Adresa

Nga

Publikuar tek Artikuj, Prezantime/Reportazhe/Intervista me 22 August 2018

Adresa adresa Pyetjes se ç’dashkërka Lakani në shqip nuk mund t’i përgjigjesha menjëherë kur Ardian Vehbiu ma drejtoi. Atë kohë ëndërrimi për ta sjellë në shqip u mpleks me tekstet e Vehbiut në peizazhe të fjalës. Një nga shtysat e para ishte prania e druajtjes dhe të një lloj ankthi që sjell teksti i Lakanit, element që e vura re menjëherë tek Vehbiu. Nëse teksti nuk e tut lexuesin (çdo përkthyes është fillimisht dhe lexues) nuk do t’i isha afruar aspak kësaj folie à deux.  Sfida ishte të mos shndërrohej ëndrra në makth dhe të na ulej këmbëkryq angështia… Pse në shqip? Sigurisht mund të vazhdoja ta lexoja e ta lexonim në gjuhë të ndryshme këtë autor dhe të vijoja diskutimet për psikanalizën vetëm me të huajt por ja që dëshira më riktheu tek shqipja dhe më riktheu literalisht në vendlindje. Dikur i pata thënë Elsës (Demo) e cila më pyeti menjëherë për arsyet e mia (si çdo subjekt me ndopak gravitet që ngre pyetjen përse dikush ndërmerr të bëjë diçka dhe nuk ia nënkupton d.m.th. tret arsyen që në zanafillë) pas shpjegimit që psikanaliza dhe teksti i Lakanit nuk mund të përhapet veçse si farë kosi dhe se arsyeja e nismës lidhej me mungesën e diskutimeve me kolegëve shqipëtarë që më çonte në një vetmi pakrye. Nëse nuk do flisnim për psikanalizën në shqip nuk kisha asnjë arsye për të jetuar (dhe punuar) në këtë vend. Nuk kisha zgjedhur profesionin por vështirësinë që herët. Ishte vështirësia e tekstit të Lakanit që i rezistoi të gjitha dijeve universitare pasi bëra udhëtimet e mia relativisht te gjata të cilat përfundonin shpesh në ‘prakticitete’ absurde që tjetërsonin vetë përmasën njerëzore. Psikanaliza lakaniane ishte e vetmja fushë që përmasën njerëzore e ruante si një perëndi dhe nuk ia përçudnonte identitetin si të ishte një android algoritmik. Në vitin e parë të studimeve një profesoreshë ‘ortodokse frojdiane’ gati sa s’lëshoi tym nga sytë kur një student e pyeti rreth Lakanit….hera e parë që i dëgjova emrin dhe déjà kishte shpërthyer një vullkan. Vrapova në bibliotekë ta kërkoja dhe s’iu ndava më. U desh çensura për një vajzë që kish njohur sadopak të ndaluarën nën regjimin totalitar që të njihesha me këtë autor.   Nuk e di pse ndjej përgjegjësinë të shkruaj pikërisht tani se vështirësia per se është tërheqëse dhe habitem se pse nuk është ‘në modë’ kjo gjë. Atëherë ç’është të biesh në dashuri? Një like në foton e instagramit? Hmm…uroj që jo përndryshe habitem me ç’lloj ndjenje jetokërkan ata njerëz që zgjedhin lehtësinë si fjalëkyçe për orientimet e dëshirave. Nëse një nga përgjigjet për dashurinë ndaj tjetrit është ‘bukuria’ versus ‘konsumimi i saj’ atëhere nuk flasim të njëjtën gjuhë sepse ngecja në terma të oralitetit (të kesh apo të mos kesh) ndjek një tjetër tren që s’ka lidhje me dëshirën e subjektit.   Cilin tjetër duam ? Dikush që na jep përgjigje? Lakani nuk më dha përgjigje, të paktën nuk i  lexoj dot si të tilla. Për vite me rradhë nuk kuptoja pjesën më të madhe të asaj çfarë shkruante, disi më ndryshe kur dëgjoja regjistrimet e tij në bibliotekën Beaubourg. Çdo herë dilja me një hutim e shkundje sikur të kisha biseduar me një të dashur. Sigurisht dashurinë secili e përjeton në formën e tij si një mpleksje e përmbysje mesazhesh që personat i drejtojnë vetvetes. Lakan thoshte të duash është të japësh atë që nuk ke.   Si mund t’ja thosha se çfarë më shtynte mua për të sjellë Lakanin në shqip ta zëmë ‘pronarit’ të shtëpisë botuese i cili më sqaronte se sa pak lexues ka Lakani dhe megjithëse vijuam një debat statistikor se pse publikohej një libër, kush është lexuesi i tij, si krijohej kërkesa (pata fatin të dëgjoja sërish leksione marksiste-leniniste në këtë pikë) dhe pse ai i binte gozhdës se libri nuk do shitej libri u botua për fat pa praninë e ‘pronarit’ ditën e publikimit, praktikë kjo e rëndomtë thua çdo botues është detyrimisht dhe njohës i autorit sidomos në Shqipëri. Libri i mbështetur nga ambasada franceze për përkthimin dhe i frenuar radikalisht nga vetë vajza e Lakanit, Judith Miller në çmimin e vendosur nëpër librari, sërish njohu një kalvar të vërtetë me shtëpitë botuese edhe pse i ‘zgjodha’ me kriterin që të paktën ata të kishin lexuar