Video: Drejt një praktike klinike plurale

Nga

Publikuar tek Institucionet, PRAXIS, Prezantime/Reportazhe/Intervista me 20 Dhjetor 2018

header  
“Drejt një praktike klinike plurale” është një dokumentar i realizuar nga Rrethi Lakanian Shqiptar në Spitalin Psikiatrik ‘Ali Mihali në Vlorë me rastin e 10 tetorit, ditës botërore të shëndetit mendor. Përpjekja jonë për pikasjen dhe adresimin e gjendjes së personave që vuajnë nga këto problematika në institucionet publike të vendit gjeti mbështetjen e disave aktorëve lokalë që operojnë në qytetin e Vlorës si drejtori i spitalit Dr. Kujtim Llapi, stafet psiko-sociale të Shtëpive të mbështetura dhe Qendrës Komunitare, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror Ina Islamaj dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Vlorës z. Dritan Leli.
 
Nxitja për të njohur nga afër personat që vuajnë nga çrregullimet psikike u bazua tek filmi “Në qiell të hapur” i regjizores franceze Mariana Otero, të cilin e sollëm për ta ndarë me profesionistët dhe pacientët e spitalit të Vlorës. Filmi, i realizuar përgjatë një viti në qendrën rezidenciale ‘Le Courtil’ në kufirin franko-belg, përveçse portretizon dhe i jep zë fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregullime psikike, ilustron nga afër një praktikë klinike plurale [pratique à plusieurs] një punë klinike e pagëzuar kështu nga psikanalisti Jacques Alain-Miller, themeluesi i Shoqatës Botërore të Psikanalizës dhe publikuesi i veprës së Lacan-it në Francë.
 
Rrethi Lakanian Shqiptar, Grup i Fushës Frojdiane në Shqipëri, synon të sjellë përvojën psikanalitike më bashkëkohore në punën institucionale me çrregullimet psikike për të hapur një shteg bashkëpunimi dhe me profesionistët në vendin tonë. Në këtë kuptim dokumentari ‘Drejt një praktike plurale klinike’ përcjell dhe diskutimin e realizuar me kolegët e institucioneve në Vlorë pas projektimit të filmit ‘Në qiell të hapur” për të analizuar dhe sjellë disa hapa konkretë në vështirësitë e tyre të përditshme, për të arritur ndryshimin e qasjeve klinike në mënyrë që të përmirësohen trajtimet psiko-sociale ndaj pacientit. Synimi final ngelet ndërgjegjësimi i komunitetit mbi çështjet e shëndetit mendor të cilat nuk prekin vetëm pacientët por edhe rrethin e tyre familjar e shoqëror.
 
Në pjesën e fundit dokumentari dëshmon se si nxitja e kontaktit me natyrën, jashtë ambienteve të mbyllura, është pjesë e ndryshimit të mendësive lidhur me çfarë është dhe çfarë nuk është terapeutike. Kjo realizohet duke i dhënë fjalën vetë pacientëve në mënyrë që publiku ti njohë ata më nga afër dhe jo thjesht si të dhëna shifrore nëpër manuale statistikore të pajeta.
 

Lini një Përgjigje