KONFERENCË ONLINE – 10 TETOR : Prindërit, fëmijët dhe frikërat e tyre (Gian Francesco Arzente)

Nga

Publikuar tek Konferencë, Shkolla me 28 Shtator 2020

header Bota jonë bashkëkohore – dhe në këtë kohë pandemie diçka është thelluar edhe më tepër – karakterizohet nga një rrallim edhe më i theksuar i marrëdhënieve sociale : përdorimi gjithnjë e më i përditshëm dhe i gjerë i instrumentave teknologjikë në komunikimet dhe shkëmbimet mes njerëzve, koha frenetike që karakterizon jetën e të rriturve dhe shpesh të të miturve, shtysa drejt performancës dhe përshtatshmërisë me standarte të gatshme që gjithnjë e më tepër karakterizojnë vende si shkollat ose institucione të tjera edukuese, shtyjnë shumë të rinj e fëmijë drejt një izolimi gjithnjë e më të theksuar. Nganjëherë ata ndeshen me vështirësi në marrëdhëniet me të ngjashmit dhe me të rriturit, që mund të karakterizohen nga sjellje agresive dhe të dhunshme ose nga një vetëpërjashtim dhe refuzim. Në këto raste, shpesh vihet re fillesa e një spiraleje frikërash, fobish, të cilat në vend që të favorizojnë një përfshirje më të madhe, shkaktojnë një stigmatizim dhe izolim edhe më të mprehtë të këtyre fëmijëve ose të rinjve. Shpesh konteksti shkollor dhe familjar është i pafuqishëm përballë vështirësive dhe përfundon duke njehsuar (identifikuar) fëmijën ose të riun si shkak të problemeve që shfaqen tek familja ose në klasë, shumë herë duke kërkuar në një diagnozë pohimin e vështirësive dhe një element që mund ta shpjegojë atë që po ndodh. Gian Francesco Arzente, Torino, shtator 2020.   “Prindërit, fëmijët dhe frikërat e tyre

Në fillim dua të prezantoj temën e konferencës – prindërit, fëmijët dhe frikërat e tyre – duke thënë se frikërat janë një dukuri universale për njeriun dhe se ato ndryshojnë në varësi të kulturës dhe epokës në të cilën jetojmë. Por edhe kafshët kanë frikë, sa që disa frikëra  i paraqesim dhe më pas i interpretojmë pikërisht nëpërmjet kafshëve. Por ka një dallim thelbësor mes kafshëve dhe njerëzve. Nëse ujku ka frikë nga zjarri dhe ndaj instinktivisht i qëndron larg duke mos rrezikuar kështu djegien, për burrin dhe gruan nuk është kështu. Qenia folëse edhe pasi është përvëluar e ripërsërit aktin. Edhe pse njeriu mëson të ketë frikë nga zjarri, ai vazhdon të tërhiqet prej tij deri në pikën sa të digjet sërish.

Tek njeriu nuk duket se ka një instinkt mbrojtës, por me sa duket kjo detyrë realizohet përndryshe nga frikërat.

Nga njëra anë frikërat kufizojnë, jetën e qenieve folëse, por ky kufizim bart per se edhe një funksion mbrojtës. Fatmirësisht ne mësojmë të kemi frikë nga boshllëku, kemi frikë se biem, por përse kemi frikë të biem në dashuri ose kemi frikë se mos të tjerët nuk na duan, se mos na braktisin, kemi frikë nga errësira… Kjo listë është e pafundme. Çfarë shfaqet si evidencë, por që nuk duhet konsideruar si e pallogaritshme, është fakti se edhe pse e dimë se do të përvëlohemi vazhdojmë sërish t’i afrohemi shumë zjarrit. Një dukuri bëhet një simptomë analitike dhe mund të çojë një subjekt tek një psikanalist pikërisht kur shfaqet kjo kundërshti : pasi edhe pse ai e di që zjarri e dëmton, sërish brenda tij shfaqet diçka e pandalshme, që nuk mund ta ketë nën kontroll dhe që e bën atë të përsërisë të njëjtin veprim – përcëllimin e mëparshëm.

