Coha e dhimbjes dhe politika e najlonit

Nga

Publikuar tek Artikuj me 1 Shkurt 2013

Po të dëgjojmë siç duhet Jacques Lacan-in, psikanalistin dhe psikiatrin e jashtëzakonshëm, të flasë për subjektin, çdokush do të mrekullohej. Kur ai fare haptazi thotë se njeriu nuk lind por bëhet subjekt, ky nuk është ndonjë proverb i lëshuar shkujdesshëm amfiteatrove francezë të fundviteve 70-të. Me fare pak njohuri klinike edhe familjarët e vuajtësit kuptojnë pa shumë filozofi se u duhet diçka më tepër sesa një etiketim apo një diagnostikim ‘profesional’. Çështja shtrohet menjëherë që këtu për të mos tjerrë pa fund fijen e ankesave të rradhës me shkrime mbi politikat e shëndetit mendor sot për sot në Shqipëri.

Ta fillojmë me atmosferën në spitalin psikiatrik në Tiranë pasi pikërisht aty llojet e bezeve që thuren i ngjasojnë stilit industrial aziatiko-indian. Më ka rënë rasti të vëzhgoj nga afër se si punojnë tezgjahët industrialë të lidhur në rrjet me makineritë-kompjuterike. Them ‘punojnë’ se vërtet këto tezgjahë industrialë punojnë vetvetiu sikur të ishin individë të mirëfilltë. Por natyrën makinerike (sidomos kapitaliste) të tyre endësi jo menjëherë e kupton dhe kjo jo pasi nuk janë më duart që e lëvizin atë por sepse objekti përfundimtar ndër të tjera ka disa veti (apo anti-veti ?) jo dhe aq të dukshme. Mjafton të përdorësh një tezgjah tradicional për të provuar ndryshimin tek dy tekstilet e përftuara. Ky ndryshim vihet re tek fijet që përbëjnë e mbajnë vetë cohën. Forca e ushtruar për t’i ngjeshur ato është tejet e ndryshme në të dyja rastet. Tekstili i industrializuar e tradhton vetveten duke lëshuar aromën e tij në kohë dhe jo aq në hapësirë.

Dua të them se të gjithë e dimë se veshjet përpara 90-tës shpesh pagëzoheshin edhe me emrat e tekstileve përkatëse. Fustanet prej basme, bluzat terital apo pantallonat e dokut bëheshin vegla të mesazheve sociale e funksiononin si nëntekste mes individëve. Këto veshje të emërtuara e mbase dhe të personifikuara, linin hapësirën e duhur e të mjaftueshme për lindjen e dëshirës jo vetëm për ndonjë fustan prej mëndafshi apo puplini por sidomos për dëshirën e individit, i cili pasi ka trajtuar me ndjeshmëri gjuhësore objektet-tekstile, mëson ta trajtojë edhe tjetrin me më shumë ndjeshmëri. Më pëlqen ta zëvendësoj mendërisht tensionin ose forcën e ushtruar në tezgjah me dëshirën, e cila sigurisht që i mungon makinerisë-kompjuter dhe i përket vetëm rendit njerëzor.

Sot në botën post-industriale vajzat e reja (të punësuara në spitalet e territorit shqiptar apo studente të pothuajse Universitetit të Mjekësisë i cili hallin më të madh e paska të lërë pas emërtimin ‘fakultet’ për të veshur atë më prestigjozin ‘Universitet’) thashethemnojnë mbi sasinë e këtyre objekteve krejtësisht të zëvendësueshme njëra me tjetrën si të ishin binjake monozigote. Gjuha e tyre nuk po lakon më dhe as nuk po emërton më por thjesht po numëron objektet duke harruar se në studimet e binjakëve monozigote çfarë nuk ndryshon është pikërisht përpjekja e parreshtur e binjakëve për t’u dalluar njëri nga tjetri. Ngjashmëria e kërkuar me kaq ngulm tek ky brez i ri studentësh e nëpunësish të shëndetit mendor, e ka origjinën pikërisht tek ngecja në kohë apo në vend numëro (numëro sa fustane, sa çertifikata me kredite ke, … sa ? sa ?).

