Etiketa: Endrra

Traum(deutung)

Deutung (interpretim)   Dëgjova dje, me një lloj vetëdetyrimi këtë herë e pranoj, kryeministrin ende të them në “detyrë”, të ankohej këtë herë për fjalët e thëna ndaj të miturës, sipas tij të pavenda dhe që nuk i shërbenin asaj madje madje e përmbylli fjalën e tij me tone të dhunshme e të larta si të donte dashje pa dashje të binte në grackën që i ngriti të tjerëve duke u bërë qartazi palë me ata të cilëve po u përvishej dhe një herë vënçe, si çdo të enjte sipas menusë së zakonshme. Armiqtë i dolën sërish në shtegun e fjalimit me vetveten dhe ishte e vështirë të kuptohej ku donte të dilte në bisedë, të cilën arriti ta përmbylli me një epilog rrënqethës ku sipas tij ishin pikërisht fjalët dhe fjalori i rëndomtë i armiqve të tij në atë foltore ato që duheshin fajësuar sepse jo vetëm s’po e ndihmonin “ këtë të shkretën e të gjitha të shkretat e tjera ” por po e çonin drejt “ vetëvrasjes ” të cilës i mëshoi fort të paktën dy herë dhe foli shumë serbes. Ja, këto fjalë përdori si për ta respektuar atë siç i paskërka hije një viktime të mirëfilltë. Idem si shokët e vetë të luftës, kap e hidhi fjalët si gurë. Bjeri t’i biem!   Ai vetë e quajti “ të shkretën ” dhe dënoi rëndë “ viktimizimin ” që vinte pra gjithë shqipëtarëve drejtpërsëdrejti nga fjalor i padenjë (me që ra fjala bëhej fjalë për akuzat ndaj të tijëve si :hajdut, kriminelë etj. të cilat duheshin provuar përpara se të lëshoheshin në gjykata hipotetike posi jo!). Ishte pra veçse faji i këtij fjalori të përdoruesve të foltores së parlamentit. Ashtu vërtet, nuk gënjeu tërësisht pasi ndërkohë s’dëgjova një fjalë të vetme nga ai si mishërim i asaj që po promovonte, të themi p.sh; për rojen e shkollës, sistemin e kontrollit të ministrisë së arsimit, jetimoreve (sepse mund të jenë çdo gjë por nuk janë akoma “shtëpi fëmije” pavarësisht propagandës dhe atyre kamerave të mrekullueshme që projektoi mendja e ministres së shëndetësisë dy vjet më parë me rezultate të padukshme përveçse atyre të terrorit vertikal lart-poshtë se helbete do e ushtrojmë njëçik atë të shkretin kërbaç (po më vjen leksiku lab si të më kujtonte vendin ku ndodhi dhuna ndaj fëmijës), mirëpo s’mjafton kamera por mendja të interpretojë e gjykojë një imazh. Po mendje s’ka, as duket gjëkundi në horizont vetëm armiq imagjinarë që duhen luftuar. Por me këtë mendësi i bie që të luftojmë vetëm ata armiq që na tregon kryeministri, jo ata me të cilët ai ka konflikt interesi dhe kjo fare fare pse ai i ka nën varësi të pushtetit të tij ? Hëm! Ndërkohë vetë ministria e arsimit po nga foltorja ku foli kryeministri, nxitoi të shqiptojë sa më shpejt të mundej me një zhdërvjelltësi të lavdërueshme në gjininë e diktimit, “ përgjegjësinë institucionale “, pa e detajuar fare as me llogari që ç’ishte bërë si qysh tek….pasi me sa duket s’ishte aty për këtë punë por i duhej t’ja bënte rrëmbimthi gropën përgjegjësisë institucionale të mishëruar nga ajo e vartësit militantë të saj. Më pas u hodh brenda po të njëjtës fjali për të ndarë me ne, qytetarët e republikës, arsyetimin se ky fenomen duhej luftuar nga të gjithë pasi qe produkt i “ një sistemi patriarkal ”.  