Kjo përbën thelbin e forcës dhe cakun e frikërave : edhe në rastet kur arrihet të rroket pakuptimshmëria, padobishmëria e tyre (frikërave), sërish ato vijojnë të përsëriten dhe bëjnë që një subjekt pavarësisht përpjekjeve nuk arrin dot të çlirohet prej tyre. Frojdi u bazua pikërisht në këtë pikë : një pacient që vuan prej një simptome në parim do duhej ta hiqte qafe me shumë kënaqësi por në fakt pacienti nuk e bën këtë vullnetplotë, madje nganjëherë, sapo çlirohet nga një simptomë, nga një frikë, shfaq një të re madje që ia përkeqëson gjendjen më tepër se sa frika e parë.

Lacan-i këtë e cilësonte si ‘’ kushtin njerëzor “, kushtin e qenies që flet : një kusht që nuk i referohet në thelb kushtit që shkakton një sëmundje.  Simptoma, që në rastin tonë është frika, nuk është një sëmundje por një nga kushtet që i bën të mundur që një burri apo një grua të zërë vendin e tij/të saj në këtë botë dhe të jetojë. Për qenien folëse, prania e një simptome, e një frike është një funksion i domosdoshëm për jetën e tij, një simptomë, një frikë e caktuar përcjell të vërtetën e një subjekti të caktuar. Në fund të fundit me një simptomë, falë një frike të caktuar, mund të themi atë që diskursi i përditshëm në të cilin jemi përfshirë na pengon të themi qartësisht/haptazi përndryshe rrezikojmë, gjithmonë në varësi të diskursit social në të cilin bëjmë pjesë, të përjashtohemi ose druhemi se mos mënjanohemi apo marxhinalizohemi e kështu me rradhë.

Duhet të kemi parasysh, mendoj se gjithsecili nga ne e ka këtë përvojë, se çdo diskurs qoftë ky dikursi që mbajnë babai dhe mamaja brenda familjes, mësuesit në shkolla, nëpër universitete, nëpër spitale, në libra, e kudo, në një epokë të caktuar, edhe pse në fakt ekzistojnë tipe të ndryshme diskursesh, ato përcaktohen nisur nga çfarë këto diskurse përjashtojnë, thënë ndryshe diskurset përkufizohen nga çfarë ato nuk lejojnë të thuhet. P.sh. vini re të gjitha gjërat që s’keni thënë që do t’ju bënin në sytë e të tjerëve më të pëlqyeshëm, ose do t’ju konsideronin të sjellshëm. Frikërat, simptomat janë një mënyrë që qeniet folëse gjejnë për të thënë të vërtetën e tyre, edhe pse kjo pjesë përpiqet të mbahet e fshehur. Kështu simptomat mund t’i konsiderojmë, ashtu si frikërat më të ashpra dhe më invalidueset, si një mënyrë që gjen subjekti për të protestuar. Ja përse simptomat ndryshojnë, ashtu si frikërat, por struktura e tyre dhe domosdoshmëria e tyre jo, përkundrazi evoluojnë në kohë.

Të hënën e kaluar, në një seminar dëgjova këtë rast klinik që mund të na ndihmojë të kuptojmë atë që po përpiqem të them. Shembulli klinik është ai i një personi që është në analizë që ka frikë të thotë atë që mendon. Çdo herë që i lind një ide interesante, ose kur do të bëjë diçka të re, përfundon gjithmonë duke gjetur një arsye të mirë që i lejon të bëjë një hap mbrapa dhe të ndjekë një rrugë që e kanë hapur të tjerët përpara tij ose të bëjë zgjedhjet që bëjnë shumica.

