Kur detyrat shndërrohen në makth ! Funksioni i ëndërrimit.

Nga

Publikuar tek Fëmija, PRAXIS, Shkolla me 3 October 2020

Koha e mjaftueshme që një fëmijë shpenzon për të bërë detyrat pas shkolle

Gjatë shkollës fillore (sipas sistemit francez : cours préparatoires Cp & cours élémentaires Ce1) fëmija 6-7 vjeçar shpenzon jo më shumë se gjysmë ore për detyrat dhe kryesisht kërkohen orale (ose ushtrime me qasje “kërkimore” ku fëmijës i duhet të kërkojë për të vënë në lëvizje regjistrin imagjinar nëpërmjet skenarëve, lojës së qëllimtë etj.)

Koha e punës me detyrat deri në një orë maksimumi për fëmijët mes moshës 7- 10 vjec [ cours elementaires 1, 2 CE1, CE2, dhe cours moyens CM1 -CM2] duke vijuar rritjen progresive në shkollën 9 vjecare (fr. : college) sipas nevojave dhe cilësive të brendshme personale të fëmijës. …..

Por sipas pedagogëve të sistemit arsimor francez çelësi qëndron në faktin se sa më shumë kontakte të kenë prindërit me mësuesit dhe të shkëmbejnë rreth jetës së fëmijës në shkollë aq më pak kohë fëmija do të shpenzojë me detyrat dhe sidomos aq më pak nevojë do të ketë për të bërë detyra pas shkolle.

Kështu p.sh. shqetësimit të prindërve të një fëmije 7 vjeçar që ka tendencën të ëndërrojë me sy hapur gjatë kohës së detyrave do t’iu përgjigjeshim se edhe pse të ëndërruarit përmban gjithnjë një tendencë për t’iu larguar ose shmangur detyrës çështja nuk zgjidhet dot vetëm me një këshillë dashamirëse. Çfarë na intereson gjithmonë është të shtrojmë pyetjen për çfarë bëhet fjalë, çfarë po ëndërron fëmija … dhe duhet të dimë se kemi fëmijë shumë të mprehtë në këtë aspekt. Ndërkohë nëse thjesht i themi fëmijës mos ëndërro, duhet të përqendrohesh dhe kaq, atëhere mund të qëllojë që të anashkalojmë një aspekt thelbësor të jetë së tij të brendshme. Shpesh herë pikënisja mund të jetë ëndrra dhe më pas do të trajtojmë ikjen. Mund t’i themi prindërve kujdes ruajeni këtë cilësi të fëmijës (të ëndërruarit) sepse fëmija ndërkohë po zhvillon një aftësi që do t’i nevojitet më vonë dhe vetëm më pas do merremi me problemin. Pra në fillim do të qëndrojmë tek kjo cilësi, kjo aftësi që fëmija po zhvillon pasi përbën një aspekt pozitiv dhe nuk duhet shndërruar ëndërrimi në një mangësi që duhet “çrrënjosur” sepse fëmijët do të kenë nevojë për imagjinatë në të ardhmen.

Modelet e të mësuarit 

Shkolla rrezikon shpesh herë të zhvillojë një model unik të të mësuarit bazuar mbi një tip kujtese riprodhuese, e nevojshme gjatë viteve të vegjëlisë kur fëmija mëson të flasë e të komunikojë nëpërmjet këngëve, vjershave p.sh. në çerdhe ose në klasat parashkollore kur mëson të shkruajë e të lexojë etj. Por ky model i kujtesës riprodhuese i shtrirë në kohë dhe i sistematizuar (nganjëherë deri në shkollën e mesme) krijon tek fëmija i vogël një tension të brendshëm (ndërpsikik). Cilësitë e tjera të zhvillimit të menduarit kritik (l’esprit critique) dhe abstrakt janë shpesh atipike në qasjet e politikave arsimore (sidomos ato publike në Shqipëri ku koha në dispozicion për shkëmbimet mësues-nxënës është e vogël dhe zhvillimi i inteligjencës abstrakte ose konceptuale kërkon kohë).

Në të njëjtën frymë ndeshim shpesh zbatimin e modeleve ndëshkuese (vlerësimet pedante e repetitive ndaj sjelljes së fëmijës gjatë orës në klasë). Këto qasje të përqendruar tërësisht tek sjellja po hyjnë në lojë gjithmonë e më herët dhe po i ndeshim edhe në politikat arsimor parashkollor (kryesisht të vërejtura në arsimin privat me gjasa nga mundësia e këtyre shkollave për të punuar më intensivisht në mënyrë individuale me fëmijën por me riskun për ta reduktuar fëmijën në një grafik sjelljesh të dëshirueshme ose të padëshirueshme për t’ju servirur prindit por duke shmangur domethënien e arsyeve nga burojnë këto sjellje).

