Etiketa: arkitektura

Gjysmëhapja

Gjysmëhapja

‘Ta prishim piramidën’ ! … Kundër prishjes së piramidës. !…Ta mbrojmë piramidën !

Po sikur ta ‘rehabilitojmë’… domethënë ta duam ?!

Më në fund…….Një emocion i madh më përshkoi të tërën tek ecja në pllakat e shkërrmoqura e të thyera nga gjysëm-errësira drejt një drite verbuese në hyrjen e saj qendrore. Megjithëse më binte drejt e në sy nuk ma trazoi aspak ndjenjën e përzier me tufa kujtimesh ngjyra-ngjyra të një kohe të ikur, të mitizuar e thuajse të përjetësuar. Kujtime të errëta e të hedhura tutje në skutat e pavetëdijes si të pajeta si vetë dyert e dritaret me xhama të thyer e të krisur që fare mirë mund të përbënin një ekspozitë mbi vandalizmin sigurisht të erotizuar të shqipëtarëve.

Arkitekti gjerman edhe pse artikulonte mu në qendër të saj përpara një ekrani high-tech, zëri i tij monoton prej akademiku në përputhje të plotë me seriozitetin solemn të ngjarjes (ta quajmë gjysmë-hapjes së piramidës) ma bënte edhe më të vështirë përqendrimin tek ligjërimi i tij. Në fakt krejt padashur ai lehtësoi së tepërmi përqendrimin tim të plotë rreth asaj (piramidës). U përpoqa vetëm dy herë ta dëgjoj këtë ligjërim megjithëse dëgjuesit e tjerë dukeshin se e kishin mbërthyer tjetrin në vëmendje të plotë (dhe kjo jo sepse të gjithë ishin arkitektë ), por e kisha të pamundur pasi hapësira e madhe e zbrazur rreth meje kumbonte megjithë forcën e heshtjes dhe të mungesës si zë që më thërriste pranë saj.

Ndonjëherë shpërqendrime të tilla, si rasti i arkitektit berlinez që rrekej të artikulonte fjalë rreth ‘saj’, shërbejnë dhe si filtra shkarkues emocionesh. Në mënyrë mbase të pavullnetshme kjo fjalë dyfish e huaj (berlinezi shprehej në anglisht por njëkohësisht i adresohej shqipëtarëve), monotone e me nota serioziteti mund të ketë ndihmuar ngapak në grumbullimin e emocionit rreth kësaj hapësire nga e cila u privuam ndër vite. Emocioni ishte i fortë deri kokëfortë e ia doli të më shkëputë pa lënë kohë për ndonjë pseudo-fajësim për ‘mospërfilljen’ spontane të leksionit mbi rehabilitimin e ngrehinave të tilla. Me një tjetër të ‘frymëzuar’ që më bëri një mini-guidë të shpejtë të hapësirës, brodhëm aq sa mundëm në karakatinën e mrekullueshme, thesarin e adoleshencës sonë. Hyrja tek kthinat e ish- disko studenti ishte edhe më errët seç kish qenë gjatë kohës së përdorimit të fund-viteve 90, ku gjysëm-ndriçimi i qëllimshëm që zbriste në kufijtë e territ i jepte gjithë sharmin fund-javave tona.

   Objektet e grumbulluara rrëmujshëm nëpër kthinat e saj më përngjanin me ndonjë ekspozitë bashkëkohore të ndonjë koleksionisti suedez që trajtonte temën e lodhjes së subjektit nga jeta e modernizuar. Por haluçinacioni i përftuar rrëzohej në çast sapo hidhje vështrimin drejt korridorit që të çonte tek ish-diskoteka, e cila ishte tanimë shndërruar në një tunel zhytur krejtësisht në terr.

E patëm ‘përdorur’ njëherë këtë hapësirë si skenë për një performim me mjete rrethanore të frymëzuar e mbështetur që në krye të herës nga zysh Moza (sigurisht e letërsisë dhe jo e fizikës termo-dinamike). Petroninsat në garë me gjimnaze të tjera të kryeqytetit kërcyen përpara një publiku ‘profesorësh’ të kapardisur nëpër kolltuqe në një ambjent qe s’kishte asnjë lidhje me ‘uljen’. Disa prej tyre se kishin pëlqyer shfaqjen dhe kjo ia rriti automatikisht vlerat performancës sonë. Përplasja e brezave thellohej edhe më shumë pasi na erdhën në vesh emërtimet si ‘të dehurit e vitit të tretë….ajo qe zhurmë e jo muzikë… Nine Inch Nails miksuar me Fear Factory-n i jepnin gjithë lezetin koreografisë së quajtur ‘Farmak’ e menduar enkas për të helmuar parinë e shkollës. Sa më i fortë efekti ndjellës tek ta aq më të realizuar ndiheshim ne. Kështu klithmat e M.Manson-it tek ‘The horrible people‘ i vunë kapakun dëfrimit tonë kur pamë sikletin në sytë e të kapardisurve nëpër kolltuqe që kishin ardhur të shikonin spektaklin e fund -vitit të nxënësve të dashur e të dalluar. …

E pra mjaftoi një vizitë nëpër piramidë për të hapur zhgjëndrën e kutisë së pandorës. Kujtoj se ironia është dhe se ‘farmaku’ ndodhi tamam si në këtë kohë të vitit, në fillim të muajit dhjetor, koinçidencë e këndshme që më kthen magjishëm në kohë. Piramida si një vend kult i brezit tonë mbart kujtimet më të bukur a e ato më të fshehurat. Si të ishte një muzë që të fryn në vesh fjalë e rrëfime mbi kohë e njerëz të së kaluarës më realë se ata të së tashmes.

Do dëshironim ta ‘përd ornim’ sërish ashtu siç lakonte folësi mbrëmë por pasi nuk arritëm dot ta mbrojmë nga sulmet e shqyerjet ndër vite kësaj here si me frikë e emocion njëherazi u mblodhëm aty si për ta parë dhe një herë përpara lëngatës së fundit të trupit të saj të lodhur tashmë nga stër-përdorimet e brendshme e të jashtme. Ndoshta më vonë ajo do veshë një tjetër petk me pllaka të reja të cilat do fshehin ato të vjetrat nën të që kumbojnë sa herë që i shkel si të ishin  madeleine e Proust-it.

Hyrja në piramidë – tabu e tejzgjatur – të shpresojmë do të përqafojë të vjetrën me po aq dashuri sa dhe të renë në kujtim të kohëve e atyre që s’janë më përveçse në hapësirën e psyche-s tonë.