Pikërisht ky pozicionim i tij është në thelb të shqetësimeve që ka, frikërave, angështive që e mundojnë, por pa mundur që t’i gjejë një lidhje të gjithë këtyre elementëve njëri me tjetrin dhe pa mundur kështu të marrë përsipër përgjegjësinë e tij si subjekt për këtë pozicionim të tijin. Por në një farë pike shfaqet një hapje, ai vendos të fillojë një analizë.  Një ditë gjatë seancës tregon për një lapsus disi domethënës : ishte me disa miq dhe po vizitonte një ekspozitë dhe përpara një pikture të një artisti të madh shumica e miqve të tij, që e vlerësuan, thanë “ Sa e bukur! ” Ndërkohë ai ishte ngurrues, i pavendosur sikur t’i kishte kaluar nëpër të mendimi që thoshte : çfarë i duket atyre e bukur!? Mendim që u zhduk sakaq, duke lënë pas një boshllëk mendor për disa sekonda, por ndërkohë që pësonte vështrimin e miqve, dhe ndërkohë që ai vetë nuk po shprehej i vjen njëkohësisht në mendje mendimi tjetër “ ah po vërtetë … është e bukur” dhe dëgjon ta thotë me zë të lartë  “ blegërij/e bukur! ” [ Në italisht ka një lojë fjalësh homofonike – që shqiptohen njësoj por kanë kuptime të ndryshme- pasi fjala  ‘belo’ ka kuptimin “ blegërij ” ]. Të gjithë miqtë qeshën me të madhe. Por ajo që kishte më tepër rëndësi pasi çlirojmë ndrydhjen : pikërisht, thotë ai në seancë, sillem gjithnjë si një dele brenda kopesë.

Ky shembull klinik na bën të kuptojmë anën protestuese, subversive të një simptome, të një frike e cila në rast se pranohet nga subjekti dhe i kërkohet të flitet mbi të shfaq atë që ishte e përjashtuar, e fshehur në kontekstin social në të cilën gjendet subjekti. Çështja e këtij subjekti pra “ të kesh frikë nga ajo që mendon ” flet jo vetëm të vërtetën e këtij subjekti por shpreh dhe të vërtetën mbi jetën e qenieve të tjera folëse në atë moment të caktuar, në kohën historike, në të cilën jetojmë. E vërteta që na lejohet gjithmonë e më pak ta themi, ushqen në fakt inhibicionet tona, simptomat tona, angështitë tona : faktin që sillemi si delet brenda kopesë.

Ja përse ende vijojmë t’i besojmë ujkut të keq ?

Mund të kuptojmë në këtë rast se si një frikë i përgjigjet një ose disa pyetjeve që i drejtohen ekzistencës, esencës së çdo qenieje të gjallë të cilës as shkenca moderne, edhe pse rreket të demostrojë të pamundurën, nuk i ka dhënë një përgjigje të kënaqshme. Çështjet e fshehura të çdo qenieje njerëzore, të çdo fëmije : përse jetoj ? përse kam lindur unë dhe jo një tjetër ? përse njerëzit vdesin ? Çfarë dëshiroj? Çfarë është ëndja?

Shkenca përdor një sërë dijesh që përftojnë një numër të caktuar objektesh me të cilat qarkullojmë dhe falë të cilave qarkullojmë nëpër botë duke menduar se e dimë çfarë bëjmë, por këto dije nuk na thonë se si realja e COVID-19 ka dhënë evidenca përse vdesim ? Përse njëri jeton dhe tjetri jo? Një subjekt, një fëmijë, kur ka një simptomë, një frikë, një fobi p.sh. nuk di t’i shtrojë një pyetje Tjetrit. Një fëmijë në momentin që ka frikë nuk i bën vetes një pyetje. Fillimisht kjo shfaqet si pyetje për të rriturin, prindin dhe nganjëherë mësuesin.

