Francesca Biagi-Chai: Funksionet e Babait

Nga

Publikuar tek Konferencë, Tekste me 6 Janar 2012

Tekst i mbajtur nga psikoanalistja franceze F. Biagi-Chai në konferencën e saj mbi funksionet e babait në psikoanalizë. Çfarë është babai ?  Figura e tij shtjellohet këtu nga romani i V. Hygo-it ‘ Të mjerët ‘, tek rasti i Hansit të vogël i Freud-it e deri tek roli i tij në pikëpamjen lakaniane. Rol strukturues në të pavetëdijshmen, i cili vepron nëpërmjet Emrit-të-Babait. Francesca Biagi-Chai shtron çështjen e rolit të babait modern e nyjëtuar kjo me rrafshin simbolik të subjektit por jo vetëm …

   

     

Funksionet e Babait

Funksioni i mitit: nevoja për psikoanalizën

Çfarë është babai ? Këtë pyetje ia bën vetes qenia folëse, ose parlêtre-i, siç e quan Lacan-i, me një neologjizëm që vlen si koncept. Qenia e njeriut themelohet në të folurit, ose ligjërimin (parole). Ligjërimi sjell me vete një prerje që e ndan njeriun nga natyra; ngre një barrierë që diferencon, për të, instinktin nga pulsioni. I themeluar si i tillë në atë masë që quhet a emërtohet, babai është faktori madhor i atij socializimi të ëndjes që mundëson lidhjen me të tjerët. Këtë e kanë quajtur pakti i të folurit. Kjo është edhe çka gjithë bota sot ka rënë dakord ta njohë si një nga kontributet e psikoanalizës: miti i Edipit, i bartur në subjektin e sëmurë me vetveten, me familjen e tij, me të tjerët; i pazoti të përmbushë dëshirën ose vullnetin e tij, ose çka shënjon fjala simptomë. Për të kuptuar funksionet e babait – dhe kjo përligj edhe përdorimin e shumësit – Freud-i iu referua tre miteve: Edipit, Totemit dhe tabusë, Moisiut dhe monoteizmit. Shtrohet çështja: çfarë i hyn në punë psikoanalizës referenca ndaj mitit ? Përvoja analitike shtjellohet e tëra në fushën e të folurit, dhe të folurit është i pacak. Ligjërimi (le langage), përkundrazi, parakupton që të kesh diçka për të thënë, diçka të nyjëtuar, diçka që për subjektin shënjon dhe përfton një pikë ndalimi, një efekt të së vërtetës, brenda pafundësisë së mundësive. Miti nuk është diçka që fikson, në mënyrë ahistorike, marrëdhëniet dhe raportet; një cak në orvatjen që bën njeriu për ta rrokur botën, për ta shpjeguar. Është, në një farë mënyre, një referencë që e shmang Perëndinë dhe brendashkruhet në gjuhë. Mirëpo Lacan-i na kujton se gjuha është kusht për pavetëdijen dhe jo e kundërta. Subjekti përshkohet, kështu, nga funksioni strukturues i miteve. Me anë të veprës Totem dhe tabu, Freud-i i jep funksionit të babait vend qendror në psikoanalizë, por në formën e mungesës. Kjo i përgjigjet, me përkufizim, funksionit simbolik. Këtë funksion Freud-i e brendashkruan nëpërmjet vrasjes së babait, të një babai absolut, të pamundshëm si i tillë për qenien folëse. Që të ketë baballarë, duhet që babai i vërtetë, i vetmi, uniku, të gjendet aty, para hyrjes në histori. Në këtë mit, fiksion logjik, babai si mashkull i fuqishëm – zotëron lirisht një pushtet të pakufizuar ndaj femrave dhe bijve të vet. Këta ngrenë krye dhe e vrasin, dhe secili prej tyre dëshiron t’ia zërë vendin. Pas vrasjes, kjo rezulton edhe më e pamundur dhe kontrata sociale e bazuar në heqjen dorë nga instinktet bëhet trashëgimia e babait, ose vendi që i ruhet, si baba i vdekur, nëpërmjet shënjuesit të tij. Tabuja e incestit dhe ligji i ekzogamisë e kanë zanafillën në pamundësinë e qenies folëse për të arritur ëndjen totale. “Ëndja tërësore i është ndaluar qenies folëse si e tillë.” Kësisoj, brendashkruhet edhe rendi simbolik i artikuluar, por i shpuar (troué). Etika e psikoanalizës demonstrohet edhe nga fakti që Freud-i vetë nuk ka ndonjë pozitë përjashtimore në raport me njerëzimin. Duke e rilexuar Freud-in nën dritën e studimeve të Lévi-Strauss-it për mitet dhe teorinë e Saussure-it për shënjuesin, Lacan-i e zhvendos mitin në strukturë. Ky operacion diferencon tri përmasa: simboliken, ose rrjetin e shënjuesve; imagjinaren, ose efektet e ashtuquajtura të pasqyrës, që përftohen nga fusha pamore; dhe realen, ose çfarë mbetet e pamundshme për t’u rrokur, për t’u emërtuar, por që operon në fushën e pulsioneve.

