Etiketa: Ta përmendësh koronavirusin me emër dhe t’ia shpjegosh fëmijës

Si t’u flasim fëmijëve për koronavirusin (COVID-19) ?

header family Nëse për prindërit, epidemia e koronavirusit (ose Covid-19) mund të sjellë shqetësime, pyetje dhe panik, të cilat përforcohen dhe nga pushtimi mediatik dhe përcjellja e vazhdueshme e informacioneve, nga ana tjetër edhe vetë fëmijët preken drejtpërsëdrejti nga këto dukuri.  A duhet t’u flasim fëmijëve për epideminë? Si t’ua shpjegojmë fëmijëve se çfarë po ndodh pa i tronditur ? Cilat fjalë të zgjedhim për t’i dhënë atyre sadopak siguri ?

Përse duhet t’u flasim fëmijëve për koronavirusin ?

Epidemia botërore e koronavirusit çon në vendime dhe masa të papreçedenta, ndër të tjera udhëzon qëndrimin në shtëpi, masa që nuk janë pa pasoja për të rriturit. Shqetësimit lidhur me virusin ardhur nga larg, i shtohet edhe ndjenja e pafuqisë, pasigurisë, pritjes ankthioze si dhe lista e shtrëngesave përballë vendimeve që u imponohen të gjithëve me qëllim kufizimin e shpërhapjes së shpejtë të kësaj epidemie. Përditshmëria është tërësisht e turbulluar dhe shoqërohet me një sërë pasojash siç janë ndërprerja e jetës së zakonshme, ndërprerja e detyruar e mësimit nëpër shkolla, shqetësimi për gjendjen ekonomike të rënduar për familjet e varfëra dhe çoroditja lidhur me ngujimin në banesa së bashku me fëmijët të cilët shpesh janë të paduruar. Fëmijët padyshim preken nga ky kontekst dhe jo vetëm sepse ritmi i tyre i jetës është ndërprerë por mbi të gjitha sepse ata përjetojnë shqetësimin e prindërve të tyre. Në këto kushte mund të duket tunduese të shmanget biseda me fëmijët lidhur me situatën, sidomos me fëmijët dhe me ata më të vegjëlit. Qarkullon ideja se ata janë “ tepër të vegjël për të kuptuar ”, “ kjo do t’i traumatizonte edhe më tepër ”. Ndërkohë ne sot dimë se sekreti dhe gënjeshtra sjellin pasoja realisht shkatërruese për fëmijët në momentin që ata do të arrijnë moshën ku do të mund të ndërgjegjësohen. Ndaj është thelbësore t’u flasim, duke ua përshtatur fjalët moshës së tyre.

T’ia përshtasim bisedën moshës së fëmijës

Në kohë krize, fëmija ka më tepër nevojë të ndihet i kuptuar, i mbrojtur dhe i sigurtë. Fëmijët, sidomos më të vegjëlit, nuk i kanë burimet e mjaftueshme në rrafshin mendor dhe afektiv për të kuptuar dhe për të njësuar mendërisht çdo gjë që përcillet përreth tyre. Ata tronditen më shumë nga reagimet e rrethit të tyre familjar sesa nga realiteti. Fëmijët që zotërojnë fjalën përgjithësisht pyesin shpesh, sepse janë të rrethuar nga mediat që flasin pa pushim ndërkohë që vënë re se njerëzit në rrugë kanë vënë maska. Ata pyesin “ ç’është ky koronavirusi ? ” “ pse njerëzit kanë maska ? ”, “ pse nuk mund të shkojmë tek lodrat ? ”, “ pse të mëdhenjtë kanë frikë ? ”, “ pse nuk mund të shkojmë në shkollë ? ”, etj. Përballë pyetjes së një fëmije, i rrituri duhet të kuptojë se ka gjithmonë një teori fëminore dhe se fëmija kërkon mbi të gjitha të dijë nëse teoria e tij është e saktë apo jo. Mënyra më e thjeshtë, përpara se t’i kthejmë përgjigje fëmijës, është ta pyesim atë se çfarë ka arritur të kuptojë, çfarë mendon për këtë gjendje ku ndodhet ai dhe të tjerët. Vetëm në sajë të përgjigjes së fëmijës, i rrituri do të mund të japë shpjegimin që  i përshtatet më shumë fëmijës. Nëse fëmija i thotë se nuk i kupton disa gjëra, i rrituri mund t’i thotë po ashtu se dhe ai nuk i kupton dot të gjitha vendimet, por që duhet t’i respektojnë vendimet edhe pse nuk jemi gjithmonë dakort me to (parim bazik i përcjelljes së respektit ndaj ligjit). Është e rëndësishme të flitet për doktorët, spitalet dhe të gjitha mjekimet që mund të ekzistojnë kur është e domosdoshme. Për foshnjet dhe fëmijët që nuk flasin ende por që i rrituri u flet, të rriturit mund t’u shpjegojnë duke përmendur se ata vetë janë të shqetësuar se vetë jeta ka ndryshuar sepse ka një “ virus të keq ” që shkon nga një person tek tjetri, por duke theksuar njëkohësisht se ata, prindërit do të qëndrojnë pranë fëmijës për ta mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të. Ndërkohë foshnja nuk kupton si fëmija më i madh, por kur të rriturit i flasin, nuk ka më sekrete mes tij dhe të rriturit, duke i krijuar kështu foshnjes mundësinë për të qenë i gatshëm në aspektin psikik. Fëmija ka absolutisht nevojë të dijë që i rrituri e kupton, se nuk e kanë braktisur dhe se po përkujdesemi për të. Duke folur me fëmijët, me fjalët e tyre, i rrituri rigjen disi mendimin e tij magjik fëminor dhe qetëson kështu vetë ankthin e tij.