Do t’ju jap një shembull të njohur, por që mbase jo nga të gjithë njihet, ndaj do përpiqem shkurtimisht ta përmbledh për të vënë në dukje mësimet që mund të nxjerim për temën e konferencës sot. Bëhet fjalë për rastin e Hansit të vogël të shkruar nga Frojdi. Hansi i vogël është 4 vjeç e gjysëm kur zhvillon një fobi për kuajt. Në atë kohë nuk ka makina rrugëve, por kryesisht karroca të tërhequra nga kuajt. Kjo frikë, kjo fobi – thotë Frojdi – e kufizon së tepërmi jetën e Hansit dhe të familjes së tij. Hansi në një pikë nuk arrin dot më as të dalë nga shtëpia. Fobia fillon pikërisht kur e ëma sapo kishte lindur një vajzë, pra kur kontekstit familjar iu bashkua një motër. Pikërisht në këtë kontekst ndodh që prindërit ishin duke u ndarë sepse gjërat nuk po shkonin mirë mes tyre. Hansi i vogël në këtë periudhë fillon të ketë ereksione të vogla, fillon të interesohet dhe të merret me organin e tij që e quan “ çiç-bërësin”. Pikërisht në këtë kontekst shumë dinamik, Hansi si shumë fëmijë të moshës së tij, fillon të bëjë shumë pyetje. Pyetjet me të cilat i bombardon prindërit, vërtiten rreth enigmës së lindjes, të motrës së tij. Nga këto pyetje shtrohen çështjet si : problematika e sjelljes në jetë të fëmijës dhe e marrëdhënies mes dy gjinive, të mishëruar nga babai i tij dhe e ëma e tij si dhe ekzistenca e një tjetër qenieje të gjallë (e motra). Hansi shtron pyetje mbi këtë dhe njëkohësisht mbi domethënien e këtij organi që ai e posedon dhe motra e tij e cila tërheq gjithë vëmendjen, nuk e posedon. Këtu na shfaqet në mënyrë të qartë një problematikë thelbësore për zhvillimin e çdo fëmije : që është raporti i seksualitetit dhe i jetës. Vëmë re se është interesante se frika e kuajve zhduket, fobia e Hansit zhduket, falë rrëfimit që ai i bën të atit dhe që ky i fundit ia beson Frojdit.

“Ti do të shkosh të jetosh me gjyshen dhe unë do të martohem me mamin” i thotë babait të tij duke i gjetur një zgjidhje pyetjes se ç’rol, ç’vend duhet të mbajë në raport me gjininë tjetër. Zgjidhja që jep është ajo tipikja e Edipit : të largojë babain e ta dërgojë tek e ëma e tij dhe unë – thotë – do të qëndrojë me timen. Ajo që ka rëndësi, përtej kësaj zgjidhjeje në trajtë romani, është të shikojmë se konceptimi i këtij formulimi ka lidhje me zhdukjen e frikës nga kuajt. Fobia zhduket në një kontekst në të cilin Hansi nuk flet shumë për frikën e tij, por ka mundësinë të artikulojë qartësisht pyetjet e tij mbi jetën dhe mbi seksualen. Frika zhduket kur fëmija realizon një shpikje : realizon një rishpërndarje të vendeve në këtë familje nga e cila ishte ndjerë i mënjanuar. Frika pra përfaqëson çështjet e fshehura mbi seksualen dhe jetën. Mund të pohojmë se fëmijët nëpërmjet frikërave të tyre përballen me çështjet e rëndësishme për cdo subjekt që përcaktohen nga të folurit : çështjet e ekzistencës së tij, të seksualitetit të tij, që nga përvoja mund të konstatojmë nëpërmjet fenomeneve të ndryshme, frikërave të ndryshme nga ku dalin deshifrime si p:sh: në rastin e Hansit të vogël, pasiguria e provuar në raport me vendin që zinte ai tek Tjetri i familjes.  Nëse në rastin e Hansit gjendemi në fillim të shek. XX, çështjet e rëndësishme mbi ekzistencën sot nuk kanë ndryshuar. Por ndryshimet e shpejta dhe të thella të viteve të fundit kanë rikonfiguruar hapësirat dhe kohët në të cilat fëmija po rritet dhe referencat simbolike me të cilat  ai ka lidhje:

  • Familjet e rikrijuara pas ndarjeve dhe divorceve
  • Çiftet që i përkasin gjuhëve, kulturave dhe traditave të ndryshme
  • Familjet e çifteve homoseksuale
  • Familjet monoparentale (me një prind)

Mënyrat “ e reja ” për të krijuar familjen janë tashmë një realitet i faktuar ku përfshihen të gjithë : fëmijët, të rriturit, mësuesit. Ata janë tregues i një variabiliteti dhe kreativiteti të mundshëm që e karakterizon marrëdhënien mes qenieve folëse dhe në të njëjtën kohë përcakton format specifike të shqetësimit në njëjës (të individit) dhe në shumës (komunitete), tipike të epokës sonë. Siç thashë në fillim ndryshojnë frikërat dhe simptomat, ndryshojnë fenomenet me të cilat manifestohen por nuk ndryshon struktura apo kërkesat e fshehura që i bashkëshoqërojnë. Në një shoqëri ku dhe edukimi tenton gjithnjë e më tepër të bazohet tek diskursi i shkencës mjekësore, vuajtja dhe vështirësitë e fëmijës shndërrohen lehtësisht në një patologji që duhet kuruar. Ajo që dikur mund të përbënte vetëm një manifestim të një shqetësimi të “ çnatyruar ” në një moment të caktuar të zhvillimit të fëmijës, tani mund të përkthehet lehtësisht në një deficit për tu diagnostikuar dhe kuruar gjithmonë e më herët. Nuk është e lehtë për të rriturin të tolerojë vështirësitë që ndesh fëmija gjatë rritjes – ashtu siç diti të bënte babai i Hansit - në regjistrat e ndryshëm – familjarë, shkollorë, sportivë etj.

Një lloj ideali përsosmërie shpesh herë zë vend në marrëdhënien mes të rriturit dhe fëmijës, duke favorizuar një lloj shtyse ndaj performancës tek e cila fëmija edhe mund të mbështetet për një farë kohe, por nga ana tjetër kjo mund t’i ndrydhë vetë dëshirën singolare që e vë në lëvizje dhe këto shkojnë përtej kërkesës që i drejton i rrituri për t’ju përshtatur një modeli. Kapërcimi i brezave mes prindërve dhe fëmijëve, burim konfliktesh por edhe element i pazëvendësueshëm për procesin e formimit të individit dhe formimin e identitetit vetjak, i veçuar nga ai i prindërve, shfaqet gjithnjë e më tepër si i sfumuar dhe i sheshuar, duke i lënë vendin një lidhjeje më të ‘barabartë’ të ngjyrosur me tone miqësore që rrezikon të dëbojë dallimet e domosdoshme për formimin e përmasës së kufirit.  Kështu format e reja të shqetësimeve që i ngarkohen sot fëmijës i korespondojnë një numri të madh klasifikimesh me synimin për t’i kuptuar dhe trajtuar më mirë :

Sindroma hiperkinetike
  • Bullizmi
  • Çregullimet e sjelljes se ushqyerjes
  • Çrregullimet specifike e të nxënit (DSA: disturbi specifici dell’apprendimento)
  • Çrregullimet e vëmendjes

Nëse nga njëra anë diagnoza përbën një mënyrë për të trajtuar një problem specifik që manifestohet tek fëmija, paralelisht qëndron rreziku i vulosjes së fëmijës në brendësi të një klasifikimi e cila me kohën mund të përbëjë një kufizim ndaj subjektivitetit të fëmijës dhe singolaritetit të tij. Përvoja e këtyre viteve e zhvilluar në Qendrën psikanalitike Aletosfera në Torino më ka ndihmuar të evidentojë se si disa fëmijë, përpara sesa të thonë emrin e tyre, prezantohen me emrin e simptomës së tyre psh; ‘ jam një DSA ’.