Funksioni i babait në universalitetin e vet për…

Babai i vdekur i Freud-it bëhet, te Lacan-i, Emri-i-Babait ose babai simbolik. Çdo fëmijë mund ta besojë ose ta shohë veten si objektin ekskluziv të dëshirës së nënës, të mjaftueshëm për ta kënaqur. Fëmija është, në atë moment, një shtojcë fantazmatike e dëshirës së saj, ose në mënyrë më rrënuese, objekti i saj real. Emri-i-Babait ia zë vendin dëshirës së nënës. Ky zëvendësim bën që femra të shkëputet, për pasojë, nga nëna dhe që fëmija t’i dorëzohet shënjimit fallik. Nëna dëshiron, përtej tij, fallusin. I takon babait, si real, që ta sigurojë këtë dhe është babai imagjinar, i perceptuar si impotent ose jo në lartësinë e kësaj detyre, që kristalizon kërkesat, ankimet dhe qortimet e neurotikëve të mitur. Një rast fobie i një fëmije 5-vjeçar, i shtjelluar prej Freud-it, dhe që ky pastaj e përfshiu në pesë psikoanalizat e veta kryesore, është emblematik për metaforën atërore, për të cilën flet Lacan-i. Hansi është një djalë i vogël, i rritur në Vjenë në një mjedis borgjez; babai i tij është dishepull i Freud-it. Këtij babai s’i mungon as zgjuarsia, as dhembshuria, as dashuria për të birin. Por këto nuk arrijnë të shmangin shfaqjen e një simptome tejet sakatuese, që nuk e lë fëmijën të dalë nga shtëpia: fobia e kuajve. Po të lexosh ç’ka shkruar Freud-i, të bie në sy fakti që marrëdhënia e Hansit me të ëmën ia pushton këtij fëmije mendimet, veprimet dhe ekzistencën tërësisht: ajo e merr në shtrat kundër dëshirës së të jatit, dhe Hansi interesohet dhe e vrojton universin e së jëmës deri në hollësitë më intime, si p.sh. të mbathurat e vogla. Ai fantazon për fallusin dhe kërkon që ta gjejë: ku e ka vendin? Te babai? Te nëna? Apo te kafshët? Nuk del dot nga ky qorrsokak. Lindja e një motre të vogël, por sidomos ajo ngjarje trupore që është ekzistenca e penisit për të, krejt real, dhe që fillon të shfaqet si i tillë, ndërhyjnë me përdhunë në këtë harmoni fillestare. Mirëpo nëna nuk do t’ia dijë për këtë bisht të vogël të tijin, që lëviz. Hansi gjendet, atëherë, në udhëkryq, ose në pikën ku takohen realiteti i pulsionit dhe iluzioni i marrëdhënies së tij me nënën. Simptoma e tij është barasvlera e një thirrjeje ndaj babait simbolik. Kali, që – siç na kujton Lacan-i – është i njëjtë me ata që gjen në emblemat, funksionon si totem dhe ia zë vendin shënjuesit të babait simbolik. Kali kafshon – Hansi ka frikë nga kjo – diçka e ndaluar ia përshkon mendjen; duke e nxjerrë Hansin nga një angështi më e thellë, më e pamundshme për t’u bërë ballë. Fobia do të zgjidhet; Freud-i, nëpërmjet babait të Hansit të vogël, të cilin e këshillon, por edhe gjatë takimeve me fëmijën vetë, e zëvendëson kalin me diçka që i paraprin tashmë: dijes së mitit. I thotë: “Para se të lindje ti, unë kisha parashikuar që, një ditë, një djalë i vogël do ta donte shumë nënën dhe, për këtë arsye, do të kishte probleme me babanë.”# Freud-i ndërhyn në realitet, për t’i dhënë mbështetjen simbolike një babai imagjinar tepër të butë. Këtu ka munguar pikërisht babai si baba real; që nuk është futur në rendin simbolik, i cili Hansit nuk i mungonte; për t’i dhënë mishërimin e vet; për t’i shënjuar që, çfarë kërkon nëna është ai që e ka; dhe për t’i dhënë jetë funksionit dhe rolit: jetë në kuptimin trup. Fallusi dhe ana e tij e pasme, kastrimi simbolik, nuk kanë kuptim tjetër tjetër, përveçse që fëmija privohet nga objekti i tij në marrëdhënien me nënën prej atij që fallusin e ka, në çdo rast; dhe po ky objekt simbolik do t’i jepet një ditë, gjatë përdorimit që ai do t’ia bëjë ëndjes.

