Rishfaqje e filmit “Rendez-vous chez Lacan’, reportazh nga Elsa Demo

Nga

Publikuar tek Artikuj, Prezantime/Reportazhe/Intervista me 6 April 2013

Frojdi na kujton se nuk është e keqja por e mira që na shkakton dhe ushqen ndjenjën e fajit.

Fjalë që psikanalisti më i rëndësishëm pas Frojdit i thotë pasi ka hapur një gropë në zemrën e psikiatrisë zyrtare dhe ka rizbuluar në simptomat e pacientëve me shëndet të brishtë mendor rrënjët e dyshimit dhe ankthit njerëzor. Këta pacientë hynë në analizë në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë. Në zyrën e tij në Paris, në sallon ku kishte vazhdimisht radhë, ata presin t’i dëshmojnë një njeriu i aftë të hapë dyer që do të kishin të gjitha arsyet e botës për të mbetur të kyçura.

Ja rasti i pacientes e lindur në Gjermani në vitin 1938, që ishte rritur me tmerret e luftës dhe kishte provuar urinë e pasluftës. Ajo tregon në shtratin e studios së Lakanit një ëndërr ankthi që përsëritet: Gestapoja që vjen të marrë hebrenjtë që jetonin pranë saj. Lakani i kishte thënë se dhimbja asaj nuk do t’i zhdukej kurrë por ajo mund të shndërrohej në një formë që ta bëjë jetën të durueshme. Ashtu si fjala e frikshme Gestapo ishte bërë ‘gest à peau’, prekje në lëkurë, duke marrë papritur një kuptim krejt tjetër, shumë njerëzor. Personi i tij me guximin, stilin dhe dëshirën e një djalli, djalli që vjen dhe gjurmon thellësinë e secilit. Mik i Picasso-s, Lévi-Strauss-it, Sartrit, Jacques Lacan-i e nisi aktivitetin e tij si psikoanalist në vitin 1938, me përvojë të gjatë në spitalin e “Saint-Anne” në Paris, ku nga matanë mureve dëgjonte “ata që shoqëria nuk donte t’i dëgjonte e që shkenca beson se i kupton: “të çmendurit”.
Por në vitet pesëdhjetë, hapja nëpërmjet gjuhës që ai i bën psikanalizës konsiderohet vërtet revolucionare dhe këtë e dëshmon influenca e tij edhe në mendimin teorik letrar e sidomos te një brez artistësh pamorë. Seminaret që Lakani mbajti në vitet 1953 deri më 1979, u botuan falë Jacques-Alain Miller-it, duke dokumentuar gjenialitetin e psikanalistit, si mjek dhe teoricien i shquar e që megjithatë, “kolegët e tij do ta shkishëronin sikur të ishte ‘djalli’”.
Dokumentari “Takim me Lakanin” një film nga Gérard Miller u shfaq në qoshkun e librit “E përshtatshme” nga Rrethi Lakanian i Fushës Frojdiane në Tiranë.
Është një përpjekje për të futur psikanalizën bashkëkohore në Shqipëri nëpërmjet seminareve me studentët e psikiatrisë, me botime dhe diskutime. Falë kësaj nisme është botuar “Mësimet e mia” libri i parë i Lakanit në shqip.
Elsa Demo

Leave a Reply