekti në një përkufizim të ngushtë të termit është një efekt i shënjuesit në trup. Ç’ndodh kur ky efekt nuk është më i pranishëm apo i dukshëm ? A mungon subjekti ?

3. Angështia dhe ëndrra

 Në seminarin X, mbi angështinë, J. Lacan rrëfen një fabulë:

“Ricordo la favola, l’apologo, l’immagine divertente che davanti a voi avevo abbozzato. Indossando io stesso la maschera animale di cui riveste lo stregone della grotta dei Tre Fratelli, mi ero immaginato, in vostra presenza, di trovarmi di fronte a un altro animale,vero però, supposto per l’occasione di dimensioni gigantesche : una mantide religiosa. Dato che non sapevo quale fosse la maschera che portavo, potete facilmente immaginare che non mi sentivo affatto rassicurato di fronte all’evenienza che la mia maschera si prestasse a trarre in inganno la mia partner circa la mia identità. La cosa era accentuata dal fatto, che avevo aggiunto, che non vedevo la mia imagine nello specchio engimatico del globo oculare dell’insetto’.8

 Shpesh kjo fabulë më kujton situatën në të cilën ndodhem, përballë individëve të cilët nuk munden të pasqyrojnë kurrfarë imazhi të tjetrit e që në vend të saj bien ndesh me një reale të egër. Shpesh ndodhem në nivelin e kësaj fabule ballë për ballë me maska kafshësh.

Ëndrra si rrugë mbretërore drej të pavetëdijshmes, artikulon çështjen e shkronjës dhe të imazhit të pasqyruar në një sfond ankthi. Vërtet topologjike, mendova. Në rrëfimin e ëndrrës së artistes kemi një ekran ku shfaqet një fjalë e pakuptimtë me katër shkronja  m o r f , çdo shkronjë ka një formë të mirë përcaktuar dhe të dukshme. Nëpërmjet një lojë pasqyrash kjo fjalë ‘morf’ shndërrohet në ‘formë’ pasi ëndërruesja e rrëfen në tekstin e ëndrrës këtë fjalë (formë).

Ashtu si L. de Vinci i cili shkruante së prapthi (në shëmbëllim të drejtë ) për të ruajtur shpikjet e tij nga të tjerët duke i mbajtur të kodifikuara pra të pakuptimta në shikim të parë, ëndërruesja operon me një proçedurë përmbysëse tipike të punës onirike. Kjo punë artikulon mrekullisht çështjen e shkronjës e të imazhit të pasqyruar. Shënjuesi i kulluar e i pakuptimtë në vetvete morf vetëm falë proçedurës së përmbysjes në një lojë pasqyrimesh, arrin të nxjerr në pah anën e pasme të tij, form, të shënjuarin. Pika e qepjes (point de capiton) së shënjuesit e të shënjuarit ndodh në ekranin i cili luan rolin e pasqyrës në ëndërr dhe na ofron dy anët shënjuesin (S) dhe të shënjuarin (s) si në një fjongo Moebiane. Ata nuk mund të shkëputen nga njëri-tjetri përveçse në rastin e psikozës, ku subjekti nuk arrin dot t’i mbaj të lidhur  shënjuesin e të shënjuarin (S/s) por i përjeton si të ndarë. Fjalët (boshe) në këtë rast vërdallisen krejtësisht të lira e të shkëputura nga kuptimi dhe afekti. Ndaj ftohtësia psikotike është e asociuar shpesh dhe me një automatizëm të zinxhirit shënjues (p.sh. togfjalëshve të përdorur rishtazi si mbetje të gjuhës së hekurt).