Shtysa për të diagnostikuar “për të mirën e fëmijës” na shfaqet edhe në kërkesën gjithmonë në rritje për diagnostikim nga ana e të rriturve sa i përket vështirësive me të cilat ata ndeshen gjatë marrëdhënies me fëmijën, duke rrezikuar shpesh herë ti heqin përgjegjësinë të rriturit lidhur me implikimin e tij në vështirësitë për të cilat po ankohet. Në këto raste fëmija rrezikon të bëhet një objekt i i të rriturit i cili projekton mbi të vështirësi të cilat në të vërtetë kanë të bëjnë me të dhe me çiftin prindëror, siç e pamë në rastin e Hansit të vogël.

Ky rrezik është mjaft i madh sot, në këtë kohë kur marrëdhënia i rritur-fëmijë, shpesh herë tenton të sheshohet në një rrafsh të vetëm duke i supozuar një ‘barazi’ të rreme lidhjes mes njërit dhe tjetrit. Gjithsesi lidhja nuk mungon t’i vendosë partnerët e marrëdhënies përballë çështjes që Frojdi e quante pamundësia për të edukuar, pra pushteti subversiv i simptomës e që në fund të fundit bën të mundur që edukimi të mos aplikohet si një parim totalitar që do të synonte të ishte veçse një stërvitje, por të promovonte më tepër akte edukuese që mbeten singolare për çdo subjekt, kur i konsiderojmë këto akte një nga një. Siç e ilustrova më lart, sipas parimit frojdian, çdo rast trajtohet si një rast më vete dhe ky vlen si për të rriturin ashtu edhe për fëmijën.

Për psikanalizën fëmija është një subjekt që ka të njëjtin dinjitet si i rrituri në kuptimin që edhe ai ka diçka për të thënë, ka një dije që ka të bëjë me të që askush nuk mund ta njohë e ta thotë më mirë se sa vetë fëmija. Për psikanalizën bëhet fjalë në rradhë të parë të pranohet se subjekti mund “ të thotë fjalën e vet ” në mënyra nga më të ndryshmet : duke folur, duke shkruar, duke zhgarravitur, duke bërë mimika, duke belbëzuar, duke turbulluar …. Për psikanalizën fëmija është një subjekt i cili gjen vend brenda një diskursi, ose nisur nga marrëdhënia që ai vendos me interlokutorin e tij, me Tjetrin që gjendet “ jashtë ” tij dhe falë të cilit ai formohet si subjekt që operon nëpërmjet fjalës. Përveç faktit që fëmija ka diçka për të thënë, nevojitet dhe të gjendet mënyra e duhur për tu bërë partner i fëmijës me qëllim që fjala e tij dhe aktet e tij të mund t’i drejtohen dikujt, një adresë prej së cilës të mbërrijë një përgjigje, që në analizë e quajmë interpretim.  Oferta e terapeutit, sa i përket eksperiencës sime, duhet të arrijë të gjejë diçka që shkakton këtë apo atë sjellje të fëmijës, kusht ky për ta ndryshuar në kohë po ashtu si dhe vetë subjektin dhe këtu s’bëhet fjalë thjesht për një efekt të ndonjë fjale urdhëruese që komandon.

Për psikanalizën fëmija si subjekt, është pasojë e lidhjeve që fëmija ndërmerr me Tjetrin e fjalës dhe të gjuhës (i mishëruar herë pas here nga prindi, vëllezërit e motrat, shokët, mësuesit…) dhe për këtë arsye duhet konceptuar përtej kategorive diagnostikuese ose çrregullimeve që i gjejmë të klasifikuara nëpër manuale. Në këtë kuptim nuk ka asnjë fëmijë që mund të krahasohet me një tjetër dhe për asnjë vështirësi, frikërat – të cilat janë pjesë e qenësishme e rrugëtimit gjatë rritjes – manifestohen në mënyra të ndryshme edhe pse nganjëherë shfaqen me fenomene të ngjashme.