Ndërkohë problemet që mund të shfaqin të rriturit më vonë janë shumë të lidhura me çfarë ndodh me të mësuarit gjatë fëmijërisë së hershme. 

Kur fëmija por kryesisht adoleshenti refuzon ndihmën që i propozohet për mësimet pas shkolle, (fenomen i vërejtur sidomos gjatë periudhës së pandemisë kur shumë prindër ndërmorën me pahir rolin e mësuesit duke u futur në një kalvar të vështirë tensionesh prind-fëmijë), pyetja që duhet shtruar që në fillim është : si mëson fëmija ?

A e përsërit me zë të lartë mësimin ? 

Duke e përsëritur me zë të lartë mësimin fjalët shkruhen në kokë (që konsiston në të mësuarit përmendësh vizualisht) por kjo përjashton aksesin në procesin e të kuptuarit. Një fëmijë që mëson në këtë mënyrë i duhet kërkuar që pasi e ka përsëritur mësimin në këtë mënyrë ta thotë mësimin me fjalët e tij/saj. Këtu hyn procesi i të kuptuarit. Fëmijës (14-15 vjecar) që është tashmë në vit të parë gjimnaz i kërkohet : të analizojë, të krahasojë dhe të argumentojë (inteligjenca konceptuale dhe deduktive). Në këtë pikë të gjitha strategjitë e mëparshme të mësuarit përmendësh do të bien poshtë dhe fëmija nuk është më në dijeni që i duhet të ndryshojë metodë (kjo vlen shpesh herë edhe për studentët në vit të parë). Shpesh fëmija e gjen veten me nota jo të mira ndërkohë që kishte rezultate shumë të larta në 9-vjeçare pasi kishte përdorur gjerësisht metodën e të mësuarit ku hyn në lojë kujtesa riprodhuese.

Këtu duhet të nxjerrim mësimin se të mësuarit tanimë konsiston në dhënien e kuptimit pasi në mendjen e tij ka jo vetëm imazhe dhe një të folur të brendshëm por ka gjithashtu emocione dhe ndjesi. Me këtë koktejl të tërë elementësh fëmija arrin të jetë i vëmendshëm, të memorizojë, të krijojë duke ndërthurur regjistra të ndryshëm, të nxërë etj.

Nga ana tjetër duhet kuptuar çfarë është kujtesa. Kujtesa nuk është çfarë ka ndodhur në të shkuarën por çfarë unë kam ndërmend të përdor në të ardhmen. Por kur ndodheni përballë një fëmije që është në të tashmen, duhet kuptuar se njëherazi fëmija e ka të pamundur të pozicionohet (ose nuk i volit) në raport me të ardhmen. Prandaj fëmija harron, ndaj themi shpesh duhet përsëritur shumë herë sepse imagjinojmë se duhet përdorur informacioni në të ardhmen. Kujtesa punon drejt të ardhmes jo të shkuarës, në kuptimin pra të qëllimit që funksioni i kujtesës përmbush për individin.

  Këshilla praktike për prindërit : * Ta shoqërojnë fëmijën e tyre përgjatë gjithë procesit shkollor:

Ta inkurajojnë gjatë procesit të nxënies : të leximit dhe të shkrimit si dhe në shtysën e brendshme që çdo fëmijë shfaq (që në moshë të hershme) për të qenë sa më i pavarur në aktivitetet e përditshme Ta ndihmojnë fëmijën e tyre të zhvillojë sensin e përgjegjësisë, duke i mësuar respektin e nevojshëm për vetveten dhe të tjerët si dhe t’i mësojnë fëmijës vlerën jetike që kanë rregullat e jetës në komunitet Ta ndihmojnë fëmijën të arrijë një regjim jetësor të ekuilibruar (gjumin dhe ushqyerjen e ekuilibruar, vetëkujdesin trupor, aktivitetin fizik etj.) elementë të cilat do e ndihmojnë atë të jetë më i gatshëm për të mësuar por gjithashtu do ta ndihmojnë gjatë adoleshencës t’i përballojë më mirë tundimet ndaj sjelljeve me risk.

Jolka Nathanaili-Penotet * Referenca : https://www.education.gouv.fr/les-parents-l-ecole-9899   © 2020, Njësia për Fëmijën & Familjen Nyjelakim. Të gjitha të drejtat të rezervuara.  

Leave a Reply