Ëndrra nga ana tjetër vjen gjithmonë si kondensim i formës dhe fjalës e njëkohësisht është një vatër paradigmatike par excellence e së pavetëdijshmes. Trajta onirike ruan rreptësisht të fshehtat e saj si te L. de Vinci në një kërthizë të ëndrrës (l’ombilic du rêve)

4. Arti sot

Sipas Gerard Wajcman arti sot ka ndryshuar dhe nuk ka më si qëllim të harrojë vështirësitë e ekzistencës. Gjatë konferencës së tij të titulluar ‘Çdo gjë që bie9 ai thotë se kohët janë në rënie ashtu si rënia e murit të Berlinit, kullat binjake, crash-i bankar, krizat që përsëriten, rëniet e diktaturave e kështu me rradhë dhe bashkë me to bien edhe ëndrrat e kohëve moderne. Një lloj Titaniku i idealeve. Nëse më parë dyert e muzeumeve hapeshin drejt lartësive qiellore dhe arti funksiononte si një anti-depresiv kulturor, sot ai na zhyt mu në zemër të reales. Në vend që të na dëfrejë e shpërqendrojë nga kjo reale, arti e merr atë në shënjestër dhe na ndan njëkohësisht (nous divise au passage). Na jep të shohim atë që ne nuk duam të shohim ose atë që ne e shohim veçse në të qindtën e sekondës si një shkreptimë. T’i japë formë reales duket se është tashmë detyra e re e artit. Kështu ai bëhet një rival serioz i filozofisë. Kjo kthesë e artit bashkëkohor përmblidhet kështu :

veprat e artistëve të mëdhenj sot nuk janë më sublime, ato janë simptoma. Arti mendon duke shfaqur, duke e prekur realen.10 

Kështu në një lloj historie vertikale të kulturës e cila aspiron gjithmonë të ngjitet lart, arti na fton tashmë të zbresim. Përmbysja e perspektivës vepron edhe tek vlerat të cilat gjenden të kthyera nga ana e prapme, me kokë poshtë, të përmbysura. Pësohet kështu një farë zhvidhosje nga ëndrra tek realja, nga sublimja tek mbetjet, nga shpirti tek trupi, nga ligjërimi tek e folura e vrazhdë, nga lart-poshtë e kështu me rradhë.

Ëndrra e artistes shfaq në fund të saj edhe angështinë e lidhur kjo me ngjitjen lart (pra sigurisht me mundësinue e rënies poshtë) në kullën e xhamtë të Babelit. Por qëniet folëse jetojnë poshtë, nën të dhe ashtu si subjekti që bie, kemi një rikthim (nëpërmjet tuché-s) të tijin në habitusin e tij natyral, kështu kjo kullë mund të jetë vepra e fundit njerëzore, impromptu.

Jolka Nathanaili-Penotet

8 Nëntor 2013

———–

1Filologu Viktor Klemperer në librin e tij, ‘LTI, La langue du troisième Reich, carnets d’un philologue’, përmend konceptin e ngurtësimit fizik të paraqitur nga Hitleri tek Mein Kampf si pjesë e politikës së tij në fushën e edukimit ose edukimit fizik i cili zinte vendin kryesor. Hitleri kishte përzemër shprehjen ‘ngurtësim fizik‘. Për të formimi i karakterit ishte dytësor, ai formohej pikërisht atëherë kur trupi (fiziku) bëhet zot i edukimit dhe e ndrydh shpirtin. Në rangun e fundit të programit të tij pedagogjik do të gjejmë , edhe pse jo me dëshirë të zjarrtë, formimin e intelektit dhe ushqimet shpirtërore. Në disa kthesa që i ndërmerrte herë pas here shfaqet frika e njeriut që mendon dhe urrejtja ndaj mendimit.

2 Ka mjaft tabllo me piktura të realizmit socialist në G.K.A. që përfaqësonin ‘kalitjen’ të cilat duket se kanë tërhequr përfund edhe fjalën ‘kalitje’ pasi ajo ashtu sikurse dhe këto lloje pikturash nuk ekzistojnë më, janë zhdukur përveçse nëpër muzeume apo në dokumenta të shkruara përpara 90-tës.

