Gjuha versus ndjenja

Nga

Publikuar tek Fëmija me 17 Dhjetor 2020

Gjuha versus Ndjenja

                                              Gjuha (mendimi) versus ndjenja!

Kur pyetet ‘A t’pëlqeu libri?’ e sigurt që libri është një objekt konsumi…po përse nuk ndryshojmë pyetjen ? Po sikur të mos të të ketë pëlqyer? Do ishte me vend sikur një libër, një tekst etj. të mund të fuste në mendime dhe më pas mund të diskutohej dhe ndjenja. Reklamimi i tepërt dhe shndërrimi i gjithçkaje në objekte konsumi e katandis njeriun në qenie të shfrytëzueshme më së paku. Fëmijës së vogël kur i lexojmë një libër i propozojmë një zhytje të menjëherëshme në mendime dhe sigurisht ndjenjat do pasojnë por nuk janë thelbi. Thelbi është vënia në lëvizje e mendimit me anë të gjuhës. Ndërsa ndjenjat duan kohën e vet të lindin dhe janë tejet të ndryshueshme lindin e perëndojnë sipas midesë (Lacan-i i cilësonte si të rreme). Ndjenjat sidomos me kalimin e kohës dhe maturimin e fëmijës fillojnë gëlojnë ndaj qëllimi i një fotografie apo përcaktimit të tyre me emra është një dava e humbur.
Kur e reduktojmë çdo gjë tek ndjenja ehde pse mund të duket yshtëse, të jeni të sigurtë se e varfërojmë njeriun dhe nisemi drejt një shtegu qorrsokak. Le t’i lëmë ndjenjat më vete, pa cilësime apo përkufizime, për t’i lejuar fëmijës t’i përjetojë lirshëm, fundja dhe t’i vërë emrin vetvetiu (por ky tipar i përket më shumë prindërve që rreken të emërtojnë çdo gjë).
Le ta lëmë fëmijën të mendojë lirshëm sa kohë është ende në kohë ta bëjë. Liria e mendimit është e pakufijshme ndërsa ajo e ndjenjës është e gënjeshtërt pasi të premton ëndje të pafundme në horizont por të lë në qorrsokak nga ana e të menduarit.
Ngritja e pyetjeve si psh. ‘A t’pëlqeu libri?’ herët a vonë rrëshket drejt paradokseve të regjistrit imagjinar.
Pikërisht për faktin se ndjenja apo afekti është gjithmonë imagjinar s’ka vend për më shumë se një ndaj rivalitetit është i vetmi fryt që kjo pemë jep). Ka dhe pyetje si : kë do më shumë, mamin apo babin? ….. E imagjinoni fare qartë ç’fund ysht ky mendim ku rrafshohen në një ndjenjë të vetme (simbiozë fitimtare ku dy bëhen një) duke ia cunguar botën fëmijës të cilit i duhet të zgjedhë mes dy marrëdhënieve tejet të ndryshme, asaj me nënën dhe asaj me babanë. Asnjë fëmijë nuk do donte të zgjidhte dhe thellë thellë nuk do dinte as se si të përgjigjej se nuk krahasohen dy regjistra kaq të ndryshëm sa i përket funksioneve që kanë tek formimi i fëmijës. Do ishte me vend që të rriturit të mësonin më shumë nga fëmijët në këto kohë të egra imagjinare ku çdo gjë të përplaset në sy, ku po shndërrohemi në një lloj syri që ha….në vend që të flisnim, të vështronim e të dëgjonim duke qarkulluar botën nga këto zgavra, zona pulsionale frojdiane par excellence.
Do zgjidhja instinktivisht të më merrte për dore fëmija, i cili e di fort mirë që ciklin e kohës së ndjenjës e ka po aq të shkurtër sa konsumimi i një fruti apo i një përralle ndërsa mendimi që ky fëmijë do fitojë do të mund ta ketë për shumë më gjatë, pikërisht se nuk e ha dot!

Lini një Përgjigje