Angjelin Preljocaj, “Të kërcesh dënimin tënd”: historia e një atelieje dansi në burgun Baumettes (France Culture)

Nga

Publikuar tek Prezantime/Reportazhe/Intervista, Punë krijuese/artistike me 24 June 2020

Cikli i emisioneve “Të kurosh” në Radio France i jep zë artistëve të cilët e shtrijnë praktikën e tyre në kufinjtë e disa fushave : të shëndetit, të ndihmës sociale, të përkujdesjes si dhe fushës krijuese. Për çfarë do të flasim këtë herë ? Në fillim bëhet fjalë për trupat. Të kufizuar dhe të bjerrë nga qëndrimi në burg, trupat falë dansit rigjejnë shijen për lirinë dhe lëvizjen e lirë. Një intervistë me koreografin e njohur franko-shqiptar Angjelin Preljocaj, i cili bëri të kërcejnë gratë e  burgosura.   Angelin Preljocaj   Bisedë e gazzetares Marie Richieux me koreografin Angjelin Preljocaj rreth projektit të realizuar në vitin 2019 në burgun e Baumettes në Marsejë, me gratë e dënuara, projekt i cili u shndërrua në spektaklin “Soul Kitchen”, në një shfaqje dansi,  një turne dhe një dokumentar “Danser sa peine” (Të kërcesh dënimin tënd) realizuar nga Valérie Mûller.   Angelin Preljocaj drejton Pavillon Noir në Aix-en-provence. Kur flet për dans, ai shpesh herë flet për gjuhën dhe shkrimin. Nuk është pra aspak rastësi, nëse gjatë një sekuence pune me gratë që vuajnë dënimin, ne e dëgjojmë të propozojë si ushtrim shkrimin e emrit në mur nëpërmjet trupit të tyre. Ky ushtrim ka të bëjë me disa trajta lëvizjesh, të cilat do të përftojnë shfaqje, turne madje dhe një film.     "Danser sa peine" film de Valérie Müller Marie Richieux : Si vendosët një ditë të shkoni në burg, të realizonit ndërhyrje artistike, madje edhe të performonit dansin me të dënuarit ?   Angjelin Preljocaj : Në fillim, na erdhën disa letra nga persona që vuajnë dënimin, të cilët shprehnin emocionin e tyre pasi kishin parë disa kërcimtarë të interpretonin disa pjesë nga baletet e mia, një herë në vit, në brendësi të oborrit të burgut. U befasova nga këto dëshmi. I tronditur, ndjeva se diçka që lidhej me trupin i kishte prekur : duke vështruar kërcimtarët, diçka çlirohej në ndjesitë e tyre. Më vonë, në vend që të shkonim për t’i shfaqur atyre diçka, dhe më pas t’i linim të ktheheshin në qelinë e tyre pata dëshirën t’i propozoja një atelie. Kështu kontaktova administratën e institucionit dhe meqenëse më pëlqen ideja që atelietë të përfundojnë pas një sinteze pune paraprake, u propozova një shfaqje dhe mora miratimin e tyre. Megjithatë e shtyva dhe më tej këtë nismë duke kërkuar që shfaqja të performohej jashtë burgut. Në fund e arrita këtë gjë edhe pse u desh shumë kohë. Në fillim desha ta prezantoja shfaqjen te Pavillon noir në Aix-en-Provence, pra jo shumë larg burgut. Më pas më kontaktuan nga Festivali ndërkombëtar i dansit të Montpeljesë, dhe më njoftuan se ishin shumë të interesuar për këtë projekt. E gjitha kjo u shndërrua në një turne dhe ishte vërtet e mrekullueshme. MR :  Çfarë ju shtyu në fillim të sillnit pjesët tuaja të dansit një herë në vit në burgun e Baumettes ?   AP : Përpara 20 vitesh, krijova grupin që quhet G.U.I.D. Grupi Urban i Ndërhyrjeve të Dansit. Është një lojë e vogël fjalësh për të thënë “ndiqni guidën” : t’i prezantosh dansin disa individëve të cilët nuk janë domosdoshmërisht në kontakt me këtë formë artistike. Ideja ishte e thjeshtë : në vend që të prisnim që njerëzit të vinin nëpër salla për të parë shfaqjen, duhej që ne t’jua çonim dansin njerëzve. Është një aktivitet që vijon dhe sot : shfaqjen e sjellim në spitale, në sheshet e fshatrave, në oborret e gjimnazeve, në mencat e shkollave fillore. Ne