Më bën shumë përshtypje shpejtësia e të folurit (sigurisht jo gjithmonë e mendimit) të tyre, që shfaqet thuajse në përpjesëtim të zhdrejtë me përmasën e ndjeshmërisë ndaj tjetrit. Turpi sot, gjini në zhdukje te këta të rinj, ka mërguar larg e nuk farkëton më qenien shqiptare, e cila vishet me tekstile të industrializuara. S’ka ankth e as turp në përballje me shpresëhumburit që enden korridoreve të spitaleve psikiatrike kuturu. Mbaj mend pikërisht 10 vite më parë në takimin e parë në një spital psikatrik me dikë që vuante kam ndier një angështi e një siklet përballë dhimbjes së tjetrit. Sot mund të them se falë mësuesve me një humanitet të mrekullueshëm kam mundur të kuptoj e t’i dedikohem çështjes së psikopatologjisë. Nëse sot i bëhet bisht punës minimale mendore nga punonjësit e shëndetit mendor, kjo vjen dhe nga tkurrja e thelbit human të qenies. Këta të rinj të punësuar në spitalet kryesore psikiatrike ushqejnë me ëndje një hendek mes vetes dhe pacientit.

Çfarë u mësohet sot të rinjve në departamentin e Psikiatrisë ? Diagnoza ? Mjekimi ? Prej kohësh auditoriumet publike janë të kyçura pasi aty nuk bëhet mësim e nuk u jepet as më i vogli shpjegim si të ishin fëmijë jetimë të flakur në rrugë. Këtu mund të gjejmë pak sarkazëm se në fund të fundit ç’mund t’i mësosh dikujt kur profesori nuk punon më si klinicien. Po studentët nga ana e tyre a reagojnë për këtë vakum ? Fatkeqësisht forca e dëshirës së tyre nuk qenka aq e madhe apo ndoshta edhe pse zgjedhjen e degës mund ta kenë bërë nga ‘halli’ por nuk e kuptojnë që kanë rënë kryekëput në pusin e shënjuesit dhe ngatërrojnë ‘hallet’ e njerëzve me ‘hallin’ e tyre.

Po cilat janë politikat largpamëse të shefit të psikiatrisë i cili as skuqet e as zverdhet nga parada e përditshme mjerane e dhimbjes në korridoret ‘e tij’ ? Ai është në dijeni të gjithçkaje që ndodh e madje as miza s’mund të lëvizë në atë godinë pa pyetur më parë ‘shefin’. Por ‘shefi’ nuk e sheh mizën që vërtitet me zhurmë të mbytur pa mundur të dalë nga ky jerm. I molepsur nga ‘psikologjia amerikane konjitiviste’ e prej shumë vitesh i jashtëligjshëm në atë post (duke luajtur kukafshehtas me daljen e tij pension e jo vetëm), bërtet fort kur dëgjon se u punokërka ende në kontinentin e vjetër (Europë) me fjalën e tjetrit. Dishepujt e tij e plotësojnë puzzle-n grotesk te kësaj psikiatrie duke parashtruar se ‘sot konferencat bëhen me powerpoint e jo me dërrasë të zezë si në ‘Mesjetë’. Ndërkohë studentët nuk mund të shkruajnë më me stilolapsa nepër fletore sepse jetojnë në kohën e ‘zhvillimit teknologjik’ e ku çdo gjë mund të regjistrohet pa kurrëfarë mundimi. Nuk e kuptojnë se duke ia deleguar punën ‘teknologjisë’ humbasin shumë gjatë proçesit e harrojnë se minimalisht abc-ja e kujtesës është përsëritja e disiplina. Shkrimi, si mjet personal, e grumbullon dijen, e filtron dhe e personalizon për ta përvetësuar më mirë. Për të mos folur pastaj për mbajtjen e shënimeve gjatë seancave me pacientët që është thuajse jashtëtokësore në këtë ambjent. Këto ‘teori’ studentëve u duken demode dhe i bashkohen njëzëri largpamësisë përtejoqeanike të shefit, i cili ngatërron gjeografinë e familjes së tij me topologjinë e mendjes duke tradhtuar njëherazi strukturën edipiane të tij, paçka se përmend flakshëm përbuzjen e tij për ‘sërën’ e psikanalistëve (ose armiqëve të betuar të konjitivistëve përtejoqeanikë).

