Kategori: Zâ

Kronikë ëndrrash të paralajmëruara

chavanne Ëndrra, Puvis de Chavanne

“… dhe pastaj, janë ca ëndrra që e bëjnë më keq gjithë këtë që jam duke kaluar”, – më thotë zëri i pacientit në telefon. Në këtë kohë kufizimesh, kjo është mënyra që bashkëbiseduesi im ka gjetur për të punuar mbi gjërat që e mundojnë, duke më vënë në anën tjetër të lidhjes telefonike.  Është ora 18 e mbrëmjes. Covid-19 ka ditë që ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rrugët janë të shkreta dhe qyteti ngjan me një skenë filmi horror, duket sikur jeta e ka braktisur. Qepenat e dyqaneve janë të gjitha të ulura dhe kafenetë të zbrazura, megjithëse në tarracat e tyre tavolinat kanë mbetur në vendet e  zakonshme, të mëparshme, sikur në pritje të okupohen, të mbajnë sipër gotat dhe filxhanët e zakonshëm, të ndiejnë duar tu mbështeten sipër, ujë, tu derdhet aksidentalisht.  Ora po shkon 22 dhe nata ka mbuluar qytetin. Asgjë nuk e prish qetësinë e saj, me përjashtim të ca dritave reklamash të mekura që pulsojnë pa tërhequr më vëmendjen e askujt. Në televizione ka ca që ka filluar numërimi. Është ora e zërave dramatikë në çdo kanal televiziv. “Më shani mua”, – në ekran, kryeministri, me përulësi propozon zgjidhjen e tij të vetme për angështinë që ka pushtuar njerëzinë.  Mesnatë. Tani është ora e pagjumësisë, ora kur trupat, të lodhur nga pasiviteti i ditës, fillojnë rrotullimet, përpjekjet, mundimet dhe stërmundimet për të harruar, të paktën për disa orë, makthin nga i cili nuk po munden të zgjohen. Në këto thërrime harrimi fillojnë, në mënyrë të parashikueshme, të thuren copëza ëndrrash nga më të ndryshmet, nga më të guximshmet, nga më të çmendurat, boll të jenë ëndrra! Nga ato që plotësojnë vetëm një nevojë, nevojën për gjumë. Ora 5 e mëngjesit. Heshtjen e thyen ndezja e motorit të një automjeti, pastaj edhe një tjetër automjet ndizet në garazhin që gjendet poshtë apartamentit tim. Paskam lënë dritaren hapur! E sapozgjuar, nuk po kuptoj më se çfarë po ndodh. Zgjohem për të vazhduar ëndërrimin, atë të të gjithë qytetit. Nga ëndrra në zhgjëndërr! Ja një fjalë e thesarit të shqipes që më tërheq veçanërisht, një fjalë që rreket të bëjë kuptimin e saj midis ëndrrës, gjëndrës dhe kundër-ëndrrës (zh-ja është një parashtesë e shqipes që përdoret shpesh për krijimin e antonimeve).  Më kujtohet atëherë një fjali nga Seminari i XXV-të i Jacques Lacan, një fjali që u komentua shumë vitin e kaluar, në Torino, gjatë një konference psikanalize: …”nuk ëndërrojmë vetëm kur flejmë.” Njerëzit fillojnë të dalin në rrugë me motivin më absurd në një orë kaq të hershme mëngjesi: të bëjnë pazarin! Mezi kanë pritur të përdorin autorizimin e vetëm të ditës për të dalë nga shtëpia. Dhe sa më parë aq më mirë, në dyqane nuk gjejnë atë rradhën e tmerrshme që ndonjëherë i vjen rrotull pallatit ku gjendet dyqani, shitësit janë më të qetë (ndoshta sepse nuk iu ka dalë mirë gjumi), ajri është më i pastër¿, virusi fle ende ndoshta? Dhe dita vazhdon njëlloj, me një këmbëngulje repetitive që nuk rregullon asnjë parim kënaqësie! Tiranë, 6 maj 2020 ______ 1. Eric Laurent, Le Réveil du rêve ou l’esp d’un rev, texte d’orientation du XIIème Congress de la AMP, Janvier 2019,https://congresoamp2020.com/fr/articulos.php?sec=el-tema&sub=textos-de-orientacion&file=el-tema/textos-de-orientacion/19-09-11_el-despertar-del-sueno-o-el-esp-de-un-sue.html.