shkojmë atje, lëvizim tavolinat dhe performojmë disa pjesë të dansit. Më pas, bëjmë një bisedë të shkurtër. Ky kontakt i drejtpërdrejtë, shumë i afërt me dansin, provokon vërtet një pasion dhe nganjëherë vokacione. Kam marrë shumë dëshmi nga këcimtarë të rinj të cilët, pasi kanë parë ndërhyrjen e G.U.I.D. të shfaqur në gjimnaze ose në universitete, i janë përkushtuar dansit. Le G.U.I.D, créé par Angelin Preljocaj MR : Por të krijosh pikëtakime ndërmjet spektatorëve potencialë me shfaqjen e dansit kontemporan dhe të praktikosh dansin, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Eksperienca në burgun e Baumettes, e shtrirë në kohë, përfaqëson vërtet një hap suplementar në nismën tuaj … AP : E vërtetë. Nëpërmjet impulsit të G.U.I.D. kemi rënë në një fushë tjetër. Dhe pasi morëm gjithë këto letra që përmenda, kur nisa të futem në brendësi të subjektit, zbulova përmasën e asaj që po ndërmerrja. Nuk e kisha kuptuar se çfarë do të thotë vuajtje e dënimit. Përgjithësisht mendojmë se është vetëm privimi i lirisë, por në të vërtetë e tejkalon dhe shkon përtej saj. Burgu është një lloj përgjumje e të gjitha shqisave : kemi një fushëpamje tmerrësisht të kufizuar, dëgjojmë zhurmat e burgut por në fakt ato janë të gjitha njësoj dhe të pakëndshme. Për ta thënë shkurtimisht, jemi gjithmonë brenda diçkaje tejet të zymtë. E njëjta gjë vlen dhe per shqisën e të prekurit : privimi i lirisë implikon një ndryshim në sjellje, në marrëdhënie me tjetrin, etj. Për nuhatjen, është po kështu e njëjta gjë pasi aromat në burg janë gjithmonë po ato. Vura re që në fillim se shumë prej të burgosurve gatuanin në qelitë e tyre për t’iu shpëtuar vakteve të mencës të cilat janë pak a shumë të njëjtat. Prandaj, ka një përpjekje, nëpërmjet gatimit, të ripërvetësohet të paktën kjo shqisë. Ky vëzhgim më çoi tek leximi i Nourritures terrestres i Andre Gide, libër i cili u bë baza e punës time me gratë e burgosura.    MR : Në dokumentarin e Valérie Mûller e cila përshkruan punën për krijimin e “Soul Kitchen”, ju thoni se bëhej fjalë për një punë të parë që ju ndërmorrët me një tjetër trupë të ndryshme nga trupa e baletit. Çfarë mësuat nga kjo përvojë, që ju nuk e kishit përjetuar ? AP : U intrigova nga fakti se këto trupa nuk janë një trupë e dansit, nuk janë Stradivarius-et e baletit, e lëvizjes. Më duhej të shpikja një gjuhë specifike që lidhej me trupin e tyre dhe që kjo ndërkohë më pasiononte dhe njëkohësisht më angështonte, pasi më duhej të dilja nga gjurmët e mia. Por më pëlqen ideja që çdo herë që ndërmarr një projekt të ri, më duhet ta rimendoj të tërën nga e para. Në fillim përpiqemi të kapim diçka që është shumë lart, që të ngrihemi ne vetë : edhe pse nuk arrijmë tek vendi i shenjëstruar, të paktën, u përpoqëm të shkojmë më lart sesa pika jonë e nisjes dhe kjo është e mrekullueshme. Por edhe kjo nuk mjaftoi pasi bëhej fjalë për vajza që nuk kishin bërë asnjëherë dans, trupa të burgosur të cilët kishin një farë funksionimi le ta quajmë tejet minimal. Pastaj ishte dhe çështja : “Kush jam unë ?” Domethënë kur unë shkoj në La Scala në Milano, në New York City Ballet,  ose tek Opera e Parisit, njerëzit më njohin si një koreograf me përvojë. Por kur unë shkoj në burg, për këto vajza, jam thjesht një tip që do t’i mësojë dansin. Pra më duhet të ndëmarr një punë të mirëfilltë pedagogjike për t’i dhënë besim këtyre vajzave, t’i bëjë të kuptojnë idenë e këtij projekti artistik sipas së cilës do t’u duhet të shkojnë sa më larg pa patur keqkuptime në këtë mes. Me arritjen e  mirëbesimit mes nesh gjërat shkuan për mrekulli.   