Mbi rrethin lakanian

Psikanaliza nuk qëndron më e ndaluar dhe e paarritshme për ne shqipëtarët. Erdhi koha për ta sjellë atë në formën e saj më të freskët, në tingullin e saj në shqip. Trajta e saj bashkëkohore lidhet ngushtë me veprën, veprimtarinë dhe stilin e psikanalistit francez Jacques Lacan. Vitaliteti i psikanalizës lakaniane do të përcillet për lexuesin shqiptar pa tradhtuar etikën e psikanalizës e cila lindi në veprën e tij dhe ngeli e patjetërsueshme, ndryshe nga pjesa tjetër e teorisë së tij e cila u ripërtërit pambarimisht deri në fund të jetës së tij, që prej Lakan-it të viteve 50-të deri tek teoria e nyjeve boromeane. Etika e lidhur ngushtë me dëshirën e pavetëdijshme na frymëzon vazhdimisht, siç Lacan-i thoshte ‘ Ne pas céder sur son désir‘,’ Të mos hiqet dorë nga dëshira ‘.

Kjo përpjekje është pikësëpari një fillim, një gur themeli për thurjen e diçkaje që tejkalon dëshirat me sy hapur dhe synon vetëm dëshirën e pavetëdijshme e cila shfaqet gjatë proçesit analitik apo në fund të tij. Një ëndërr e hershme ushqen këtë dëshirë të pavetëdijshme dhe sjell psikanalizën lakaniane në Tiranë. Tani ka ardhur momenti të sjellë përmes këtyre faqeve jo vetëm të rejat e fundit mbi ciklin e seminareve të fushës frojdiane që zhvillohen në Tiranë por edhe versionin në linjë ku do të publikohen tekste, konferenca apo shkrime të ndryshme psikanalitike të nyjëtuara e lakuara në shqip.

  Për të kontaktuar me ne mund të na shkruani tek rrethilakanian@nyjelakim.net ose të na kontaktoni tek nr. +355 4 234 1172. Zyra në Tiranë https://goo.gl/maps/xTeJqe13bC72