Etiketa: rrjet i ndërlikuar shënjuesish

E pavetëdijshmja që mendon me forcë

Recension i librit ‘Mësimet e mia‘ i Jacques Lacan-it në revistën e përkatërmuajshme kritike ‘Letra’

E pavetëdijshmja që mendon me forcë

Nga Adem Jakllari

Botimet në fushën e psikanalizës mbartin me vete një kërshëri të fortë, për më tepër në mjedisin libror shqiptar. Kjo, në radhë të parë, për referencat e pashkatërrueshme kulturore që ka ende në ditët e sotme revolucioni frojdian. Dhe, së dyti sepse biblioteka shqiptare është tepër e varfër në të tilla botime. Freud-i, pas A. Einstein-it, është intelektuali më ndikues i shekullit XX dhe në vazhdim, ndaj edhe dishepujt e tij lozin një rol jo të vogël në shumë fusha të dijes humane. Jacques Lacan-i është një ndër ta, madje ndër më të rëndësishmit. Ai, siç thotë Judith Miller-i, e shpëtoi zbulimin e psikanalizës “nga ndryshkja e tehut”, prirje qe kishte zënë të buthtonte pas Luftës së Dytë Botërore.

Me ligjërimet e veta universitare, Lacan-i i riformalizoi konceptet themelore të doktrinës frojdiane – e pavetëdijshmja, tjetërsimi, seksualiteti etj., duke i dhënë përparësi në interpretim natyrës simbolike të tyre. Në këtë mënyrë, Lacan-i e zhvendos primatin e shumë prej koncepteve të krijuara prej Freud-it, mbi shtratin e gjuhës sirnbolike. Theksi kryesor i ligjëratave të Lacan-it bie mbi funksionin e fushës së ligjërimit dhe të gjuhës në psikanalizë. Simbolika gjuhësore, është sipas tij, çelësi me të cilin hyhet në semantikën e reales dhe imagjinares.

Një nga tezat kryesore të Lacan-it, si vazhdues i Freud-it, është ajo që e përkufizon njeriun si të “zhytur në një banjë gjuhe”. Koncepti është i ngjashëm me atë të Heidegger-it, i cili thotë se “njeriu banon në gjuhë”. Në analizën e vet Lacan-i nënvizon që edhe Freud-i, veçanërisht kur merret me interpretimin e ëndrrave, zbulon se gjuha e tyre ka karakter simbolik dhe se struktura e këtyre simboleve përcaktohet nga natyra e “banjës gjuhësore”. Lacan-i e vazhdon arsyetimin e vet duke u ndalur edhe në elemente të tjera të analizës frojdiane, siç është rasti i psikopatologjisë së jetës së përditshme. Sipas Lacan-it, Freud-i gjen në këto proçese një faktor të përbashkët që lidhet me praninë e fjalëve, e “vrimave në ligjërim”, lojërave dhe ambiguiteteve. Duke thelluar dhe pasuruar tezën frojdiane, ndoshta më provokuesen, se “e pavetëdijshmja strukturohet si gjuhë”, Lacan-i i lidh ligjet e psikanalizës me ligjet strukturore të De Saussure-it. Në librin Mësimet e mia ai shkruan: “Freud-i e përshkruan ëndrrën si një lloj nyje, si një mjet asociativ formash verbale të analizuara që kryqëzohen si të tilla, jo për shkak të kuptimit të tyre, por falë një lloj homonimie”.

Libri që po i jepet lexuesit shqiptar në nivel të ligjërimit dhe ngjizjes teorike është krejt i veçantë dhe kërkon të krijojë një paradigm të re leximi. Është një libër që nuk merr përsipër të ndërtojë premisa të qëndrueshme në rrafsh konceptual dhe diskursiv. Ai është strukturuar si një rrjet i dendur dhe i ndërlikuar shënjuesish. “ Çfarë po përpiqem të arrij, shkruan autori, është t’ju bëj pjesë të diçkaje që është duke u kryer, që është në lëvizje e sipër, diçkaje që s’ka të pambaruar dhe që ndoshta do të mbarojë vetëm kur të kem mbaruar unë. . .”

Lacan-i vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, duke përbërë, kështu, një akt të mirëfilltë kulturor. Ai është një prej psikanalistëve më të debatueshëm të gjysmës së dytë të shekullit XX. I sjellë me kompetencë të lartë profesionale dhe intelektuale prej Ardian Vehbiut, libri Mësimet e mia, që përbën një nga botimet më referuese të psikanalistit frëng, do të krijojë një traditë të re leximi dhe arsyetimi në kulturën tonë.