MR : Kur ju thoni se këto gra nuk patën keqkuptime, çfarë keni parasysh me këtë ? A e keni shtruar mirë çështjen e dëshirës që keni për t’i bërë këto gra të kërcejnë ? Çfarë po kërkoj tek këta trupa të penguar ? Përse kam ardhur këtu ? A mos do të thotë kjo se pikërisht në këto vende shumë më tepër sesa me interpretuesit klasikë, artistit i duhet të jetë edhe më tepër i qartë me qëllimet e tij ?   AP : Po, mendoj se kjo kërkon edhe më tepër ndershmëri dhe kthjelltësi se zakonisht sa i përket artikulimeve dhe iniciativës së tij. Në të vërtetë, i druhesha dhe faktit se mos shfaqja inkurajonte një anë vuajeriste te spektatorët të cilët do të shtronin pyetjet se çfarë veprash kishin kryer këto gra, kush ishin ato. Më shqetësonte ideja pikërisht se mos njerëzit vinin t’i vështronin ato si të ishin kafshë cirku. Në fakt, pikënisja dhe sfida është raporti i një njeriu me njeriun tjetër.  Çfarë mund të bëj për ty? Çfarë mund të më përcillni ? Ishte pikërisht një nga gjërat e para që u pata thënë “Mendoj se ju do të më përcillni shumë më tepër se sa unë”. Kjo i bëri për të qeshur herën e parë, por në fakt koha më dha të drejtë. Këto gra më dhanë më shumë në qasjen time, së pari në këndvështrimin e shoqërisë, por edhe në reflektimin tim mbi burgosjen. Pastaj ky është edhe një këndvështrim mbi botën dhe mbi qeniet njerëzore. Nuk kam patur shpesh mundësinë të takoj persona të burgosur të cilat kanë patur një aksident në udhën e tyre. Nuk i paramendoja si keqbërës. Këto gra kanë patur në një moment të jetës së tyre, një impakt, një aksident që shkaktoi një lloj kaosi përpara tyre. Por vëmë re se burgu mund të ketë një lloj vlere gati pedagogjike, e cila kur ushtrohet siç duhet, mundëson reflektimin. Ato tregojnë në film se burgu i bëri të mendojnë mbi atë që bëjnë, çfarë ato përfaqësojnë. Në këtë pikë të gjitha qeniet njerëzore ngjasojnë : kur e kemi diçka nuk e vëmë re vlerën e saj dhe sapo e humbasim, ajo e rifiton këtë vlerë. Ideja e rivlerësimit të lirisë ka qenë pjesë e punës koreografike me to. "Danser sa peine", film de Valérie Müller MR : Mos vallë sfida për këto gra tek “Soul Kitchen” falë dansit, është të gjejnë një mënyrë ekzistence në të tashmen e cila iu është rrëmbyer ?   AP : Unë besoj se ka të bëjë me çështjen që lidhet me koncpetin filozofik të entelekise  sipas të cilit arrijmë amplitudën totale të qenies në momentin nga ku ndodhemi, dmth përmbushja e plotë e hapësirës së qenies. Falë këtij projekti pikërisht këtë u përpoqa të bëj. Kur këto gra qëndrojnë në skenë, ato janë në amplitudën maksimale të vetes së tyre dhe kjo falë dansit, falë përpjekjes së tyre gjatë gjithë shtrirjes së procesit artistik që i mundëson atyre gjatë daljes në skenë të përplotësohen me vetveten. Në një linjë harmonie me trupin, në një formë përpikmërie. Për këtë arsye gjatë disa shfaqjeve ndjeva se publiku nuk i vështroi si të dënuara dhe nuk shfaqi paragjykime. Ideja ishte t’i shfaqnim ato në amplitudën e tyre maksimale, më të bukurën. Mendoj se ishte kjo që shkaktoi emocionin e shfaqjes. Çdo herë njerëzit përjetuan një tronditje shpirtërore. Pashë spektatorë që po qanin dhe që në momentin e përshëndetjeve të fundit, zbritën shkallët dhe u ngjitën në  skenë për t’i përqafuar. U përjetua një emocion tejet i thellë të cilin nuk e kisha përjetuar kurrë më parë.    Referenca  Danser sa peine, film de Valerie Müller. Nourriture terrestres, Andre Gide. https://www.franceculture.fr/emissions/radiographies-du-coronavirus/angelin-preljocaj?fbclid=IwAR1HgG5rFvwIWxJuPNzIkE2jsIgbmn4vt-wuLQOyX1Z32Fq-hyESmTPQzuo

Leave a Reply