Bisedë rreth filmit “Në qiell të hapur”, me Ardiola Bodinakun

Nga

Publikuar tek Film - diskutim, PRAXIS me 20 October 2018

Bisedë me Ardiola Bodinakun, psikologe pranë Qendrës Sociale “Shtëpia e Përbashkët” në Tiranë. affiche (1)E.F. – Me rastin e ditës ndërkombëtare të shëndetit mendor, në 10 tetor 2018, Rrethi Lakanian Shqiptar bëri të mundur, për të dytën herë, shfaqjen e filmit “Në qiell të hapur” me regji të Mariana Otero. Është një film i realizuar në Qendrën “Le Courtil”, një institucion për fëmijë dhe adoleshentë me çrregullime mendore. Ardiola, ti e ke parë këtë film të dyja herët, në Bibliotekën Kombëtare dhe në Spitalin Psikiatrik në Vlorë? A.B. – Po, fimin “Në qiell të hapur” e pashë për herë të parë në 11 Maj në Biblotekën Kombëtare, ku ishte takimi dhe prezantimi im i parë me Rrethin Lakanian dhe anëtarët e grupit. Si në çdo takim të parë, isha skeptike për atë që pashë, për ata që njoha, apo për pritshmëritë që mund të kisha nga ky takim. Ndërsa hera e dytë siç e thatë dhe ju, ishte data 10 Tetor, me rastin e ditës ndërkombëtare të shëndetit mendor në Spitalin Psikiatrik të Vlorës dhe e them me bindje që ishte diçka tjetër për mua.   E.F. – Në bisedën që zhvilluam pas shfaqjes së filmit, ti the që pasi e pe për herë të parë këtë film, nuk munde të bëje asnjë pyetje. Mund të na shpjegosh pse ky film të la të heshtur? A.B. – Po dhe e them sërish, u prezantova me një realitet krejt tjetër, larg asaj që jemi mësuar të shohim në institucionet tona të shëndetit mendor. Më lejoni të kujtoj diçka e të kthehem pas në kohë: Gjatë studimeve të mia në psikologji, ishte viti im i parë i studimit dhe ne prezantoheshim me institucione të ndryshme ku një psikolog mund të punojë. Si në një shkollë të zgjedhur me pasion, nuk ngutesha ti vizitoja të gjitha alternativat që më ofroheshin. Ajo që më ka mbetur sot në memorie ishte Spitali i Psikiatrisë së qytetit tim të lindjes, Elbasanit.  Ajo që më doli para syve ishte një “FERR”. Godina ishte e lyer së jashtmi me një ngjyrë pa jetë, dritaret mbroheshin nga kangjella hekuri të ndryshkur, dhe më e tmerrshmja ishte të shihje NJERËZ që “kacavireshin” nëpër hekura thua se ishin GJITARË. U stepa, këmbët s’më bënin më para, gjithsesi kureshtja ishte më e fortë. Hyra brenda, aromë e tmerrshme, zhurma çjerrëse deri në thellësi të shpirtit. Dhomat? Nëse mund të quheshin të tilla, aty kryenin dhe nevojat personale. Një rast më është ngulur fort në memorie; një djalë i lidhur me zinxhir. Nga informacioni që mundohem të marr, kjo justifikohej me faktin që ai ishte person i dhunshëm dhe e vetmja mënyrë e mbajtjes “URTË” ishte të lidhej me ZINXHIR. Shpejtova hapat që ajo vizitë të mbaronte sa më shpejt të ishte e mundur dhe u largova.  U Largova shumë e zhgënjyer nga gjithçka, së pari nga vetja me zgjedhjen që kisha bërë dhe me të gjithë shoqërinë në tërësi. Ajo ishte hera ime e fundit që vizitoja një institucion të mirëfilltë të shëndetit mendor. Pas 12 vitesh rikthehem sërisht me po ato emocione, por këtë rradhë pozitive dhe filmi në “Qiell të Hapur” më ndryshoi qëndrimin ndaj shërbimit klinik. E.F. – Gjithsesi në fund të diskutimit ti bëre një koment. E mban mend? A.B. – Po sigurisht, komenti im ishte: Herën e parë nuk bëra komente në fund të filmit, ndërsa tani, në herën e dytë, kam diçka për të thënë dhe besoj që sa më shpesh ta shoh filmin aq më shumë komente do të bëj. Nëse do duhet ta kujtoj komentin, kishte të bënte me kulturën me të cilën jemi edukuar në vitet e studimeve. Unë e kuptoj që shumë do të më kundërshtonin, që mënyrën e punës gjithsecili e vendos vetë. Po, është e vërtetë që e vendos vetë, por kjo nuk ndodh që në vitet e para të punës, madje besoj se do të duhej një dekadë eksperience që gjithësecili të kuptojë nëse kjo është mënyra më e drejtë apo më efiçente dhe të mund të shohë rezultate. Dhe mos harrojmë një fakt, që për mua është shumë i rëndësishëm, shkollimi