Nga ana tjetër kjo do të thotë se shpesh problematikat që nxjerr në pah i rrituri, si psh agresiviteti, rezultatet e këqija në shkollë, izolimi etj. janë pasoja dhe shprehin, siç thashë më parë, një siklet ose një vuajtje të fëmijës, të cilat nuk janë të dukshme dhe të kuptueshme që në krye të herës. Si përfundim, për psikanalizën është thelbësore të kihet parasysh dimensioni i vuajtjes që fëmija edhe pse i vogël, mund të përjetojë, pasi ky element shpesh rrezikon të harrohet kur na kaplon ankthi ndërkohë që e shtyjmë fëmijën drejt performancës ose drejt përshtatjes me “ normalitetin ” sic bën shumica, e ku gati gati prindërit përkulen si të ishin dele, nëse ata nuk i bëjnë vend zgjidhjeve që gjenden brenda frikërave ose angështive të tyre.

Dua me këte rast t’ju flas shkurtimisht për takimin me një fëmijë 7 vjeçar i cili u shoqërua në Qendrën Psikanalitike (Q.P.) nga e ëma, e dëshpëruar për faktin se i biri, pasi mori rezultatet e para jo të mira në shkollë dhe pasi u etiketua nga mësueset, filloi të kishte frikë për të vajtur në shkollë. Takimi me Markun, djalin 7 vjeçar, u bë në Q.P. Ai i bie ziles i shoqëruar nga e ëma e cila nisur nga udhëzimet e mësueseve po kërkon një vend që të mund të ndihmojë të birin të shkojë sërish në shkollë dhe mbi të gjitha, më thotë : të mos bëjë më gjithë ato gabime në drejtshkrim dhe në logaritje (matematikë). E ëma e Markut është zhvendosur në Itali për të punuar nga një vend i huaj i largët dhe ka dashur gjithmonë dhe e dëshiron ende me forcë – na thotë- që djali të jetë një nxënës i mirë dhe të bëhet një italian perfekt. Gjatë këtyre momenteve të shkurtra por të rëndësishme të prezantimit Marku, i cili ishte futur tek sekretaria e Qendrës duke iu ngjitur të ëmës, i përgjigjet fjalëve të të ëmës duke i dhënë një shuplakë në fytyrë.

Vendosa atëherë të futem në skenë: marr dorën e Markut dhe i them se ka ardhur koha të shkojmë në dhomën e lojërave dhe nëse ai dëshironte, mamaja mund të vinte sërish tek Qendra pas një ore. Marku nuk foli shumë, bashkë eksploruam dhomën, gjetëm lojëra dhe ngjyra dhe falë këtyre objekteve mundi të tregojë për : punën e mamasë, ai që e ndihmonte, gjyshen, shkollën, shokët me të cilët ndihej mirë -tha; filmat vizatimorë. Vizatimi i parë që bën është rruga që ai bëri me të ëmën për të ardhur tek Qendra. Marku orientohet dhe fillon të tregojë duke u nisur nga këto trajektore që nga shtëpia e tij e çojnë kryesisht tek puna e nënës. Në këtë mënyrë fillon të marrë formë një ritual nëpërmjet të cilit nisin takimet tona : vizaton në një letër hartën e lëvizjeve të tija në qytet dhe më pas me saktësi Marku shkruan emrat e rrugëve dhe të numrave që i përkasin tramvajit dhe autobuzave që ai merr. Por aty ku vëren se nuk e ka shkruar mirë një fjalë shpejton për t’i vënë përsipër një vijë të stërmadhe. I them se për mua nuk janë problem këto gabime, të mos i fshijmë, pasi mund të na tregojnë një rrugë të re.