3 Jacques Lacan, Il seminario III, Le psicosi, Torino, Einaudi, p. 296.

4 J. Lacan, Mësimet e mia, Onufri, 2012, f. 54.

5 Jacques Alain-Miller ‘Të lexosh një simptomëhttp://nyjelakim.net/read/?p=67

6 J. Lacan, op.cit., f.52.

7 Idem. f. 61-62.

8 J. Lacan, Il Seminario X, L’angoscia, Torino, Einaudi, p. 8.

9 G.Wajcman, ‘ Tout ce qui tombe’, konferencë e pabotuar, Muzeu i artit bashkëkohor ‘Palais de Tokyo’, Paris 2013.

10 Idem.

Gjysmëhapja

Gjysmëhapja

‘Ta prishim piramidën’ ! … Kundër prishjes së piramidës. !…Ta mbrojmë piramidën !

Po sikur ta ‘rehabilitojmë’… domethënë ta duam ?!

Më në fund…….Një emocion i madh më përshkoi të tërën tek ecja në pllakat e shkërrmoqura e të thyera nga gjysëm-errësira drejt një drite verbuese në hyrjen e saj qendrore. Megjithëse më binte drejt e në sy nuk ma trazoi aspak ndjenjën e përzier me tufa kujtimesh ngjyra-ngjyra të një kohe të ikur, të mitizuar e thuajse të përjetësuar. Kujtime të errëta e të hedhura tutje në skutat e pavetëdijes si të pajeta si vetë dyert e dritaret me xhama të thyer e të krisur që fare mirë mund të përbënin një ekspozitë mbi vandalizmin sigurisht të erotizuar të shqipëtarëve.

Arkitekti gjerman edhe pse artikulonte mu në qendër të saj përpara një ekrani high-tech, zëri i tij monoton prej akademiku në përputhje të plotë me seriozitetin solemn të ngjarjes (ta quajmë gjysmë-hapjes së piramidës) ma bënte edhe më të vështirë përqendrimin tek ligjërimi i tij. Në fakt krejt padashur ai lehtësoi së tepërmi përqendrimin tim të plotë rreth asaj (piramidës). U përpoqa vetëm dy herë ta dëgjoj këtë ligjërim megjithëse dëgjuesit e tjerë dukeshin se e kishin mbërthyer tjetrin në vëmendje të plotë (dhe kjo jo sepse të gjithë ishin arkitektë ), por e kisha të pamundur pasi hapësira e madhe e zbrazur rreth meje kumbonte megjithë forcën e heshtjes dhe të mungesës si zë që më thërriste pranë saj.

Ndonjëherë shpërqendrime të tilla, si rasti i arkitektit berlinez që rrekej të artikulonte fjalë rreth ‘saj’, shërbejnë dhe si filtra shkarkues emocionesh. Në mënyrë mbase të pavullnetshme kjo fjalë dyfish e huaj (berlinezi shprehej në anglisht por njëkohësisht i adresohej shqipëtarëve), monotone e me nota serioziteti mund të ketë ndihmuar ngapak në grumbullimin e emocionit rreth kësaj hapësire nga e cila u privuam ndër vite. Emocioni ishte i fortë deri kokëfortë e ia doli të më shkëputë pa lënë kohë për ndonjë pseudo-fajësim për ‘mospërfilljen’ spontane të leksionit mbi rehabilitimin e ngrehinave të tilla. Me një tjetër të ‘frymëzuar’ që më bëri një mini-guidë të shpejtë të hapësirës, brodhëm aq sa mundëm në karakatinën e mrekullueshme, thesarin e adoleshencës sonë. Hyrja tek kthinat e ish- disko studenti ishte edhe më errët seç kish qenë gjatë kohës së përdorimit të fund-viteve 90, ku gjysëm-ndriçimi i qëllimshëm që zbriste në kufijtë e territ i jepte gjithë sharmin fund-javave tona.