të mëson kulturën e punës, pastaj është aftësia e gjithësecilit që ta përshtasë atë me atë që bën. E.F. – Çfarë ndryshoi për ty kur e pe filmin për herë të dytë? A.B. – Pas herës së parë ndryshimi u ndje së brendshmi sepse më duhej ta punoja me veten atë çfarë jetova ndërkohë që shihja filmin. Hera e dytë ishte ndjesia e nje transference të vetes tek qendra Le Courtil. Gjatë gjithë kohës doja të provoja ndjesitë e mia aty, doja ti prekja ata fëmijë, të jetoja dhe të kuptoja çfarë mëson nga një punë 24 orë në 24 me ta, krahasuar me një takim 40-minutësh. Deri ku të shkon durimi, teksa ti flet dhe fëmija nuk të dëgjon, teksa ti e përqafon e ai të godet, ti del në kopësht e mbjell pemë bashkë me të, ti ulesh pranë një vajze dhe i kreh flokët. E.F. – “Le Courtil” orientohet nga etika e psikanalizës lakaniane në punën me këta fëmijë dhe të rinj. Profesionistët që punojnë në këtë institucion janë klinicistë të cilët përqendrohen në veçantitë individuale për secilin nga pacientët, një punë “rast pas rasti” e cila implikon secilin prej tyre me secilin nga pacientët. Çfarë i gjen të rëndësishme kësaj qasje? A.B. – Kjo ishte veçantia që mua më la gojë hapur që në fillim, të punuarit me këta persona në disa elementë shumë jetësorë, shumë bazikë. Ata nuk i përgjigjen dot pyetjeve të vështira, komplekse. Ty të duhet të ulesh me ta këmbëkryq e të dëgjosh një koment që s’ka lidhje me lojën në të cilen je ulur të luash, por ai koment sjell copëza të shkëputura nga fragmente shumë të rëndësishme të jetës së tij, dhe kjo ndoshta shërben si element ndihmues në punën me të. E.F. – Në punën e ekipit të “Le Courtil” dijet e përgjithësuara që secili nga profesionistët zotëron nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Ajo që është e rëndësishme është ajo çfarë sjell vetë fëmija, ajo që funksionon për të si një gjetje e cila e ndihmon të përballë vështirësitë e tij. Si e sheh ti këtë mënyrë pune? A.B. – Të studiosh psikologjinë është diçka, por t’i kthesh përgjigje VAJZËS se çfarë janë mizat që ndien në barkun e saj është krejtësisht gjë tjetër.  Nga ky këndvështrimi i imi marr shkas të shprehem se edhe mënyra e punës që bën ekipi i Le Courtil, është shumë i personalizuar, është unik ashtu siç është çdo fëmijë apo i ri që ndjek qendrën. Sepse duke u nisur nga sjellja e fëmijës mëson se çfarë pëlqen dhe mbi atë që fëmija pëlqen ti mund të punosh me të. Realisht me një fëmijë nuk punon dot me përgjithësime, se “kështu e kemi mësuar në shkollë”, kurrsesi s’mund të funksionojë kështu. Ti punon çdo ditë me atë që fëmija të servir dhe kjo do durim dhe kohë për të arritur atë që do të zbulosh, por atëherë kur ata ta lejojnë. E.F. – Puna me këta pacientë, fëmijë dhe të rinj, nuk është një punë që kufizohet brenda institucionit. Profesionistët që punojnë me ta sigurojnë të gjitha hallkat e rëndësishme për ti “shoqëruar” ata edhe pasi e lënë qendrën. A.B. – Po, e vërtetë, kjo ishte diçka tjetër që më surprizoi në film. Nëse një i ri do të largohet nga qendra pas NJE VITI, ti e pregatit atë që SOT, njihesh me stafin që do të punojë më  të dhe i jep atyre gjithçka që mund ti ndihmojë në punën me të nesër. Nga ana e tyre, ata do ti njohin këta të rinj që sot, çfarë duan, çfarë nevojash kanë, si duhet ta pregatisin ambjentin në mënyrë që transferimi dhe përshtatja të jetë sa më e lehtë. E.F. – Përfshirja e prindërve në punën me këta pacientë është shumë e rëndësishme. Projektet individuale të pacientëve marrin në konsideratë çdo burim të mundshëm në rrethin e tyre, gjë që rrit shanset për suksesin e këtyre projekteve. A.B. – Po edhe unë e shoh shumë të rëndësishme, sepse të gjithë ne e dimë vlerën që ka faktori familjar dhe social për fëmijët apo të rinjtë dhe komunikimin familje –klinicist e kam parë gjithmonë si çelës suksesi. E.F. – Ardiola, të falenderoj për këtë bisedë të sinqertë dhe të uroj punë të mbarë.  

Leave a Reply