Frojdin. Nuk them se vetëm kam vuajtur thellë thellë janë aventurat që më shënjojnë dhe më bënë të rikthehem në këtë vend absurd qoftë dhe vetëm për ti treguar këto ngjarje si të tilla e për të qeshur ndopak. Kur kryeredaktorja e re në moshë e Onufrit korrigjoi pa një pa dy disa fjalë ‘turpi’ në tekst dhe sigurisht pa na lajmëruar aspak, ndërhyrjet à la sauvage do më kishin shpëtuar nëse obsesioni i tekstit do kishte bërë pak pushim atë ditë. Rivendosja e fjalëve u bë debat i ashpër thua po shanim vetë ‘korrigjuesen’ me ato fjalë. Gjithsesi Onufri u tregua më pak ‘intelektual’ se të tjerët dhe jo aq rëndë sa niveli i kioskës që botoi Frojdin fill pas 90-tës duke tundur si flamur konceptin e seksuales të përkthyer thjesht e shkoqur ‘seks’ e që na ndjek e sot e kësaj dite sa herë dëgjohet emri ‘Frojd’. Thua po kaloje në vitrinat e ‘Moulin Rouge’ për herë të parë në jetën tënde dhe po joshje klientët potencialë postotalitarë.   Ç’do Lakan në shqip ? Dashuria për të egrën, realen mund t’i afroheshin në horizont pyetjes që është më e vërtetë nëse do të formulohej thjesht “përse Lakani?”.   Ngelej vetëm të joshnim përkthyesin i cili nuk iu druajt në fund kësaj aventure dhe pse mund të quhet marrëzi sidomos kur ja propozon dhe të tjerëve dhe jo vetëm vetes një të tillë. Ndaj përkthyesi ishte adresa e parë; koordinatat e para i drejtoheshin atij si linguist shqipëtar (post-totalitar) dhe jo francez. Sfida ishte rreziku më i bukur i realizuar ndonjëherë, pasi rreziku është një tipar që ia njoh vetes që në fëmijëri dhe gjithsecili që i afrohet Lakan do t’i interesonte ta sqaronte këtë element fillimisht me veten. Sfidë ishte dhe për arsyen se dhuna ndaj të ngjashmit ishte befasuese në fillim të nisjes së seminareve të psikanalizës në Tiranë ku çdo pjesëmarrës ishte një korigjues potencial i çdo fjale në shqip që mund të nxirrje nga goja. Ndërkohë që ishte tërësisht e përmbysur situata kur kolegu i huaj fliste, dalëngadalë ai ngjitej në një fron perandorak ku çdo fjalë e tij pasohej nga një heshtje mortore dhe s’guxonte kush të fliste mbas tij dhe me të drejtë kolegët shqetësoheshin për këtë efekt hipnotizues të fjalës së tyre…(dhe këto janë problematika të rendit imagjinar që kanë zënë rrënjë në gjuhën tonën dhe jo të tjetrit që prej kohës së totalitarizmit dhe ligjërimit të mjeshtrit) Teksti i Lakanit nuk mund të lexohet vetëm në dhomë se çmendesh, më pati thënë një ditë Sergio Carretto, i cili përjetoi disa nga këto aventurat shqipëtare me një buzëqeshje të lehtë! Lakan nuk është një poezi, nuk është siç dihet as ndonjë filozofi e mjaftueshme të përthithet nga lexuesi e të aplikohet pa teklif mbarë e prapë në politikën e ditës, në gjeopolitikë, në pazar, në panelet llamburitëse të zonave aspak të lira apo të opinionistëve që mprehin tehun e ulëritjes të stonuar e habitem si nuk turpërohen ose të paktën ti lejojnë vetes të mësojnë nga më të zotët në këtë art (ah gjigandi Mike Patton mund të ishte frymëzuar për ndonjë performancë!!!). Njëfarësoj ndodh herë pas here edhe me Zizek p.sh. kur fjala gjendet e zhvleftësuar aq shumë sa e gjen më së shumti në trajtën e saj imagjinare (sikurse ndodh kur vjen e shkruar në facebook pra përbri imazheve, simotrave të saj) pra fjala gjendet e dalë tërësisht nga regjistri simbolik (traditë e ngjizur nga gjuha e drunjtë më së shumti në mpleksje me mekanizmat e diskursit kapitalist) Lexuesit (dhe sidomos dëgjuesit) të Lakanit përveçse i thellohet vrima e hapur nga gjuha, nuk e humbet dot kollaj përgjegjësinë e shkronjës, fjalës, frazës vetëm nëse përpjekja e qëllimishme në drejtimin e kundërt është synim në vetvete, por këto janë çështje të një diskutimi psikopatologjik ose të strukturës klinike. Ndaj Lakani mu duk absolutisht i rekomanduar për kontekstin tonë postotalitar ku gjuha s’është më as një halë peshku që mund të të ngecë në fyt. Sot pasojat e gjuhës në trup janë disi më të pranueshme edhe për arsye të distancës kohore nga mpirja totalitare. Ngelet të qëndisim vrimën e hapur tek subjekti nga kjo gjuhë e cila duhet të rimendohet tërësisht në kontekstin tonë shqiptar si në përdorimin që i bëjmë por më së shumti kujt ia drejtojmë. Një gjuhë pa adresë është fatkeqësisht vetëm njëfarë nyje në fyt, një nature morte !

Leave a Reply