Ndërkohë që vartësit e tij i falen në ligjërime e në konferenca me projektorë të kushtueshëm, harrojnë se edhe tualetet e spitalit janë relike mesjetare që i kujtojnë sistematikisht të shtruarit se ku ka ardhur e ku po shkon. Shpeshherë shtrimet atje marrin formën e telenovelave, të cilat ndërpriten kur pacientit i ‘duhet’ të shkojë të bëjë dush deri në shtëpi e më pas të kthehet në kostumin e tij spitalor. Madje sipas raportit të Komitetit të Helsinkit të disa viteve më parë deklarohej se spitalet psikiatrike janë në gjendje shumë më të mjerueshme sesa burgjet sepse sigurisht monitorimi i tyre është i vëzhguar nga ‘ata’ të huajt. Po si mund të ketë pune të mirë filltë klinike aty ku paranoja e theksuar uzurpon çdo fjalë të folur e nuk lë as specializanten apo stazhieren të bisedojë me pacientin pa kaluar më parë nga ‘shefi’.

Ndërkohë rendja pas shifrave statistikore për të provuar fjalën e fundit të shkencës konjitiviste sigurisht që ia ndalon jo vetëm ‘shefit’ por edhe të tjerëve ndjekjen e pacientit me trajtim psikoterapik. Kur flitet për trajtim në rradhë të parë atje nënkuptohet ‘trajtimi me ilaçe’ dhe së dyti analizë shifrash e ‘arritjesh’ tejet fantazioze për t’u paraqitur në ndonjë konferencë me platformë high-tech. Por pas këtij ekrani powerpoint fshihet një pozitë etikisht e mangët ku trikot e dhimbjeve me jetët e mendjet e njerëzve shthuren brenda natës si të ishin mall konsumi i tregut të shumicës e jo vepër e Penelopës. Kjo politikë dritëshkurtër e gjithëpërfshirëse (nga Tirana e deri në Shkodër) merr frymë (e jua merr frymën) edhe sot në këtë fillim shkurti të një viti të ri, duke tjerrë fijen e saj prej najloni industrial. Si një produkt sintetik (e sigurisht vegël e sistemit ekonomik ‘global’ me teknologji kineze të prodhimit në seri) që synon përhapjen sa më të shpejtë e sa më të largët, kjo politikë e mbrapshtë e mbyt subjektin dhe nuk e lë të piqet e të bjerë si frut i pjekur nga dega për t’i dhënë vazhdimësi jetës në tokë. Aty ku subjektet duhet të kishin lindur aty po çrrënjoset çdo praktikë e traditë e mirë e punës në spital e po mbillet fallcitet e individë që kopjojnë njëri-tjetrin si të kishin dalë nga letra kopjative e ndonjë shtypshkronje. Duket se kështu po shkohet dita ditës drejt shpërbërjes së institucioneve, edukatës së punës e ku subjektit po i bien fijet si cohës së najlonit.

Jolka Nathanaili

1 shkurt 2013

7 Responses to Coha e dhimbjes dhe politika e najlonit

  1. studiozja thotë:

    Cfare qenka ky person qe me ofendime kerkon te arrije nje kopjim te te ashtuquajturit mesues shpirteror te saj? Une jam nje studente qe e kam prekur terrenin per te cilin na flitka kjo zonje me kaq percmim dhe me nje mllef te bartur kushedi se nga……….
    Shoqeria civile nuk duhet te kete mllef por te dije si te punoje dhe bashkepunoje per nje te mire te madhe dhe jo personale.
    turp turp turp

  2. Annais thotë:

    Nje shkrim shume serioz mbi gjendjen e universitetit dhe spitalit tone psikiatrik.
    Si shumica e institucioneve fatkeqesisht ne Shqiperi, ka mungese profesionalizmi dhe cilesia e sherbimeve eshte ne dore te mjeraneve dhe suflereve te tyre!
    Shpresojme per me mire ne te ardhmen!

