I Huaji

Nga

Publikuar tek Tekste, me 30 April 2018

I Huaji  Në 24 Shkurt 2018 u mbajt në Romë Forumi Europian i Psikanalizës me temën “I Huaji”, një temë e cila bëri bashkë psikanalizën dhe politikën, në një kohë kur lëvizjet migratore drejt Europës trazojnë çdo ditë ujërat, që edhe para kësaj, nuk kanë qenë kaq të qeta. Kur them politikën, nuk dua të them aspak politikanët (të cilët mblidhen në të tjera forume), por dua të them fjalërimin politik, si një fjalërim në lidhje me shoqërinë e organizuar. Kjo tematikë mbi të huajin më prek shumë, ashtu siç besoj se prek shumë shqiptarë. I huaj, për ne shqiptarët, është një fjalë që ka gëzuar mahnitjen e atyre viteve kur çdo gjë e huaj ishte e lakmuar, kaq e lakmuar sa sapo na u dha rasti, vrapuam në anën tjetër të detit, në anën tjetër të botës, për të zënë vëndin e të huajit, të atij që ishte jashtë, duke rrezikuar jo pak. Ky vrap ndihet sot në gjithë Europën, edhe më gjerë. Janë njerëz që vrapojnë ti ikin mizerjes, luftës, shkatërrimit, vdekjes dhe për të cilët, dera, është rallëherë e hapur.   U habita kur hapa fjalorin dhe nuk gjeta atë përkufizimin neutral, gati-gati poetik që ne i kemi dhënë kësaj fjale. I huaj, për fjalorët është një fjalë me të cilën i referohemi diçkaje që nuk ka të bëjë me ne, ka një përkatësi të ndryshme nga ajo e jona, vjen nga një bark tjetër nga ai i yni, nga një vend tjetër, nga një kulturë tjetër. Një i huaj përkufizohet si një i panjohur, dikush larg nesh, larg ideve, pikëpamjeve dhe mendimeve tona, madje kur themi i huaj kuptojmë gjithashtu i ftohtë, pa lidhje afekti me ne. Në psikanalizë në fakt, i huaji nuk na është dhe aq i huaj. Kemi mundësinë ta ndeshim atë pak kohë pasi kemi zënë vend në divan. Por më parë le të kujtojmë ç’ishte i huaji për psikanalizën frojdiane, në fillimet e saj. Jemi në hapat e para të Freud, me topikën e tij të parë dhe aparatin psikik të ndarë në instancat e të pavetëdijshmes, të paravetëdijshmes dhe të vetëdijshmes. I huaji, në atë kohë për Freud, nuk ishte tjetër veçse simptoma. Si mjek që ishte, Freud, e konsideronte simptomën si një trup të huaj (1) i cili duhej hequr. Më pas, në kuadrin e eksperiencave të tij me gratë histerike, Freud vuri re që simptoma ishte gjithmonë e pranishme, edhe pas risjelljes së kujtimeve traumatike dhe integrimit të tyre në të vetëdijshme. Në artikullin e tij, në 1919, Das Unheimliche (2) (E frikshmja), Freud konstaton që uni (pjesë e topikës së dytë të tij me mbiunin dhe idin) nuk është zot në shtëpinë e tij(3), dhe që proceset psikike janë në vetvete të pavetëdijshme. Ai përshkruan këtë ndjesi të çuditshme që gjithkush ka mundur ta përballë, kur diçka e tejkalon subjektin, diçka e huaj që vjen nga Tjetri, absolutisht e panjohur, deri në atë pikë sa bëhet tmerruese për subjektin. Pas kësaj, dhe pas formulimit të një koncepti tjetër kyç, atij të narcisizmit (4), Freud fillon ta konsiderojë ndryshe simptomën dhe punën psikanalitike. Nuk bëhet më fjalë të nxjerrim jashtë këtë trup të huaj, por të njohim këtë të huaj që është pjesë e jona, këtë të huaj që jam unë, sado frikësuese të na duket kjo. Kjo ishte për sa i përket fillimeve të psikanalizës. I huaji si