Një bisedë me Anjeza Senja Tafaj rreth përvojës në spitalin për fëmijë dhe adoleshentë ‘Clos-Bernard’

Nga

Publikuar tek Fëmija, PRAXIS me 24 November 2017

Një bisedë me Anjeza Senja-Tafaj rreth përvojës së saj si stazhiere praktikante në spitalin psikiatrik ditor, Hôpital de Jour, Clos-Bérnard, që pret fëmijë dhe adoleshente ne Paris.
– Anjeza ju jetoni dhe punoni në spitalin e Elbasanit (jo atë psikiatrik), mund të na tregoni për kontaktin tuaj të parë me psikanalizën, si ndodhi ky takim mes këtyre dy botëve?
– Sapo kisha mbaruar studimet e ciklit të dytë në punë sociale me drejtimin klinik, një e njohura ime më kishte folur për disa seminare të cilat zhvilloheshin në Shqipëri nga lektorë të huaj në fushën klinike. Takimi ndodhi në fakt në prezantimin e librit të parë të përkthyer në shqip “Mësimet e Mia” të Lacanit. Menjëherë sapo e mora librin nisa ta lexoj e të nesërmen vendosa te shkoja në seminar për të dëgjuar e mësuar më shumë mbi Lacanin e veprat e tij për të cilat deri në atë moment nuk kisha asnjë dijeni.
– Si u përzgjodhët për këtë stazh ?
– Në fakt për këtë stazh u përzgjodha nga prezantimi i një rasti klinik të një pacienti i cili ishte hospitalizuar. Rasti mbaj mend që kishte shumë diskutime, kjo mbase u prezantua në gjuhën italiane edhe humbet kuptimin kur përkthehet, më pas mu desh ta prezantoja në gjuhën shqipe. Nuk jam partizane e rasteve të cilat shkruhen edhe ti duhet ti lexosh, sepse rastet kanë detaje, detajet bëjnë diferencën, pyetjet nga salla e plotësojnë më shumë atë që ti do të percjellësh në auditor dhe në fund plotësojnë rastin dhe punën tënde.
– Pra përzgjedhja për stazhin u bë falë punës tuaj. Një mundësi për t’ju mbështetur më tej. Judith Miller, presidentja e Fondacionit te Fushes Frojdiane, propozon stazhet kryesisht për të rinjtë që vijnë nga Europa Qendrore, Lindore dhe Rusia. Të punosh me zonjën Miller është një kënaqësi e veçantë. Është krejtësisht e veçantë dhe shumë e drejtpërdrejtë në raport me fjalën që të adreson, cilësi disi e rrallë te njerëzit sot. Ishte ajo që ju kontaktoi dhe vendosi ?
– Po, e mbaj mend. Në ditët e para të Gushtit në mbrëmje lexova në inbox një e-mail “ Kur e keni mundësinë të bëni një stazh të Fushës Frojdiane, minimumi një muaj në 2014? “ nga Judith Miller. Nuk po u besoja syve, më në fund më kishte shkruajtur, i ktheva përgjigje në çast, se ishte gjëja që dëshiroja më shumë.