…. një lokalizim i strukturës

Siç e kemi parë, babai nuk është i njëjtë me metaforën atërore. Megjithatë, funksioni i babait, i konsideruar nëpërmjet Edipit dhe Emrit-të-Babait në përmasën e vet universale, na ndihmon të orientohemi në strukturat klinike. Kur metafora atërore nuk vepron, subjektit i mungojnë operantë të rëndësishëm, si babai, fallus-i, simptoma për të interpretuar enigmën e marrëdhënies seksuale. Subjekti psikotik i dorëzohet një grope (béance) që e shkul me rrënjë shënjuesin nga trupi; fallus-i reduktohet në organin, ose në realitetin e funksionit të tij; simbolikja bëhet reale. Nëse simptoma, angështia, frenimi shënjojnë, te neurotiku, kthimin e asaj që ishte ndryrë, d.m.th. të nënshtrimit të tij parësor të pazgjidhur, të palejuar ndaj kastrimit atëror, rendi i shënjimit fallik, të cilin Lacan-i e quan la paroisse (famullia) nuk cenohet. Mund të ndodhë një identifikim me dukjen, që i bën vuajtjen, pengesën të arritshme, në mos të kuptueshme; të paktën kuptohet se subjekti mund të jetë i prirur ndaj deshifrimit, kërkimit të së vërtetës së vet, të një ndryshimi të mundshëm. Me psikozën nuk ndodh kështu. Kur nis psikoza, në këtë gropë mund të shfaqen dukuri perceptive, halucinacione, delire, ngjarje trupore si dismorfofobitë, të pasimbolizuara, ose elemente të huaja, të tilla që të shkaktojnë, te subjekti, një çarje (schize) ose një kërcënim, një vdekje subjektive. Pikërisht aty na duhet të shkëputemi nga kjo reale që është, për ta thënë tamam, e pa-besueshme (in-croyable) dhe të cilën s’mund ta arrijmë veçse nëpërmjet dëshmisë dhe të folurit të subjektit, i cili duhet marrë seriozisht, fjalë për fjalë. Kjo, kur struktura përvijohet në shfaqjen (déclenchement) e sëmundjes. Përkundrazi, kur psikoza nuk përfaqet, çarja nuk dallohet dot. Në rrafshin e ëndjes singulare, kur mungon babai, është subjekti që detyrohet – nëpërmjet një shpikjeje, një krijimi të vetin – të kryejë një qepje, të ndërtojë një urë, ose të kryejë një shënjim të ri, të tilla që ta lejojnë të mbahet në këmbë, në botë: një plotësim i përkohshëm, ose ajo Aufhebung e simptomës, të cilën Lacan-i do ta quajë sinthomë (sinthome). Prandaj edhe do të shkruajë: “Mund të bëjmë edhe pa Emrin-e-Babait, me kusht që ta përdorim.”