Marku çdo javë, kthehet me përpikmëri në takimet që lë me mua dhe me Qendrën, e ëma dhe gjyshja e shoqërojnë, ai i bie ziles dhe hyn duke lënë jashtë dy shoqërueset. Tani është ai që me çon në dhomën e lojërave. Nuk flet asnjëherë për babain. Një ditë unë vendos në dhomë plastelinë me ngjyra, si dhe letra dhe penela për të pikturuar dhe i propozoj të bëjmë një tjetër udhëtim : të modelojmë një tren dhe të shkojmë për shëtitje jashtë në qytet- i them. Markun e gëzon kjo ide. Më tregon se verën e kaluar ka shkuar në det me tren me mamanë dhe babain. Me babain! – nënvizoj. Për herë të parë tregon sesa mirë ishte me babain dhe mamanë.  Kjo është një kthesë e rëndësishme, me hyrjen në skenë të shënjuesit baba, Marku fillon të më tregojë për kushërinjtë, xhaxhallarët, shënjues të tjerë falë të cilëve ai përfaqësohet si subjekt.

Shfaqet atëhere fakti se Marku nuk di asgjë për vendin e origjinës së prindërve të tij Prezantoj një objekt të ri në dhomën e lojës, një atlas gjeografik, dhe nga Italia përshkojmë qytet pas qyteti, dete, oqeane, vajtje-ardhje trajektoren që na çon në vendin e lindjes së prindërve të tij. Pasi e mësuam mirë itinerarin, vizatojmë një hartë të re dhe vë re menjëherë se janë rralluar së tepërmi gabimet drejtshkrimore. I propozoj Markut të ndërtojë, herën tjetër, një avion që do të udhëtojë në vendlindjen e mamasë dhe të babait. Kanë kaluar gati 7 muaj nga takimi ynë i parë dhe dalim nga dhoma e lojës për ti bërë të fluturojnë, në bibliotekë dhe në korridoret e Qendrës, dy avionë të mëdhenj prej letre, një për vajtjen dhe një për kthimin.

Pas gati një muaji, Marku vjen në takimin tonë të përjavshëm me fletoret e shkollës. E ëma i tha ti sillte për të mi treguar se sa i rregullt ishte bërë dhe sa pak gabime bënte tani. Duke shkuar dhe duke marrë shkronjat në vendin e traditave të tij, ku kanë lindur prindërit e tij dhe ku patën idenë të kenë për djalë një italian perfekt, të gjitha këto e ndihmuan Markun, i cili për më tepër mban mbi vete në emrin e tij diçka të çuditshme të panjohur për të, të më thotë se kur të rritet do të bëjë makinistin e trenit. Frika për të shkuar në shkollë në fillim u zbeh dhe më pas u zhduk kur Marku ripozicionohet në një vend të mirë përcaktuar, edhe gjeografikisht, në brendësi të familjes së tij, në traditën e familjes së tij dhe kjo është pikënisja nga ku ai fillon të artikulojë kërkesën e tij thelbësore, kërkesa jonë thelbësore qofshim prindër ose fëmijë në thelb është kjo : cili është vendi im tek Tjetri ?

Gjithshka që thuhet për një subjekt përpara ardhjes së tij në jetë ka një efekt mbi ëndjen e tij. Frojdi e quan Es këtë efekt. Lacan-i duke ndjekur të njëjtën linjë klinike na tregon se Es është një efekt i shënjuesit dhe ai i jep vlerën e një vrime ku depozitohen shkronjat. Ideja e Lacan-it është që mund të shkojmë t’i nxjerrim këto shkronja nga vrima dhe t’i lexojmë ato, por që efekti i shkronjave vazhdon të ekzistojë edhe nëse nuk i lexojmë ato. Tek të lexuarit e tyre (shkronjave) çelet mundësia për të ditur se “ është si objekti a i dëshirës, si ajo çfarë ai ishte për Tjetrin në ngritjen e tij si frymor, si wanted ose unwanted i ardhjes së tij në jetë, se subjektit i bëhet thirrje të rilindë për të ditur nëse e do atë që dëshiron… ” 1.  Referenca

  1. J. Lacan, Nota sulla relazione di Daniel Lagache : Psicoanalisi e struttura della personalità [1960], in Scritti, Einaudi, Torino, 2002, p. 679.
Përktheu :  Jolka Nathanaili-Penotet    

Shkarko

Lini një Përgjigje