objekt i të pavetëdijshmes, mbetet po aq i huaj, edhe pas ca kohësh kaluar në divanin për të cilin folëm pak më parë, pavarësisht ndonjë çarjeje të rrufeshme që na ndodh herë pas here duke na surprizuar (surpriza është më e pakta që mund të thuhet). Ndërkohë psikanaliza vazhdon të bëjë rrugën e saj dhe fjalërimi ka ndryshuar. Në 17 korrik 1949, në Kongresin Ndërkombëtar të Psikanalizës në Zyrih, Jacques Lacan rimerr konceptin e stadit të pasqyrës, të cilin ai e kishte prezantuar 13 vjet më parë. Për Lacan, ky stad ka të bëjë me formimin e unit, tek femija 6-18 muaj. Fëmija deri në këtë moshë ka një ide mjaft konfuze lidhur me trupin e tij. Ai nuk sheh veçse copëza të këtij trupi dhe kjo është një përvojë angështuese për të. Momenti kur fëmija arrin të integrojë imazhin e trupit të tij si një i tërë shoqërohet me një ngazëllim të fëmijës edhe pse ai nuk mundet ende ta zotërojë këtë trup. Ky identifikim i tij kalon nëpërmjet të ngjashmit (le semblable) të cilin Lacan e quan tjetri i vogël. Në seminarin II në 25 maj 1955 (5), Lacan shpjegon pikërisht konceptin e tjetrit (t) dhe flet për diferencën midis tij dhe Tjetrit të madh (T). Ai thekson se t është uni, apo më saktësisht imazhi i tij, me të cilin uni mban “një raport të pasqyruar”. Mbi këtë diferencë, Lacan vijon duke thënë se: “ju kam treguar disa herë se deri në ç’pikë është thelbësore dhe burim i gjithë lloj ambiguitetesh gjatë analizës. Duhet të dini se ka dy “tjetër” për tu dalluar, të paktën dy: një Tjetër (Autre)(6) me T të madhe dhe një tjetër me t të vogël, që është uni. Dhe sa për Tjetrin, për të flasim kur bëhet fjalë për funksionin e fjalës”. Lacan flet për këtë Tjetër të madh si për një tjetër autentik, të shkëputur nga uni, madje të idealizuar. Lacan flet për Tjetrin si për një vend ku shpaloset fjala dhe ku ndërtohet “Uni” që flet, në raport me atë që e dëgjon. Ai e ilustron këtë me shembullin e dikujt që duke i thënë një gruaje “Ti je gruaja ime!”, e vendos veten në pozicionin e bashkëshortit të kësaj të fundit (7). E parë në këtë mënyrë, në një pikëvështrim psikanalitik, kufijtë midis nesh dhe tjetrit apo të huajit,  janë të butë, të komplikuar, mbartin rrezikun e të cekurit, e të prekurit, e të ndeshurit dhe ndonjëherë të të shkelurit, e për këtë arsye më duken kaq aktualë.     P.S. Një falenderim të sinqertë dhe shumë të ndjerë për piktorin Agim Sulaj, që më lejoi të ilustroj shkrimin tim me bujarinë dhe lehtësinë e një artisti.   Eva Filaj 26 Prill 2018  
  1. Sigmund Freud, Josef Breuer, Études sur l’hystérie, PUF, 1975, f.4
  2. Freud, L’inquiétante étrageté, Folio, Gallimard, 1988
  3. Freud, Une difficulté de la psychanalyse, në L’inquiétante étrangeté et autres essais, Folio, Gallimard, 1988, f. 186
  4. Idem f. 180 Freud i jep emrin narcisizëm, « gjëndjes në të cilën uni mban libidon pas vetes », duke u nisur nga legjenda greke e Narcisit, djaloshit që ishte i dashuruar me imazhin e tij.
  5. Bëhet fjalë për Seminarin II, Le Moi, (Uni) që Lacan mban gjatë vitit 1954-1955.
  6. Autre në frëngjisht do të thotë tjetër
  7. J. Lacan, Fonction et champ de la parole et du langage, in Écrits, Paris, Le Seuil, 1966, f.298

Leave a Reply