Singulariteti i babait është që…

Mësimi i parë i Lacan-it e vuri theksin te universaliteti i funksionit atëror. Siç e pamë tashmë me Hansin e vogël, raporti i babait real me instancën simbolike të Emrit-të-Babait është vendimtar. Në mungesë të babait real, fëmijës iu desh që ta zëvendësonte me kalin.  Metafora ishte e pranishme në të, por mungonte njeriu se ku të mishërohej. Përkundrazi, siç nënvizon Jacques-Alain Miller në kursin e tij të dt. 4 maj 2011, “mësimi i fundit i Lacan-it e nxjerr me forcë babain nga universalja, për ta vendosur në singularitet (singularité). Ajo çfarë bën babai, juaji, është që ta singularizojë dëshirën e vet te një femër si e tillë, mes të gjitha të tjerave. Këtë Lacan-i e ka quajtur versioni i babait (perversion).” Lacan-i kishte folur, tashmë, për efektet psikotike të shkaktuara prej një babai të identifikuar me funksionin e vet universal të babait. Janë të shumtë shembujt e baballarëve që barazohen me ligjin, si ai i babait të presidentit të ShBA Wilson, ose babai riedukator i trupit, i Presidentit Schreber, një pacient i Freud-it; ose të baballarëve pa asnjë cen, pa asnjë dobësi. Pikëpamjen universalizuese Lacan-i e zëvendëson me Njëshin. “Duke shkruar ekziston njëshi (y a d’l’un),” vëren Jacques-Alain Miller, “ai ia flijon totalitarizmin e universales singularitetit të Njëshit. Duke e kundruar babanë si singularitet të shquar, e zëvendësojmë, na thotë ai, në nivelin e simptomës.” Këtu do të përmendim, sepse nuk është se e kemi harruar, edhe mitin e tretë të Freud-it, që lidhet me burrin Moisi dhe fenë monoteiste. “Pse pati nevojë Freud-i për Moisiun?” pyet Lacan-i, në Ana e pasme e psikoanalizës. “Moisiu është një emër i përveçëm, është një person, një burrë, çka e konfirmon titullin e Freud-it,” na shpjegon Jacques-Alain Miller. “Freud-i pati nevojë për një burrë të madh (grand homme), për të shpjeguar fenë monoteiste. Pati nevojë për një burrë të madh, për të shpjeguar primatin e Zotit një, një instancë e mëtejshme e sovranitetit të shënjuesit një.” Shënjuesi një është, këtu, kryeshënjues (signifiant-maître), siç e ka quajtur Lacan-i; ose çka zë vend të dorës së parë në jetën e subjektit, të cilin e gjen në udhëkryqin e ngurrimeve dhe të vendimeve; çka drejt së cilës konvergon fusha semantike që organizon ëndjen e tij, deri në atë pikë sa subjekti të mund të emërtohet nga ai shënjues. Një emër i fatit. Për një burrë e ka fjalën Freud-i, kur pyet se si është e mundur që një njeri t’ia ketë dalë mbanë kësaj pune të jashtëzakonshme, për të shndërruar familje dhe individë të ndryshëm në një popull unik; dhe për të përcaktuar, kështu, fatin e tij në shekujt e ardhshëm. Burri i madh zë vend, në fakt, në vargun ose në rrjetin e shkaqeve përcaktuese, historike ose sociologjike, nëpërmjet cilësive të veta, ose atij plus-i që i duhet, për ta bërë të ekzistojë idenë që ai mbron. Këtë plus Freud-i e quan personalitet. Babai që merr mbi vete përgjegjësinë seksuale, do të jetë për të birin burri i madh i familjes. Kështu mund ta kuptojmë çfarë thotë Lacan-i për babanë, në seminarin XIX, ku ai nxjerr në pah të vetmin funksion vërtet vendimtar të babait: “Në të gjitha rrafshet, babai është ai që duhet të mahnitë familjen.” Çfarë do të thotë mahnit (épater) dhe pse e zgjodhi Lacan-i pikërisht këtë fjalë ? Në frëngjishte, épater është një fjalë e rëndomtë, që do të thotë “mahnit”, “çudit”, “impresionoj”, “lë gojëhapur” por me kuptim të mirë, si në shprehjen: épater la galerie, për një artist që e lë publikun gojëhapur. Fjala i ruan lidhjet me rrënjën e vet, patte (këmbë, putër, shputë), meqë babai e mban familjen nën putrën e vet, nëpërmjet efektit që prodhon, dhe ky efekt ka gjithnjë marrëdhënie me trupin. Babai tregon rrugën e dëshirës, por edhe të një ëndjeje të mundshme. Kemi gjetur në letërsinë e shekullit XIX, në romanin Të mjerët të Victor Hugo-it, një ilustrim pothuajse paradigmatik të funksionit të babait, që mahnit “në të gjitha rastet”, siç thotë Lacan-i; dhe këtu, jashtë familjes.

