Jazz dhe psikanalizë

Nga

Publikuar tek Prezantime/Reportazhe/Intervista, me 14 Nëntor 2017

Eva Filaj

voix

Jazz dhe psikanalizë

Para pak kohësh, isha në Paris në një kongres psikanalize organizuar nga Shkolla Lakaniane e Psikanalizës. Në një nga mbrëmjet që kaluam atje, bashkë me një kolege, ndoqëm një koncert jazz. Jazz është një nga pëlqimet e mia të kahershme dhe koncerti, për të disatën herë, nuk më zhgënjeu, përkundrazi.

Solisti që performonte në skenë, Dwight Trible, kishte një mënyrë shumë të veçantë interpretimi. Në një lojë të vazhdueshme me zërin e tij, ai e kulmonte atë në kufijtë e një klithme për ta ulur më pas ndjeshëm, deri në fikje. Dukej se, mënyra që kishte zgjedhur për të interpretuar, përçonte mesazhe të kodifikuara, që rrihnin përtej muzikës.
E përkryer!
Isha përfundimisht nën sharmin e kësaj loje.

Në një moment gjatë mbrëmjes, ndërsa ishim duke admiruar performancën e artistit në këtë kafe-restorant parizien, me zë të ulët, i them koleges sime se “për mua, jazz dhe psikanaliza janë njëlloj, po aq pasionues”. Krejtësisht e qartë për vendin e secilës prej të dyjave në jetën time, më surprizoi associmi që bëra.

Ditë më vonë, ndërsa i rikthehesha këtij momenti dhe këtij verbalizimi pëshpëritës gjatë koncertit në Paris, ngjashmëria midis psikanalizës dhe jazz-it, apo muzikës në përgjithësi, m’u duk akoma më e fortë. Të dyja ndajnë përpjekjen ambicioze për të shndrruar ëndjen (jouissance) në një tjetër formë, më të deshifrueshme. Ndërsa muzika bën me ëndjen jazz, (ashtu siç arti në përgjithësi, bën me ëndjen pikturë, kinema, arkitekturë) psikanaliza, duke kaluar nga e pavetëdijshmja, e deshifron ëndjen në simptomë, të cilën ka më pas detyrën ta interpretojë dhe ta trajtojë.

Mendoj që ia vlen të ndalem një çast, megjithëse e di që do të ishte krejtësisht e pamjaftueshme dhe se do te duhej shumë më tepër se një çast për të qartësuar këtë koncept, tek jouissance (apo ëndja, siç guxova ta përktheja). Jouissance është një fjalë e cila i shpëton kuptimit të saj dhe kjo jo vetëm në shqip. Ajo përfaqëson par excellence realen, e cila nuk mund të mbërthehet nga shenjuesit. Jouissance është një koncept të cilin Jacques Lacan e ndërtoi dhe e plotësoi gjatë gjithë veprës së tij. Lacan e dallon jouissance nga kënaqësia apo fjalë të të njëjtit regjistër që ekzistojnë në të gjitha gjuhët. Ai shprehet se: “subjekti nuk kënaq thjesht një dëshirë, ai ëndet të dëshirojë dhe ky është një dimension thelbësor i ëndjes”1 (jouissance).

Le ti rikthehemi solistit të jazz-skenës dhe lojës së tij në skenë (dyshoj që ai riprodhon të njëjtën lojë jashtë skene dhe nëse një herë tjetër do të ndaleshim tek skena, do të gjenim po kaq lidhje me psikanalizën). Ndërsa interpretonte lojën e tij (pak rëndësi kishte kënga që këndonte, loja ishte gjithmonë e njejta), trupi i tij përfshihej në një ëndje gati të prekshme. Mesazhet që përcillte gjatë interpretimit nuk dukej se synonin vërtet publikun e sallës, ato i përkisnin vetëm atij. Dritat e ngrohta të skenës e shkëputnin plotësisht nga salla e zhytur në errësirë duke ia berë më të lehtë arritjen e kësaj ëndjeje. Dhe zëri, që çante qetësinë e respektueshme me të cilën pritej, ishte i mangët, tërësisht i zhveshur nga çdo lloj kuptimi.
Pikërisht kjo është rruga e muzikës, aq e veçantë në raport me gjuhën. Ndërsa gjuha vuan pamjaftueshmërinë e fjalëve, muzika nuk e ka këtë pengesë, përkundrazi mungesa e tyre e pasuron atë duke i dhënë mundësi të pafundme interpretimi.

Duke ardhur në këtë pikë, nuk kam se si të mos ndaloj në përkufizimin e Lacan-it për zërin si objekt pulsional (apo ky ishte qëllimi që në fillim??). Për herë të parë në psikanalizë, Lacan foli për zërin si objekt (Seminari X). Kur flitet për objekt në psikanalizë, flitet gjithmonë për “objektin e humbur”, një referencë themelore frojdiane. Nga Freud njohim pesë objekte të tillë: gjirin, feçet, fallusin, paranë dhe fëmijën ndërsa Lacan iu shton këtyre dy objekte te tjera: vështrimin dhe zërin (që pasohen më vonë nga të tjerë).

Sipas Lacan, për çdo subjekt folës egziston një funksion objekti, një funksion që ka të bëjë me nje objekt të cilin ai e quan objekti a. Ky objekt sipas Lacan ka një funksion, ai është “si një fije, e destinuar të na lejojë njohjen e identitetit të objektit nën format e ndryshme me të cilat ai na shfaqet”2.

Vazhdon…

1. J. Lacan, « Les formations de l’inconscient », seanca e 26 mars 1958.
2. J. Lacan, Le séminaire, livre X, L’Angoisse (1962-1963), Paris, Le Seuil, 2004, p. 102.

Lini një Përgjigje