– Ushtrimi i profesionit është i rëndësishëm për të kuptuar nëse je në rrugën e duhur apo jo, sidomos në profesionet që trajtojnë në thelbin e tyre njeriun. Për këtë arsye në vendet europiane të rinjve u rekomandohet fort kryerja e praktikës sa më herët. Ngaqë institucionet klinike dhe sociale në këto vende gëzojnë politika përfshirëse dhe të hapura ndaj të rinjve, studentët kanë mundësinë të kryejnë praktikën që në vitet e para të studimeve pa zgjedhur madje ende specializimin në mënyrë që të mund të kenë lirinë e ndërrimit të degës. Kësisoj zgjedhja e profesionit do duhet t’i shkojë përshtat personit, i cili lidhet me të si mishi pas thoit, gjatë gjithë jetës pasi të gjitha hallkat janë respektuar. Nëse i është dhënë koha e duhur për ta shenjuar, subjekti do të bjerë në vendin që i takon, si një fruti i pjekur që bie nga pema -thotë Lacan-i. A keni patur mundësi të kryeni stazhe më parë, gjatë viteve të studimit dhe ç’ndikim ka patur tek ju?
– Profesioni në fakt është diçka e cila lidhet me qënien tënde, pra në shumicën e rasteve është zgjedhje e asaj çka ti di të bësh më mirë, e mbi të gjitha të ndihesh mirë. Që në vogëli e kam admiruar fushën sociale, psikologjike, të mësuarit më shumë për veten, raporti me të tjerët. Ndonëse një profesion i ri në Shqipëri, nuk të ofron shumë mundësi apo mundësi për maturimin e duhur për tu pranuar si profesion. Nga përvoja ime profesionistët e shërbimeve psikosociale jane akoma në fazën e pranimit nga vetë stafi, e jo më të flasësh për pranim nga pacienti apo pjesa tjetër e shoqërisë. Kujtoj herën e parë të cilën kam zhvilluar praktikën si studente, ku u arrit thjesht njohja me institucionin, pasuar nga një bombardim teorik mbi të dhëna si psh. kur është ndërtuar apo numri i shtretërve, kapaciteti etj. Asnjë praktikë e mirëfilltë klinike me pacientët apo klientët. Për herë të parë një rast klinik si edhe trajtimin e tij e kam dëgjuar në seminaret e psikanalizës. Po flas këtu për raste realë, e jo të përkthyer.
– Në fakt është me vend ky koment pasi formimi i psikanalistit është i tillë që nuk bën dallim mes formimeve universitare paraprake ku disa fatkeqësisht perceptohen dhe vetëdeklarohen si më të mira se të tjerat ; psikologu si më i aftë se punonjësi social apo psikiatri si profesion më i vlerësuar sesa ai i psikologut etj; mendime këto të cilat i kam dëgjuar tek tuk. Mbase prandaj kohezioni multidisiplinar mungon këtu. Psikanalisti që në kohën kur Lacan-i ia ndryshoi statusin (vitet 80), të vetmin kalibër matës që njeh është kalimi nga analiza personale dhe jo formimet paraprake në fusha të ndryshme të ‘dijeve’. Nuk e di nëse e vutë re këtë rrafshim të hierarkisë së profesioneve gjatë seminareve?
– Jo një hierarki të tillë nuk e kam vënë re as në seminare as gjatë stazhit tim atje. Kjo formë e të punuarit më pëlqeu sepse nuk vendos se cili është profesioni më i suksesshëm apo më pak i suksesshëm, pra nuk ka rankim, por bashkëpunim. Është si ajo varësja me hallkat e ngjitura që pa njërën keputet.