Oh yeah!!!! Disa ditë më parë mbrojtja e pacipë si zakonisht nga vetë kryeministri, (shefi i shefave), e policave që e ushtruan mirë dhunën si dhe e shefit të policave që shpalosi të dhëna personale të një gruaje, dhe na tregoi mirë argumentin mjeran se nga ç’familje vinte 15 vjeçari, dhe të gjitha këto për kokërr të qejfi përpara miletit të ekraneve. Po ashtu si vetë shefi i shefave, ministria nuk u kujtua te thoshte një fjalë për dhunën ndaj një të mituri të së njëjtës moshë sepse kjo nuk qenkërka patriarkalizëm për ministren kur kjo ndodh brenda makinerisë së pushtetit shtetëror por jo qe vetëm problem i familjes shqiptare, prindit baba po vetëm ai është fajtori. Po ndonjë fjalë për djalin e dhunuesit që vijonte e kërcënonte për kokërr të qejfit familjen e vajzës, s’mund te flitej.  Po si s’na argumentoi pak drejtori i policisë nga ç’familje vinte kjo vajza se mbase e meritonte dhe kjo atë që i ndodhi si 15 vjeçari.  Po le t’i thoshte xhanëm dy fjalë ministria e ta fillonte këtë “ luftën me fenomenin patriarkal ” brenda strukturave shtetërore që ta besonim ndopak që arrinte ta baravlefsonte fjalën e saj me atë të kryeministrit. E ka filluar luftën ministria me patriarkalizmin? Apo e hoqi vetveten nga ekuacioni ? U tregua viktimë dhe ajo e këtij fenomeni e joshur bindshëm nga pushteti dhe gati për të hapur gojën vetëm për një mprehje të tehut ndaj tjetrit dhe për tjetrin. Asnjëri nga ata të dy që duhej ta fillonin ta bënin punën e tyre që dje nga foltorja, folën përçart dhe e zhvendosën monologun rëndomtë gjetiu. Të dy dëshmuan se kanë një problem të rëndë në raportin e tyre me fjalën. * Traum (ëndërr) Freud-i u rrek të interpretonte ëndrrat dhe kur erdhi puna tek makthet u gjet para një problemi. Teza e tij se ëndrra është realizimi i një dëshire, dështonte tek makthi. Pra (m)akthi ishte një ëndërr e përmbysur, që nuk realizonte dëshirën por çlironte me bollëk ankthin. Por le të pranojmë siç pranoi dhe ai vetë se edhe të interpretosh ëndrrat si realizimi i një dëshire ka përbrenda dozën e saj të traumës se sigurisht që ëndrra të jep (edhe) gomarin për burrë me raste. Pulsioni i përkufizuar nga Freud-i dhe i konceptuar më tej nga Lacan-i është një shtysë e dhunshme që më kot lodhemi të mos e pranojmë sepse e pësojmë gjatë gjithë jetës e që arrin kulmin e tij gjatë adoleshencës.  Në lajmet scoop nuk munguan dhe interpretimet e burrave për adoleshentet që “ provokojnë ” këta “ viktimat ” sepse paskërkan pikërisht pulsionin (dolëm tek pulsioni si i keq dhe refuzimi i tezës Frojdiane) e nga i cili u dashka të ruhen, sidomos vajzat (por prej të cilit këta ruhen vetë). Besoj gjithmonë e më shumë se thembra e Akilit në mendësinë kolektive shqiptare pikon pikërisht tek problematika pulsionale. E refuzuar en bloc ashtu si teza e seksualitetit frojdian e anatemuar sa herë i përmendet emri si shtrigat e Salemit dhe e përkthyer si ” teoria e seksit ” dhe e shndërruar në një fletë byrektoreje.  S’ka traumë pa dhunë. S’ka ëndërr pa dhunë sepse s’ka jetë pa dhunë. Dhuna e parë është ajo që pësojmë nga pulsioni e nga e cila është e kot të rrekemi ta mposhtim e aq më pak ta sundojmë artificialisht pa e dialektizuar, pa e folur. Fjala e zbut, e çliron dhe e nyjëton. Është e vetmja që e tjetërson por me të vetmin kusht që t’i njohë identitetin e dhunës që e përkufizon. Fjala e plotë (pleine sipas Lacan-it) e nyjëtuar pra me pulsionin dhe dozën e saj të dhunËs, është e vetmja dhunë legjitime në rendin njerëzor përndryshe s’do mundemi dot të ëndërrojmë por do pjellim thertore, ku do nxjerrim sytë njëri-tjetrit në një vorbull makthi të pafundmë.      Ref. Freud Sigmund, Die Traumdeutung [Interpretimi i ëndrrave], 1899.