Udhëtim në botën e … fjalëve

Eva Filaj I vura këtë titull shkrimit tim duke u nisur nga një bisedë mbi fjalën, me kolegë të një grupi leximi psikanalize, ku Rr.Sh. ndau me ne idenë e tij mbi të pavetëdijshmen, e ngjashme me zbritjen rrokopujë të Lizës në botën e çudirave. Këtë titull, edhe sepse fjala ka një funksion vital për qëniet që ne jemi, të lidhura pas fjalëve, të mbështjella prej tyre, të banuara prej tyre. Sepse fjala ka një lidhje kapitale me psikanalizën. Kështu ka qënë gjithmonë, që në fillimet e saj, mjafton të kujtojmë rregullin themelor të një kure psikanalitike. (more…)

Reale

… reale… Ju ka qëlluar që të shihni ndonjë sekuencë nga flimat e fillimit të kinemasë, të tipit vëllezërit Lumière 1895, ku nën tingujt e një pianoje që kumbon deri diku hareshëm, një kovaç rreh hekurin me sa fuqi që ka? Duket absurde! Një mbrëmje isha ulur diku pranë një dritareje dhe vështroja kalimtarët në rrugë, duke interpretuar lëvizjet e tyre dhe duke imagjinuar pak histori mbi secilin, ndërsa dëgjoja muzikë, nga ajo që mua më pëlqen, dhe në një fraksion sekonde u gjenda në këtë lloj absurdi. Nuk kishte lidhje të mundshme midis meje dhe kalimtarëve, midis meje dhe lëvizjeve të tyre që kishin pa dyshim kuptimin që kyçej brenda tyre, por që ishte i papenetrueshm dhe që nuk mund të mbërrinte deri tek unë. Muzika më shkëpuste totalisht ndaj çdo lloj kuptimi apo koherence dhe më linte bosh, më bënte një vrimë të thellë. (more…)

I Huaji

I Huaji  Në 24 Shkurt 2018 u mbajt në Romë Forumi Europian i Psikanalizës me temën “I Huaji”, një temë e cila bëri bashkë psikanalizën dhe politikën, në një kohë kur lëvizjet migratore drejt Europës trazojnë çdo ditë ujërat, që edhe para kësaj, nuk kanë qenë kaq të qeta. Kur them politikën, nuk dua të them aspak politikanët (të cilët mblidhen në të tjera forume), por dua të them fjalërimin politik, si një fjalërim në lidhje me shoqërinë e organizuar. Kjo tematikë mbi të huajin më prek shumë, ashtu siç besoj se prek shumë shqiptarë. I huaj, për ne shqiptarët, është një fjalë që ka gëzuar mahnitjen e atyre viteve kur çdo gjë e huaj ishte e lakmuar, kaq e lakmuar sa sapo na u dha rasti, vrapuam në anën tjetër të detit, në anën tjetër të botës, për të zënë vëndin e të huajit, të atij që ishte jashtë, duke rrezikuar jo pak. Ky vrap ndihet sot në gjithë Europën, edhe më gjerë. Janë njerëz që vrapojnë ti ikin mizerjes, luftës, shkatërrimit, vdekjes dhe për të cilët, dera, është rallëherë e hapur. (more…)

Jazz dhe psikanalizë

Eva Filaj voix

Jazz dhe psikanalizë

Para pak kohësh, isha në Paris në një kongres psikanalize organizuar nga Shkolla Lakaniane e Psikanalizës. Në një nga mbrëmjet që kaluam atje, bashkë me një kolege, ndoqëm një koncert jazz. Jazz është një nga pëlqimet e mia të kahershme dhe koncerti, për të disatën herë, nuk më zhgënjeu, përkundrazi. Solisti që performonte në skenë, Dwight Trible, kishte një mënyrë shumë të veçantë interpretimi. Në një lojë të vazhdueshme me zërin e tij, ai e kulmonte atë në kufijtë e një klithme për ta ulur më pas ndjeshëm, deri në fikje. Dukej se, mënyra që kishte zgjedhur për të interpretuar, përçonte mesazhe të kodifikuara, që rrihnin përtej muzikës. E përkryer! Isha përfundimisht nën sharmin e kësaj loje. Në një moment gjatë mbrëmjes, ndërsa ishim duke admiruar performancën e artistit në këtë kafe-restorant parizien, me zë të ulët, i them koleges sime se “për mua, jazz dhe psikanaliza janë njëlloj, po aq pasionues”. Krejtësisht e qartë për vendin e secilës prej të dyjave në jetën time, më surprizoi associmi që bëra. (more…)