Etiketa: koha në psikanalizë

E pavetëdijshmja si pulsim

E pavetëdijshmja si pulsim      Eva Filaj

Seminari i fundit i rrethit lakanian shqiptar që u mbajt të shtunën, në 15 prill 2017, në Tiranë, priti psikanalisten e njohur Myriam Mitelman, e cila trajtoi një temë interesante mbi të pavetëdijshmen: “Nga e pavetëdijshmja si tekst, në të pavetëdijshmen si pulsim”. Përkufizimi i të pavetëdijshmes si pulsim më nxiti në një reflektim të cilin do të doja ta ndaja me të gjithë ju. IMG_3912Ç’është pulsimi? Nëse i referohemi shqipes, pulsimi është një dridhje, një goditje ritmike, pra përmban një fakt që ndodh. Faktet, ngjarjet, nuk vijnë asnjëherë vetëm, ka gjithmonë një para dhe një pas tyre, kemi të bëjmë pra, me një vazhdimësi ngjarjesh. Vazhdimësia është një nocion i njohur në psikanalizë. Nëse i referohemi Jacques-Alain Miller, në mësimin e tij 1,2,3,4 të 14 nëntorit 1984, vazhdimësia në psikanalizë do të nënkuptonte vetë psikanalizën, me seancat e para dhe vazhdimësinë e tyre, me fjalët e para dhe ato që rrjedhin prej tyre, me asociacionet e para, do të shtoja, dhe ato që lidhen pas tyre. Kjo vazhdimësi ka rregullat e veta të brendshme që e qeverisin, rregulla për të cilat subjekti nuk ka asnjë dijeni. Nëse marrim rastin e një subjekti në analizë, do të vërejmë që ngjarjet e sjella prej tij, mund të lidhen në mënyrë logjike me momente, data, fakte që sigurisht kanë një kuptim për subjektin, por një kuptim për të cilin ai nuk ka dijeni. Jemi pra këtu, në një regjistër të pastër të të pavetëdijshmes. Vazhdimësia është e lidhur ngushtë me nocionin e kohës, apo për të qenë më të saktë, të kohëve. Koha përcakton momente të cilave mund tu referoheshim si t-ˡ dhe tˡ, apo t-² dhe t², dhe te cilat ndodhen pikërisht para dhe pas momentit t, moment që për mua, është momenti kur fillon pulsimi. Duke ecur përpara në përkufizimin e kuptimit që unë i jap këtij momenti kyç, që mbart pulsimin, ndiej që jam duke i dhënë atij një dimension ekzistencial dhe dua të besoj që nuk gaboj. Pulsimi, me rrahjet dhe ritmikën që e përkufizojnë, është ai që karakterizon humbjen e formës, çmbështjelljen dhe shtendosjen e elementëve të trysnuar brenda kubit që supozohet të kontrollojë qënien duke i mohuar asaj identitetin. Ja pse ky përkufizim i të pavetëdijshmes si pulsim, në një qasje lakaniane, mu duk kaq inspirues.