    • Thunra.Z thotë:

      Universiteti e njëkohësisht edhe Spitali Psikiatrik mund të jenë në gjendje të mjerueshme, por gjithsesi zgjidhja nuk vjen dot as nga Lakani e as nga Frojdi. Padyshim as nga shkrime të tilla, që tek e fundit rreken të konstatojnë… diçka pa ia arritur mirë, e për më tepër me njëfarë nervi, le ta quajmë.

  3. Estelle thotë:

    Unë shpesh dëgjoj njerëz që thonë ”Mos u bëfsh për spital, se po re në dorë të tyre je i mbaruar” apo edhe shprehjen ”as armikun mos e shifsha aty”. Të gjithë këto njerëz kanë një arsye pse shprehen kështu.
    Në këtë artikull është shtjelluar me kaq ëndje çthurja e institucioneve shqiptare e aq më tepër kur i sheh dhe nga afër mllefi lind vetvetiu.
    Lincoln ka thënë ” Karakteri i ngjan pemës, kurse reputacioni është hija e saj. Ne kujdesemi për hijen, ku në të vërtetë duhet të mendojmë për pemën.”
    Po ”shefat” shqiptarë as për hijen e tyre nuk kujdesen më, prandaj njerëzit bëjnë ato urimet e mësipërme sepse ka humbur humanizmi në të tillë njerëz, pa le aftësia e skuqjes…

  4. Andje thotë:

    Bukur dhe një përmbledhje jo vetëm e gjëndjes së spitalit-studentëve-fakultetit të mjekësisë, por fatkeqësisht, e çdo institucioni (të kalbur) në Shqipëri!

  5. artanaci thotë:

    Ky artikull peshtjell me nje vel pelhure delikate dhe te lehte nje realitet shume te hidhur te psikiatrise ne vendin tone.personalisht ketij realiteti do ti kisha hedhur siper nje rrogoz te rende e te ngjeshur mire “per ti zene frymen”.Nen kete rrogoz do shihja e qete te gjithe ata qe kontribuojne per kete gjendje mjerane te atyre qe vuajne vertete dhe te gjithe ata qe pretendojne se mjafton te quhen studjoze e mund te prodhojne komente “sterile” si ai me lart.

  6. Thunra.Z thotë:

    @ arta naci:
    Komenti i lënë nga “studiozja” mund vërtetë të jetë steril, por duhet të pranoni se minimalisht po aq steril dhe shterpë është edhe shkrimi i paraqitur këtu nga J.N.
    Ok u përpoq të konstatonte… po pastaj? Asnjëgjë.

    Gjithsesi, edhe sikur psikiatria sot në Shqipëri të jetë në nivele mjerane, kjo nuk vjen vetëm për fajin e atyre që janë në krye. Jo aspak. Vjen edhe për faj të psikiatrisë së djeshme, për të cilën disa kanë nostalgji, e cila me në krye disa monstra, përdorej për të internuar e stigmatizuar armiqtë e klasës. Nëmos jo drejtëpërdrejtë, indirekt duke lënë padashur ndonjë fjalë të shpëtonte, herë nga dritarja e herë nga dera.

    Përtej kësaj, siç edhe thashë më lartë, zgjidhja nuk ka asesi si të vij nga rrethi që Jolka Nathanaili me të tjerë tentojnë të zgjerojnë.
    Ajo është kartë e djegur;, e këtë ai drejtori, sado i lig që mund të dalë nën përshkrimin e JN, kam besim se e di mirë.

Lini një Përgjigje