Autor: Eva Filaj

Kronikë ëndrrash të paralajmëruara

chavanne Ëndrra, Puvis de Chavanne

“… dhe pastaj, janë ca ëndrra që e bëjnë më keq gjithë këtë që jam duke kaluar”, – më thotë zëri i pacientit në telefon. Në këtë kohë kufizimesh, kjo është mënyra që bashkëbiseduesi im ka gjetur për të punuar mbi gjërat që e mundojnë, duke më vënë në anën tjetër të lidhjes telefonike.  Është ora 18 e mbrëmjes. Covid-19 ka ditë që ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rrugët janë të shkreta dhe qyteti ngjan me një skenë filmi horror, duket sikur jeta e ka braktisur. Qepenat e dyqaneve janë të gjitha të ulura dhe kafenetë të zbrazura, megjithëse në tarracat e tyre tavolinat kanë mbetur në vendet e  zakonshme, të mëparshme, sikur në pritje të okupohen, të mbajnë sipër gotat dhe filxhanët e zakonshëm, të ndiejnë duar tu mbështeten sipër, ujë, tu derdhet aksidentalisht.  Ora po shkon 22 dhe nata ka mbuluar qytetin. Asgjë nuk e prish qetësinë e saj, me përjashtim të ca dritave reklamash të mekura që pulsojnë pa tërhequr më vëmendjen e askujt. Në televizione ka ca që ka filluar numërimi. Është ora e zërave dramatikë në çdo kanal televiziv. “Më shani mua”, – në ekran, kryeministri, me përulësi propozon zgjidhjen e tij të vetme për angështinë që ka pushtuar njerëzinë.  Mesnatë. Tani është ora e pagjumësisë, ora kur trupat, të lodhur nga pasiviteti i ditës, fillojnë rrotullimet, përpjekjet, mundimet dhe stërmundimet për të harruar, të paktën për disa orë, makthin nga i cili nuk po munden të zgjohen. Në këto thërrime harrimi fillojnë, në mënyrë të parashikueshme, të thuren copëza ëndrrash nga më të ndryshmet, nga më të guximshmet, nga më të çmendurat, boll të jenë ëndrra! Nga ato që plotësojnë vetëm një nevojë, nevojën për gjumë. Ora 5 e mëngjesit. Heshtjen e thyen ndezja e motorit të një automjeti, pastaj edhe një tjetër automjet ndizet në garazhin që gjendet poshtë apartamentit tim. Paskam lënë dritaren hapur! E sapozgjuar, nuk po kuptoj më se çfarë po ndodh. Zgjohem për të vazhduar ëndërrimin, atë të të gjithë qytetit. Nga ëndrra në zhgjëndërr! Ja një fjalë e thesarit të shqipes që më tërheq veçanërisht, një fjalë që rreket të bëjë kuptimin e saj midis ëndrrës, gjëndrës dhe kundër-ëndrrës (zh-ja është një parashtesë e shqipes që përdoret shpesh për krijimin e antonimeve).  Më kujtohet atëherë një fjali nga Seminari i XXV-të i Jacques Lacan, një fjali që u komentua shumë vitin e kaluar, në Torino, gjatë një konference psikanalize: …”nuk ëndërrojmë vetëm kur flejmë.” Njerëzit fillojnë të dalin në rrugë me motivin më absurd në një orë kaq të hershme mëngjesi: të bëjnë pazarin! Mezi kanë pritur të përdorin autorizimin e vetëm të ditës për të dalë nga shtëpia. Dhe sa më parë aq më mirë, në dyqane nuk gjejnë atë rradhën e tmerrshme që ndonjëherë i vjen rrotull pallatit ku gjendet dyqani, shitësit janë më të qetë (ndoshta sepse nuk iu ka dalë mirë gjumi), ajri është më i pastër¿, virusi fle ende ndoshta? Dhe dita vazhdon njëlloj, me një këmbëngulje repetitive që nuk rregullon asnjë parim kënaqësie! Tiranë, 6 maj 2020 ______ 1. Eric Laurent, Le Réveil du rêve ou l’esp d’un rev, texte d’orientation du XIIème Congress de la AMP, Janvier 2019,https://congresoamp2020.com/fr/articulos.php?sec=el-tema&sub=textos-de-orientacion&file=el-tema/textos-de-orientacion/19-09-11_el-despertar-del-sueno-o-el-esp-de-un-sue.html.

Udhëtim në botën e … fjalëve

Eva Filaj I vura këtë titull shkrimit tim duke u nisur nga një bisedë mbi fjalën, me kolegë të një grupi leximi psikanalize, ku Rr.Sh. ndau me ne idenë e tij mbi të pavetëdijshmen, e ngjashme me zbritjen rrokopujë të Lizës në botën e çudirave. Këtë titull, edhe sepse fjala ka një funksion vital për qëniet që ne jemi, të lidhura pas fjalëve, të mbështjella prej tyre, të banuara prej tyre. Sepse fjala ka një lidhje kapitale me psikanalizën. Kështu ka qënë gjithmonë, që në fillimet e saj, mjafton të kujtojmë rregullin themelor të një kure psikanalitike. (more…)

Bisedë rreth filmit “Në qiell të hapur”, me Ardiola Bodinakun

Bisedë me Ardiola Bodinakun, psikologe pranë Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët” në Tiranë. affiche (1)E.F. – Me rastin e ditës ndërkombëtare të shëndetit mendor, në 10 tetor 2018, Rrethi Lakanian Shqiptar bëri të mundur, për të dytën herë, shfaqjen e filmit “Në qiell të hapur” me regji të Mariana Otero. Është një film i realizuar në Qendrën “Le Courtil”, një institucion për fëmijë dhe adoleshentë me çrregullime mendore. Ardiola, ti e ke parë këtë film të dyja herët, në Bibliotekën Kombëtare dhe në Spitalin Psikiatrik në Vlorë? A.B. – Po, fimin “Në qiell të hapur” e pashë për herë të parë në 11 Maj në Biblotekën Kombëtare, ku ishte takimi dhe prezantimi im i parë me Rrethin Lakanian dhe anëtarët e grupit. Si në çdo takim të parë, isha skeptike për atë që pashë, për ata që njoha, apo për pritshmëritë që mund të kisha nga ky takim. Ndërsa hera e dytë siç e thatë dhe ju, ishte data 10 Tetor, me rastin e ditës ndërkombëtare të shëndetit mendor në Spitalin Psikiatrik të Vlorës dhe e them me bindje që ishte diçka tjetër për mua.   E.F. – Në bisedën që zhvilluam pas shfaqjes së filmit, ti the që pasi e pe për herë të parë këtë film, nuk munde të bëje asnjë pyetje. Mund të na shpjegosh pse ky film të la të heshtur? (more…)