   Objektet e grumbulluara rrëmujshëm nëpër kthinat e saj më përngjanin me ndonjë ekspozitë bashkëkohore të ndonjë koleksionisti suedez që trajtonte temën e lodhjes së subjektit nga jeta e modernizuar. Por haluçinacioni i përftuar rrëzohej në çast sapo hidhje vështrimin drejt korridorit që të çonte tek ish-diskoteka, e cila ishte tanimë shndërruar në një tunel zhytur krejtësisht në terr.

E patëm ‘përdorur’ njëherë këtë hapësirë si skenë për një performim me mjete rrethanore të frymëzuar e mbështetur që në krye të herës nga zysh Moza (sigurisht e letërsisë dhe jo e fizikës termo-dinamike). Petroninsat në garë me gjimnaze të tjera të kryeqytetit kërcyen përpara një publiku ‘profesorësh’ të kapardisur nëpër kolltuqe në një ambjent qe s’kishte asnjë lidhje me ‘uljen’. Disa prej tyre se kishin pëlqyer shfaqjen dhe kjo ia rriti automatikisht vlerat performancës sonë. Përplasja e brezave thellohej edhe më shumë pasi na erdhën në vesh emërtimet si ‘të dehurit e vitit të tretë….ajo qe zhurmë e jo muzikë… Nine Inch Nails miksuar me Fear Factory-n i jepnin gjithë lezetin koreografisë së quajtur ‘Farmak’ e menduar enkas për të helmuar parinë e shkollës. Sa më i fortë efekti ndjellës tek ta aq më të realizuar ndiheshim ne. Kështu klithmat e M.Manson-it tek ‘The horrible people‘ i vunë kapakun dëfrimit tonë kur pamë sikletin në sytë e të kapardisurve nëpër kolltuqe që kishin ardhur të shikonin spektaklin e fund -vitit të nxënësve të dashur e të dalluar. …

E pra mjaftoi një vizitë nëpër piramidë për të hapur zhgjëndrën e kutisë së pandorës. Kujtoj se ironia është dhe se ‘farmaku’ ndodhi tamam si në këtë kohë të vitit, në fillim të muajit dhjetor, koinçidencë e këndshme që më kthen magjishëm në kohë. Piramida si një vend kult i brezit tonë mbart kujtimet më të bukur a e ato më të fshehurat. Si të ishte një muzë që të fryn në vesh fjalë e rrëfime mbi kohë e njerëz të së kaluarës më realë se ata të së tashmes.

Do dëshironim ta ‘përd ornim’ sërish ashtu siç lakonte folësi mbrëmë por pasi nuk arritëm dot ta mbrojmë nga sulmet e shqyerjet ndër vite kësaj here si me frikë e emocion njëherazi u mblodhëm aty si për ta parë dhe një herë përpara lëngatës së fundit të trupit të saj të lodhur tashmë nga stër-përdorimet e brendshme e të jashtme. Ndoshta më vonë ajo do veshë një tjetër petk me pllaka të reja të cilat do fshehin ato të vjetrat nën të që kumbojnë sa herë që i shkel si të ishin  madeleine e Proust-it.

Hyrja në piramidë – tabu e tejzgjatur – të shpresojmë do të përqafojë të vjetrën me po aq dashuri sa dhe të renë në kujtim të kohëve e atyre që s’janë më përveçse në hapësirën e psyche-s tonë.

Il sogno e il reale

Il sogno e il reale Pierre Naveau Il sogno Padre, non vedi che brucio? ha un posto a parte. Questo sogno, raccontato da una paziente, è citato da Freud all’inizio dell’ultimo capitolo della sua Traumdeutung. Quando Lacan prende in esame il sogno in questione, nel terzo capitolo del Seminario XI, indica fin da subito che esso gira attorno al legame che “unisce un padre al cadavere del figlio morto”. Dopo aver vegliato il proprio figlio, il padre si addormenta e sogna… Il sogno e il reale