 

… të emërtojë

Funksioni i babait, në singularitetin e vet, shfaqet, njëfarësoj, te adoptimi që i bëhet një burri, Jean Valjean-it, prej një burri të madh, imzot Myriel-it, peshkopit të D.; dhe veçanërisht në episodin e njohur të llambadarëve prej argjendi. Ju do ta mbani mend këtë histori: Jean Valjean-i sapo është liruar nga burgu i Toulon-it, pasi ka kaluar aty 19 vjet. Me prejardhje nga një familje e varfër fshatare, ai ka mësuar të lexojë në burg. Një detaj që na tërheq vëmendjen: ai përdor të njëjtin emër dhe mbiemër si babai i tij, i vdekur qëkur. Vallë të ketë lindur prej vetes? Një mbrëmje, kur është duke kërkuar një vend ku të kalojë natën, një strehë ku të futë kokën, ai i troket në derë një peshkopi, imzot Myriel-it. Marrim vesh që ky dikur ka qenë i martuar, shumë i ri; dhe i ka njohur kënaqësitë e mishit, por sidomos që ai parapëlqen dijen ndaj dogmës: “Ai nuk dënonte asgjë me ngut dhe pa marrë parasysh rrethanat. Thoshte: “Përkundrazi, pa të shohim se ç’rrugë ka bërë gabimi.” Nga sa shohim, ai nuk identifikohet tërësisht me funksionin e vet, por ruan një distancë të shëndetshme. Këtë presim edhe nga një baba, që ai të njohë dhe të bëjë të vetin një shkak, përveç dëshirës. I refuzuar prej të gjithëve, Jean Valjean-i pranohet prej imzot Myriel-it, i cili e fton të hajë darkë dhe të flerë nën çatinë e tij. Tryeza shtrohet si zakonisht, me servise të argjenta. Në mes natës, Jean Valjean-i ngrihet dhe vjedh serviset e argjendta, para se të rimarrë rrugën. E kapin xhandarët, që pastaj ia sjellin imzot Myriel-it në shtëpi. Kur i sheh, peshkopi menjëherë, madje pa ia lënë kujt radhën të flasë, i drejtohet Jean Valjean-it: “Ah, ja ku qenkeni! Sa i gëzuar jam që ju pashë përsëri! Ju kisha dhuruar edhe llampadarët, që janë gjithashtu prej argjendi si të tjerat, dhe që mund t’i kishit shitur për dyqind franga. Pse nuk i morët me vete, së bashku me serviset?” Pkërisht këtu, dhe përtej bamirësisë së krishterë, peshkopi e mahnit Jean Valjean-in, e lë gojëhapur. “Jean Valjean-i shqeu sytë dhe e vështroi hirësinë e tij, peshkopin, me një shprehje që nuk ka gjuhë njerëzore ta rrëfejë.” Këtu përftohet një pakt dhe një dhuratë ligjërimore, diçka e rendit të babait që thotë po. Një baba që imponohet, një burrë që, nëpërmjet kësaj po-je, e rrok subjektin që e ka humbur vetveten brenda Tjetrit social. Një baba që ka përdorur paradoksin, që nuk e ka konsideruar subjektin si të barasvlefshëm me veprat e tij. Në momentin kur e lirojnë Jean Valjean-in, ky baba konfirmon që fjala e tij nuk është e kotë, meqë ajo koordinohet me ëndjen. Ai dhuron objektin e kësaj ëndjeje – llambadarët – shtesë e ëndjes, meqë këta ende nuk ishin vjedhur. Llambadarët janë barasvlera e një objekti a lakanian, objekt i tillë që të shkaktojë një dëshirë te subjekti. Imzot Myriel-i investon te subjekti, por edhe më tej subjektit, duke ia përcaktuar kështu të ardhmen: “Mos harroni kurrë se më keni premtuar që t’i përdorni këto para për t’u bërë burrë i ndershëm.”  Burrë i ndershëm (Honnête homme) është tash e tutje kryeshenjuesi që do t’ia drejtojë jetën Jean Valjean-it, një emër i qenies së tij, një emër i fatit të tij. Duke e konceptuar babain si singular, Lacan-i i paraprin përmasës moderne të babait që e ka hedhur në erë familjen trekëndore edipiane. Me këtë, ai shpëton artin për të qenë baba, i cili art mund të zbatohet nga cilido burrë e cilado grua; dhe që sot po konfirmohet element i çmuar për të sfiduar prirjet cinike të shoqërisë hipermoderne.

Francesca Biagi-Chai    Tiranë, 4 nëntor 2011

Përktheu  Ardian Vehbiu

Lini një Përgjigje