Kronikë ëndrrash të paralajmëruara

chavanne Ëndrra, Puvis de Chavanne

“… dhe pastaj, janë ca ëndrra që e bëjnë më keq gjithë këtë që jam duke kaluar”, – më thotë zëri i pacientit në telefon. Në këtë kohë kufizimesh, kjo është mënyra që bashkëbiseduesi im ka gjetur për të punuar mbi gjërat që e mundojnë, duke më vënë në anën tjetër të lidhjes telefonike.  Është ora 18 e mbrëmjes. Covid-19 ka ditë që ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rrugët janë të shkreta dhe qyteti ngjan me një skenë filmi horror, duket sikur jeta e ka braktisur. Qepenat e dyqaneve janë të gjitha të ulura dhe kafenetë të zbrazura, megjithëse në tarracat e tyre tavolinat kanë mbetur në vendet e  zakonshme, të mëparshme, sikur në pritje të okupohen, të mbajnë sipër gotat dhe filxhanët e zakonshëm, të ndiejnë duar tu mbështeten sipër, ujë, tu derdhet aksidentalisht.  Ora po shkon 22 dhe nata ka mbuluar qytetin. Asgjë nuk e prish qetësinë e saj, me përjashtim të ca dritave reklamash të mekura që pulsojnë pa tërhequr më vëmendjen e askujt. Në televizione ka ca që ka filluar numërimi. Është ora e zërave dramatikë në çdo kanal televiziv. “Më shani mua”, – në ekran, kryeministri, me përulësi propozon zgjidhjen e tij të vetme për angështinë që ka pushtuar njerëzinë.  Mesnatë. Tani është ora e pagjumësisë, ora kur trupat, të lodhur nga pasiviteti i ditës, fillojnë rrotullimet, përpjekjet, mundimet dhe stërmundimet për të harruar, të paktën për disa orë, makthin nga i cili nuk po munden të zgjohen. Në këto thërrime harrimi fillojnë, në mënyrë të parashikueshme, të thuren copëza ëndrrash nga më të ndryshmet, nga më të guximshmet, nga më të çmendurat, boll të jenë ëndrra! Nga ato që plotësojnë vetëm një nevojë, nevojën për gjumë. Ora 5 e mëngjesit. Heshtjen e thyen ndezja e motorit të një automjeti, pastaj edhe një tjetër automjet ndizet në garazhin që gjendet poshtë apartamentit tim. Paskam lënë dritaren hapur! E sapozgjuar, nuk po kuptoj më se çfarë po ndodh. Zgjohem për të vazhduar ëndërrimin, atë të të gjithë qytetit. Nga ëndrra në zhgjëndërr! Ja një fjalë e thesarit të shqipes që më tërheq veçanërisht, një fjalë që rreket të bëjë kuptimin e saj midis ëndrrës, gjëndrës dhe kundër-ëndrrës (zh-ja është një parashtesë e shqipes që përdoret shpesh për krijimin e antonimeve).  Më kujtohet atëherë një fjali nga Seminari i XXV-të i Jacques Lacan, një fjali që u komentua shumë vitin e kaluar, në Torino, gjatë një konference psikanalize: …”nuk ëndërrojmë vetëm kur flejmë.” Njerëzit fillojnë të dalin në rrugë me motivin më absurd në një orë kaq të hershme mëngjesi: të bëjnë pazarin! Mezi kanë pritur të përdorin autorizimin e vetëm të ditës për të dalë nga shtëpia. Dhe sa më parë aq më mirë, në dyqane nuk gjejnë atë rradhën e tmerrshme që ndonjëherë i vjen rrotull pallatit ku gjendet dyqani, shitësit janë më të qetë (ndoshta sepse nuk iu ka dalë mirë gjumi), ajri është më i pastër¿, virusi fle ende ndoshta? Dhe dita vazhdon njëlloj, me një këmbëngulje repetitive që nuk rregullon asnjë parim kënaqësie! Tiranë, 6 maj 2020 ______ 1. Eric Laurent, Le Réveil du rêve ou l’esp d’un rev, texte d’orientation du XIIème Congress de la AMP, Janvier 2019,https://congresoamp2020.com/fr/articulos.php?sec=el-tema&sub=textos-de-orientacion&file=el-tema/textos-de-orientacion/19-09-11_el-despertar-del-sueno-o-el-esp-de-un-sue.html.

Polifoni (pa fustanellë)

E lexuar, e shkruar, e folur …. e interpretuar

Forumi i hapur ‘Polifoni (pa fustanellë)’ sjell katër zëra Sergio Caretto, Jolka Nathanaili-PenotetMatilda Odobashi dhe Romeo Kodra të cilët lexojnë, shkruajnë, flasin dhe interpretojnë çështje universale që na interesojnë të gjithëve si pjesë e një komuniteti të caktuar njerëzor, si p.sh. seksualiteti, kryeshënjuesi, ligjërimi i mjeshtrit, ligjërimi i universitetit por edhe çështje më singolare si ‘subjekti’, realja, trupi erogjen. Psikanalisti italian Sergio Caretto do të rimarrë tekstet e tre folësve të tjerë, ku dy prej tyre i përkasin tashmë botës së artit, për të kompozuar me këta zëra një polifoni krejt singolare në një gjuhë të huaj, për një publik unheimlich.

(more…)