– Pikërisht Lacan-i kështu konceptoi aparatin psikik në variantin e tij topologjik, si një ndërthurje e tre rrathëve, tre regjistrat në të cilat operon subjekti : reale, imagjinare, simbolike. Nyja e quajtur, boromeane, ka këtë tipar që ju po pohoni, nëse njëri prej rrathëve këputet atëherë njëkohësisht e gjithë struktura shpërbëhet. A ju ndihmoi ndopak në punën tuaj?
– Në punën time më dha siguri, një ndjenjë barazie edhe pse jo të pranohesh më natyrshëm profesionalisht nga profesionistët e tjerë.
– Sigurisht kjo na çon edhe tek funksionimi i një ekipi multidisiplinar që ju gjetët në spitalin francez ?
– Dua dhe të them shkurtimisht se gjatë stazhit përjetova me personat, përgjegjës për çdo gjë që kishte lidhje me stazhin tim në Paris, një kombinim perfekt të takimeve, personave, datave etj. Sinqerisht ishte e habitshme edhe për tu vlerësuar funksionimin sinkron të të gjithë, gjë që më mahniti. Më në fund mbas shumë pune arriti edhe dita e shumëpritur dhe unë u nisa për në Paris. Inga Metreveli, personi përgjegjës për akomodimin tim e të gjithshkaje tjetër, më kishte dhënë udhëzime perfekte që unë të mbërrija vetëm në apartament, pasi u takuam biseduam gjerë e gjatë mbi stazhin dhe shkëmbyem përvojat tona. Të nesërmen u nisa për në institucionin Hôpital de Jour Clos-Bernard. Atë ditë Dr Corinne Rezki nuk ishte por më kishte deleguar tek kolegia e saj Agnès Giraudel, një rastësi e çuditshme.
– Përse e çuditshme?
– Sepse kishte të njëjtin emër me mua Anjeza.
– Pra ju priti një Anjezë tjetër!
– Drejtorin e spitalit Dr Yves-Claude Stavy e takova po atë ditë, për çudinë time më ftoi për drekë për të biseduar edhe shkëmbyer përvojat tona. Një gjë jo e zakonshme këtu tek ne. Pritja e kolegëve ishte shumë normale për ta, për mua ishte e habitshme. Përse do thuash? Sepse këtu jemi mësuar ti zgjidhim gjërat me telefon edhe me “MIK”, e asnjëherë nuk më shkonte në mendje që mund të takoja edhe të kisha mundësinë të shkëmbeja përvojën time me drejtorin e institucionit. Këtu tek ne nuk ndodh kurrë ose të paktën unë nuk kam dijeni që një drejtor të takojë praktikantët e tij edhe të ndajë me ta përvojat. Shumë prej tyre nuk kishin dëgjuar për Shqipërinë. Deri diku u mundova që të shpjegoja që këtu funksionon akoma marrja e medikamenteve, pasi njerëzit kanë më shumë besim tek medikamentet sesa të shprehen tek profesionistët. Doktorit kjo gjë iu duk tepër e habitshme.
– Si e imagjinonit dhe a ndryshoi perceptimi per spitalin psikiatrik pasi filluat stazhin ? Aq më tepër që bëhet fjalë për një institucion ku kurohen fëmijë dhe adoleshentë që vuajnë nga simptoma të ndryshme, shpesh herë vuajnë prindeërit më shumë se ta.
– Një ndryshim 360 Gradë i perceptimit edhe i imagjinatës. Dua të ndaj një histori e cila më ndodhi në park. Një vajzë e vogël kishte dalë të shëtiste me babain me biçikletë, u rrëzua nga biçikleta e unë iu afrova për ta ngritur. Zotëria qetësisht mu afrua edhe më tha :