 Ta përmendësh koronavirusin me emër dhe t’ia shpjegosh fëmijës

Është e rëndësishme të flasësh për virusin dhe ta përmendësh me emër, përndryshe përballë çdo sëmundje fëmija do të mendojë se bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Është e mundur të shpjegohet, në funksion të pyetjes së fëmijës, se koronavirusi është : shumë shumë i vogël dhe hyn tek njerëzit, nganjëherë nuk bën asgjë, nganjëherë na sëmur me grip dhe nganjëherë është shumë e rëndë sepse duhet të shkojmë në spital. Na duhet të bëjmë çdo gjë që të mos e lejojmë që të shkojë tek të gjithë dhe t’i sëmurë të gjithë.  Nëse fëmija përgjigjet duke u shprehur se ai e di se disa njerëz kanë vdekur, i rrituri mund t’i përgjigjet se kjo është e vërtetë, por që personat që kanë vdekur ishin të sëmurë më përpara ose ishin shumë të moshuar dhe se virusi ishte më i fortë se ata por që virusi nuk i merr jetën fëmijëve sepse të rriturit ndodhen afër tij për t’u kujdesur për të dhe nëse ndodh diçka ata menjëherë do të bëjnë çmos po ashtu edhe doktorët që janë shumë të fortë dhe kanë ilaçe ….  T’u transmetosh fëmijëve besimin tek mjekësia, solidariteti dhe vëmendja ndaj të tjerëve është një mësim thelbësor që mund t’u përcjellim fëmijëve dhe është edhe një pasojë pozitive e krizës aktuale. Një fytyrë e maskuar mund të jetë tmerruese për një fëmijë sepse nuk mund të mbështetet më tek referencat emocionale që bart zakonisht fytyra njerëzore për ta. Prandaj nevojitet t’u shpjegohet rëndësia e mbajtjes së maskës, qoftë edhe duke e shndërruar në një lojë (maskimi). I rrituri duhet t’i shpjegojë gjithashtu rëndësinë e larjes sa më mirë të duarve për të larguar viruset që janë në to dhe për të mos ia kaluar ato dikujt tjetër. Të gjitha këto shpjegime të thjeshta bëjnë që frika të shndërrohet në veprim dhe fëmija të mos përjetojë më pafuqinë që paralizon këdo.

T’i ruajmë fëmijët nga mediat 

Është e rëndësishme t’i ruajmë fëmijët nga media. Të shmangim ankthin që buron nga mediat duke i parë lajmet vetëm një herë në ditë sepse të jesh vazhdimisht në kontakt me aktualitetin ushqen vetë ankthin. Mos shikoni dhe mos dëgjoni asnjëherë lajmet kur fëmija është i pranishëm, cilado qoftë mosha e fëmijës edhe kur fëmija duket sikur po merret me diçka tjetër dhe nuk e ka mendjen. Fëmijët dëgjojnë çdo gjë por nuk e kanë ende aftësinë të analizojnë atë që dëgjojnë në kontekstin e duhur dhe nuk mendojnë gjithmonë t’ju kërkojnë shpjegime. Nëse nuk kuptojnë atë që thuhet dhe që shfaqet në ekran, shpesh ata kuptojnë shprehjen tuaj të fytyrës ndërkohë që ju po dëgjoni dhe po komentoni me njëri-tjetrin.

Qëndroni të qetë dhe informoni pa frikësuar 

Ideale do të ishte që të rriturit të qëndrojnë të qetë dhe kjo nganjëherë herë mund të jetë e vështirë për t’u arritur. Nuk bëhet fjalë këtu për të patur iluzionin se mund ta ndalojmë frikën. Frika nuk është negative në vetvete. Në disa raste mjafton të jemi të vetëdijshëm për të dhe të dimë ç’të bëjmë përballë saj.
  • Kërkojini fëmijës të flasë lidhur me atë që ka kuptuar;
  • Përdorni fjalë të thjeshta, një gjuhë që ai e kupton, duke shmangur kështu lënien e fëmijës pa shpjegime si dhe mësojini të mos i lërë emocionet e veta të pa analizuara dhe të pakuptueshme nga prindërit e tij;
  • Këmbëngulni tek domosdoshmëria për të respektuar masat e detyrueshme si dhe tek besimi që duhet të kemi tek ata që marrin vendimet si dhe punonjësit e shëndetësisë.
  logo - transparent

  ©Child & Family Unit Nyjelakim Njësia për fëmijën & Familjen Nyjelakim

Përditësuar me udhëzimet e fundit nga : Société Française de Pédiatrie; Protection Maternelle Infantile (PMI); INSERM