“- Zonjushe, duket që jeni e huaj. – Po – i thashë – Nuk jam franceze, më falni nëse ju fyeva. – Jo – me tha – por vajza duhet te mesohet te ngrihet vete.”

Nuk fola më, gati u ndieva shumë keq, ai kishte të drejtë ne jemi posesivë ndaj fëmijëve protektivë deri në fund, kultura jonë nuk na lejon të dalim nga vetja. Një rast tjetër ka ndodhur në spital me një fëmijë i cili kur shihte njerëz të rinj bëhej agresiv. Herën e parë të takimit me të më gërvishti shumë në fytyrë, më la shenjë në faqe, dola nga dhoma sinqerisht isha shumë e nervozuar, por e mblodha veten e vendosa të mos hyj më aty. Mbas dy mbledhjesh me stafin Dr Stavy më pyeti pse unë nuk kisha asnjë kontakt me atë fëmijë. Iu përgjigja : nuk kam frikë nga reagimi i tij, por nga reagimi im ndaj tij. Dr Stavy, ma kthen- je gjaknxehtë! Mbledhjet e stafit ishin të hapura, një komunikim jo i fshehjes së problemeve të cilat mund të shqetësonin prindërit apo stafin. Ata arrin ne konkluzion se fëmija sillet kështu sepse i ka ndodhur kjo gjë, pasi jo të gjithë fëmijët mund të flisnin për të treguar shqetësimin e tyre. Me keqardhje e them se ne shpesh e fshehim problemin, ne lobojmë për komunikim, sigurisht komunikojmë gjithë ditën por harrojmë të dëgjojmë e mbi të gjitha të jemi të vëmendshëm ndaj veprimeve.
– Pra mbledhjet dy herë në ditë të stafit ishin një përvojë unike ?
– Po në fakt, flitej mbi punën që zhvillonin, si ato ndiheshin, sepse jo gjithnjë puna ecte vaj, pasi aty kishte fëmijë e adoleshentë me simptoma të ndryshme, por kolegët ishin të mirëkuptueshëm, të hapur, ndihmonin njëri-tjetrin për të kapërcyer ndonjë situate të sikletshme. Mbledhje të tilla, në vendin tim të punës nuk kanë ndodhur e nuk besoj se do të ndodhin. Një realitet krejt ndryshe nga i yni, përgjatë 5-javëve jam ndier krejt tjetër njeri, u ambientova aq shumë saqë harrova që do të kthehesha sërish. Java e fundit ka qenë vërtet lodhëse për mua, pasi përqafova një realitet krejt ndryshe nga i yni.
– Ç’ishte ky realiteti tjetër, pse ishte lodhës ?
– Me fjalë më të thjeshta, u ndjeva shumë mirë në një realitet ku çdo kush nga ne do të ndihej mirë. U ndjeva e pranuar, nëqoftëse në Shqiperi isha gjatë gjithë kohës në pozicion mbrojtës për profesionin tim, atje isha pranuar tashmë, si profesion, thjesht duhet të nxirrje në pah aftësitë e tua. Është si ajo shishja e ujit, kur je i etur edhe nuk mund ta pish. Sinqerisht mbetet një nga përvojat më të bukura, nga e cila kam mësuar më shumë seç e prisja. Por për fatin e keq nuk mund ta vija në zbatim këtu tek ne, jo sepse mungojnë ambientet apo fondet. Fatkeqësisht mungojnë njerëzit e thjeshtë…
– Pra njerëzit janë më të komplikuar këtu në Shqipëri ?
– Sepse kam arritur në përfundimin, që njerëzit mendojnë një gjë, flasin një gjë tjetër e në fund veprojnë krejt ndryshe. Tepër lodhëse, edhe për fatin tonë të keq nuk ndodh rrallë…
– Anjeza çfarë mbeti nga kjo përvojë, për punën tuaj por dhe nga pikëpamja personale pasi i njoh vështirësitë … cilat janë planet sot për sot?
– Përvoja e këtij stazhi më ka mbetur shumë, sepse përveç ndarjes me profesionistët e interesuar edhe miqtë e mi, për fatin tim të keq nuk pata mundësi ta zbatoj këtu, sepse pak kohë mbas kthimit tim, mu suprimua vendi i punës. Aktualisht punoj në një pozicion i cili nuk ka lidhje me profesionin tim, por shpreh mirënjohjen për Fushën Frojdiane si dhe për Ambasadën Franceze të cilët institucionalisht më mbështetën. Planet e mia sot janë për të emigruar jashtë vendit, pasi nuk e gjej dot veten këtu në vendin tim, është lodhëse edhe tepër zhgjënjyese për mua e ndaj çdo gjë po e projektoj për jashtë shtetit.
 

Tiranë, 23 Nëntor 2017

10670204_10201766115874082_6268344391592630947_n

10410819_10201766115994085_9142727149335083664_n

One Response to Një bisedë me Anjeza Senja Tafaj rreth përvojës në spitalin për fëmijë dhe adoleshentë ‘Clos-Bernard’

  1. puhi says:

    Nuk eshte se nuk e dime gjendjen e spitaleve, shkollave, universiteteve, institucioneve tona, por kur lexojme deshmi te tilla te bukura, inspiruese, per njerezit te cilet i kane kaluar, nuk i shpetojme dot te ndjerit ne 101 menyra, nder te cilat bashkefajesia.

Leave a Reply